Lefteri Lleshi fajtore edhe për dështimin e identifikimit elektronik

458
Sigal

Zbardhet  raporti i PS-së  për provën e sistemin elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të pjesëmarrësve në zgjedhje SEV-it

Gazeta “Telegraf”, zbardh raportin e PS-së, që i ka dërguar KQZ-së, për provën e parë që u krye të dielën për sistemin elektronik të verifikimit e regjistrimit të pjesëmarrësve në zgjedhje (SEV). Sipas ekspertëve të PS-së, prova është kryer 45 ditë me vonesë, ka shumë dobësi, që mund të mos jetë në korrigjueshme, duke rrezikuar përfundimisht zbatimin e projektit në 23 Qershor. Kjo vonesë e provës, ngarkon me përgjegjësi të plotë KQZ-në dhe kryetares e saj, Lefterie Lleshi, për mungesë transparence, për shkak të procedurës së zhvillimit të tenderit, por edhe se me vonesën e provës, nuk jep asnjë mundësi kohore, që, në rast dështimi, të bëhet e mundur përzgjedhja e ndonjë kompanie tjetër. Nëse projekti dështon dhe nuk zbatohet SEV, kryetarja e KQZ-së, duhet të mbajë përgjegjësi për “Shpërdorim të detyrës” edhe për humbjet e 2,9 milionë eurove të këtij projekti.

Raporti i PS-së, i dorëzuar në KQZ për SEV

Në bazë të Kodit Zgjedhor, firma fituese e përzgjedhur nga KQZ-ja për implementimin e projektit, duhet të bënte një provë të plotë, duke simuluar një situatë reale në KQV. Prova finale e datës 8 Qershor ligjërisht duhej të ishte realizuar më datë 23 Prill, pra jemi 45 ditë me vonesë dhe vetëm dy javë përpara ditës së zgjedhjeve, përtej cilido parashikimi! Verifikimi i pjesëmarrjes më shumë se një herë te votuesit, si qëllim kryesor i ngritjes së SEV funksionoi përsëri vetëm pjesërisht,  cilësojmë faktin që u provua përsëri dhe përgjatë provës së datës 8 Qershor: Sistemi mundi të identifikojë dhe krahasojë vetëm dokumentet e lexuara 100% elektronikisht të rregullta. Prova e datës 8 Qershor konfirmoi përfundimisht se është rreth 10% pritshmëria për dokumentet që nuk do të lexohen elektronikisht (5 dokumente në 44, në 17 Maj u verifikuan 3 nga 35) Është domosdoshmëri që të  dërgohet në qendër informacion i plotë në lidhje me dështimin e leximit të pjesës elektronike dhe të implementohet funksioni i marrjes së përbërësve zgjedhore nga MRZ në rast se nuk u lexua me sukses pjesa e qarkut me dhe pa kontakt.

Rekomandime

1. Të rregullohet formulimi dhe përmbajtja  e raporteve të njësisë qendrore informatike. Duhet që raportet të jenë të vlefshme legalisht dhe të mund te protokollohen.

2. Duhet të shtohet një procedurë e veçantë  informatike e shoqëruar me formulimin përkatës administrativ për “pastrimin/zerimin”, “fillimin” dhe “mbylljen” e votimit.

3. Nevojitet ndërtimi i një raporti i dedikuar periodik dhe final në lidhje me ngarkimin e SD-ve në qendër i cili duhet të dokumentojë dhe rastet kur nuk kemi përputhje të autenticitetit apo kemi probleme me integritetin e të dhënave.

4. Duhet të jetëi pamundur ngarkimi i informacionit në sistem për të cilat nuk mund të vërtetohet plotësisht autenticiteti dhe integriteti i të dhënave të mbledhura në QV. (gjatë testimeve u provua se ishte e mundur për të fshirë apo modifikuar të dhënat e mbledhura në SD, dhe sistemi nuk parandaloi ngarkimin e të dhënave në strukturën qendrore)

5. Detaje të plota të gjendjes dhe operimit të pajisjeve apo moduleve HË dhe SË në qendrën e votimit duhet të raportohen me saktësi të plotë në qendër, së bashku me një log të plotë të aktivitetit të përdoruesit.

Përfundime

Sistemi Elektronik i Verifikimit mundëson realizimin e objektivit kryesor nëpërmjet identifikimit të rasteve të votimit më shumë se një herë por me një normë të lartë gabimi!

Sistemi Elektronik i Verifikimit  duhet të përdorë informacionin e mbledhur nga  MRZ kur nuk lexohet me sukses pjesa elektronike e kartës apo pasaportës për të ulur normën e gabimit në kufij të pranueshëm. Siguria operacionale e Sistemit Elektronik të Verifikimit duhet të përmirësohet dhe garantohet nëpërmjet forcimit të kontrollit të aksesit në të gjithë pajisjet pjesë përbërëse të sistemit. Ana funksionale e sistemit duhet të përmirësohet për të ngritur transparencën dhe për të lejuar operimin dhe administrimin në nivel profesional në përputhje me kërkesat ligjore. Theksojmë se pothuajse të gjitha problemet e vërejtura gjatë provës së datës 19 Maj dhe të dokumentuara në raportin e datës 24 Maj 2013, dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ishin bërë pjesë e procedurës së testimit të datës 8 Qershor dhe as nuk ishin riparuar, fiksuar apo zgjidhur!

FATMIR TOÇI: QEVERIA SOCIALISTE DO TË PËRKRAHË EMIGRANTËT

Përfaqësia  e PS-së në Bari, ka organizuar një seri takimesh me temën : Vota e emigrantëve dhe kontributi i tyre në Rilindjen e Shqipërisë, ku ka marrë pjesë edhe  Fatmir Toçi, kandidat për deputet i Qarkut të Vlorës. Në një ambient, që pjesëmarrësit e kanë vlerësuar shumë të ngrohtë dhe frymëzues, është diskutuar në mënyrë të hapur mbi programin politik të PS-së për emigrantët shqiptarë. Një pikë  shumë e rëndësishme e këtij programi është padyshim ajo e  të drejtës së votës për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë brenda mandatit të parë katër vjeçarë. Emigrantët janë jo vetëm një burim ekonomik për shtetin e origjinës, ata duhet të jenë edhe një burim politik-tha z.Toçi, i cili  premtoi përkujdesje më të madhe të qeverisë së re për sa i përket këtyre problematikave. Zgjidhja e njohjes së kontributeve për pensione të derdhura në Itali e Shqipëri nga ana e të dy shteteve, lehtësira fiskale dhe ekonomike në transferimin e ndërmarrjeve në shtetin e origjinës dhe tema e ndjeshme e shërbimeve konsullore në Itali kanë pushtuar skenën e debatit midis të pranishmëve. Nuk kanë munguar dhe pyetjet për problemet kulturale dhe integruese. Një pikë e ndjeshme për të gjitha familjet, është mundësia për t’i garantuar fëmijëve të emigrantëve një kanal televiziv me programe tërësisht në gjuhën shqipe, ku të mund të mësojnë gjuhën dhe të dinë më shumë mbi trashëgiminë kulturore. Tema e integrimit është parë nga pikëvështrimi i bashkëpunimit nëpërmjet hapjes së qendrave të kooperimit dhe pjesëmarrjes kulturale dhe sociale në kryeqendrat më të mëdha me përqendrim qytetarësh shqiptarë në Pulia të Italisë që të kthehen e të votojnë në masë në këto zgjedhje politike dhe të vendosin me votë fatin e Rilindjes së atdheut të tyre.

Instituti i Librit dhe i Promovimit “Toena” sot  në promovim libri

Sot në mjediset e Hotel “Mondial”, Instituti i Librit dhe i Promovimit “Toena” do të paraqesë librin “Shkenca e konstruksioneve përgjatë historisë së saj” të Prof. Dr. Niko Pojani, i cili  është lektor i Statikës dhe i Dinamikës së strukturave, si dhe i Inxhinierisë sizmike në Fakultetin e Ndërtimit – UPT. Ka kryer disa specializime (Francë, Itali, Angli, SHBA, Gjermani, Greqi, Maqedoni etj.). Është autor ose bashkautor në shumë artikuj shkencor, brenda e jashtë vendit, si dhe i rreth 15 librave. Interes të gjerë ka patur veçanërisht libri i tij “Inxhinieria sizmike” (Toena, 2003).

RAMA NË BULQIZË: PAS 23 QERSHORIT DO MARRË FUND SKLLAVËRIMI I MINATORËVE

I ndodhur në Bulqizë, qytetin ku nga puna në miniera kanë humbur jetën me dhjetëra minatorë, kreu i PS-së, Edi Rama, premtoi një qeveri që do jetë në anën e punëtorëve, për ti dhënë fund skllavërimit të tyre. Pas 23 Qershorit, Rama tha se do të marrë fund shkelja e kontratave konçensionare që synojnë vetëm grabitjen e nëntokës shqiptare. “Në katër vite unë do jem krah për krah me ju për ti dhënë fund grabitjes së kësaj pasuri kombëtare, për t’i dhënë fund shkeljeve të vazhdueshme në kontratave koncensionare në kurrizin tuaj”,- tha Rama. Në nisje të turit elektoral të kësaj të mërkure Rama ishte në Peshkopi, ku tha se e në  23 Qershor do hapet një faqe e re për Shqipërinë, ku politika do t’i shohë qytetaret jo si zgjedhës, por si njerëz. Në këtë ditëlindje të 22-të të PS-së, Rama mori dhuratë një çifteli në të cilën ishte gdhendur emri i tij dhe i PS-së.

Takimet në Qarkun e Dibrës, Kryesocialisti Rama  së bashku me skuadrën e tij të kandidatëve për deputetë i ka përmbyllur në Burrel. Nga sheshi i këtij qyteti, Kryesocialisti u shpreh i bindur se era e Rilindjes po sjell me vetë shumë njerëz nga jugu në veri, të gatshëm, siç tha ai për ndryshim. Duke premtuar furnizim me ujë për çdo shtëpi dhe vaditje të çdo tokë, Rama u shpreh se, legjenda e ujit nuk do jetë më premtim fushatash në shekullin e 21′. “Më vjen shumë zor që 100 vjet e kusur akoma uji bëhet legjendë elektorale. Legjenda e ujit do zhduket njëherë e mirë nga historia e fushatave elektorale. Ne do ta çojmë ujin kudo që ka një familje dhe një metër tokë pa ujë”, tha Rama, i cili ftoi më tej të gjithë ata që duan rilindje të mos rrinë duarkryq, por të marrin me vete edhe një person tjetër për të votuar më 23 Qershor numrin e çlirimit, 29. “Do t’i japim mundësi familjeve të zakonshme të këtij vendi, që jetojnë me tokën, të mos nxjerrin vetëm mbijetesën por edhe mirëqenie. Ne jemi zotuar dhe me votën e 23 Qershorit do ta ulim koston e prodhimit dhe do lehtësojmë çdo familje që shkon në pazar dhe i dridhet zemra nga çmimet e papërballueshme. Familjet që punojnë tokën do prodhojnë me kosto më të ulët se ne do heqim akcizën e naftës. Nuk jemi vetëm ne në këtë rrugëtim, jo vetëm autobusi jonë, është dhe një katragjysh me antiplumb, me 200 roje, snajperë e shumë autobusë që i shkojnë nga mbrapa për të mbushur sheshet që do ishin të zbrazura. Autobusët i mbush me robër, mësues, prindër që ju ul kokën. Në 23 Qershor do çlirohet njëherë e mirë çdo mësues, nëpunës dhe rrogëtar i këtij vendi, me votën tek numri i çlirimit.