PD i hap derën për bashkëpunim LSI-së

463
Sigal


Debati i lindur mes PS dhe LSI mbi të ardhmen e kësaj të fundit në koalicionin e majtë, pas deklaratës së kryeministrit se LSI mund të rimartohet djathtas, ka shtuar shpresat e Partisë Demokratike se Ilir Meta mund të zgjedhë opozitën. Por edhe Partia Demokratike, ashtu si kryeministri, i kërkoi Metës të zgjedhë. “Ata duhet të zgjedhin se me kë duhet të bëhen. Me qytetarët? Me Ramën? Do të vazhdojnë në rrugën që janë deri në këto momente? Me një qeverisje që haptazi duket që është qeverisja më kundër interesave që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Por ngelet gjithnjë zgjedhja e LSI. Ne sigurisht do të bëjnë betejën tonë dhe aleancën e kemi shpallur me qytetarët. Për të tjerët, duhet të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë, sesi do të jetë qeveria tjetër që do të çojë vendin në zgjedhje”, tha kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka. Duke i lënë LSI derën e hapur, PD thotë se do të nisë protestat dhe nuk përjashton mundësinë e bojkotit të parlamentit, nisur edhe nga rezultati i zgjedhjeve në Dibër, që sipas saj u deformua nga blerja e votës. Pranimin e disa prej kërkesave të opozitës për Reformën Elektorale një ditë më parë nga bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Paloka i quan lojë të kryeministrit për të penguar aksionin e opozitës. “Nuk kemi asnjë besim në vullnetin politik të Ramës për të bërë zgjedhje të lira në këtë vend. Nuk e ndryshon dot asnjë palaçollëk, i kujtdo palaçoje që vë Rama për të bërë lojërat e tij”, tha Paloka. Për Partinë Demokratike pa Dekriminalizimin dhe largimin e Kryeministrit Rama nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.