Ilir Meta: Kuvendi, garant dhe pjesë e mekanizmit që fuqizon integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese

414
Sigal

 

 Zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit tryeza për raportet e parlamentit me institucionet e pavarura

 Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë “Kuvendi dhe Institucionet e pavarura: identifikimi i mekanizmave institucionalë për ndjekjen dhe zbatimin efikas të rekomandimeve të institucioneve të pavarura”.  Të pranishëm ishin Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, përfaqësues të zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Ministrja për Integrimin Evropian, znj. Klajda Gjosha, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Ermonela Felaj, kryetarë të komisioneve parlamentare, përfaqësues të institucioneve të qeverisë, përfaqësues të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, etj. Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, riafirmoi detyrimin kushtetues dhe angazhimin që Kuvendi i Shqipërisë të jetë garant dhe pjesë e mekanizmit që fuqizon integritetin dhe pavarësinë e gjithë institucioneve kushtetuese dhe të pavarura. Duke vënë në dukje problemet që lidhen me praktikën e kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve, mbi të cilën është ngritur dhe hartuar edhe Kushtetuta e vendit, zoti Meta nënvizoi se fryma dhe roli tradicional i individit në raport me institucionet është ende i dukshëm dhe i fortë. “Si në parimet komunikuese, sa më shumë vendimmarrja varet nga një individ aq më shumë dëmtohet pushtetet në përgjithësi institucione, por dhe raportet e ndërveprimit mes tyre dhe po ai dukshëm dhe i ndikueshëm është më pas edhe vullneti institucional që buron nga humoret e ndryshueshme të politikës përballë asaj që dikton Kushtetuta dhe ligji”, theksoi Kryetari i Kuvendit, duke vënë në dukje se më shumë se individë të fortë, demokracia jonë ka nevojë për institucione të forta e të qëndrueshme dhe për një kulturë të bashkëpunimit ndërinstitucional.  “Kjo është një aksiomë e pandryshueshme e çdo demokracie funksionale. Dhënia e llogarisë dhe kërkesa e llogarisë respektimi i ligjit, ndarja e pushteteve dhe ndërvarësia e tyre, me një fjalë kontroll dhe balanca, janë çelësi kryesor i suksesit të përditshëm”, theksoi ai. Kryetari i Kuvendit nënvizoi se është fakt se është shtuar bashkëpunimi dhe komunikimi mes Kuvendit, mekanizmave ligjvënës të tij dhe institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, është rritur informimi dhe transparenca, komunikimi dhe gjithëpërfshirja. “Kjo gjë tashmë është rregull dhe jo përjashtim në konsultimi reciprok dhe tërheqjes së opinioneve përmes seancave dëgjimore por dhe gjatë procesit ligjvënës në fusha të caktuara të legjislacionit”,  theksoi ai, duke nënvizuar se vetëm duke forcuar sistemin e kontrollit dhe ndërveprimit institucional, me gjithë përfshirje dhe transparencë publike, mund të garantohet standardet, besueshmëria dhe përgjegjshmëria, në funksionim e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e prioriteteve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Jo si qëllim në vetvete, por është rruga e vetme për garantimin e standardeve evropiane në çdo fushë për shoqërinë dhe për shtetin tonë”, shtoi Kryetari i Kuvendit, z. Meta. Kryetari i Kuvendit e vlerësoi këtë takim si një mundësi shumë të mirë për të identifikuar mjete dhe mekanizma institucionalë në qasjen ndaj këtij problemi për shqyrtimin e shpejtë të plotë dhe të monitorueshëm në zbatim të raporteve të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura. Zoti Meta theksoi se ky është një rast i veçantë për të diskutuar dhe vendosur standarde të përditshmërisë në mënyrën e trajtimit të këtyre raporteve në mënyrë që të realizohet shqyrtimi sa më shpejtë të jetë i mundur, siç theksohet në progres-raport, por edhe për të realizuar ndjekje të përshtatshme dhe në vijimësi të rezultateve dhe të ndryshimeve që kërkojnë raportet e bashkëpunimit.  “E shkuara sjell edhe shembuj të mirë, por edhe të kundërtën e tyre. Dhe kjo e fundit kryesisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit koordinimit dhe bashkëplotësimit të pushteteve të veçantë dhe të institucioneve të ndryshme”, theksoi ai.  Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori z. Bernd Borchardt theksoi se parlamenti luan një rol të rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut tek qeveritë duke shtuar se një parlament i fortë është sinonimi i një demokracie të fortë. “Besimi i publikut në sistemet e qeverisjes është në rënie kudo në botë; qeveritarët janë detyruar t’i përgjigjen kësaj sfide duke dhënë më shumë llogari para qytetarëve. Parlamenti luan një rol kyç tek kjo me përpjekjet e vazhdueshme të tij për shqyrtime rigoroze. Një Parlament i fortë është sinonim i një demokracie të fortë. Gjithashtu, organet e pavarura, të tilla si agjencia anti-korrupsion, institucionet e auditimit, institucionet e avokatit të popullit, luajnë rol thelbësor për të mbikëqyrur sesa përputhet puna e qeverisë me parimet e qeverisjes së mirë, duke mbrojtur të drejtat e njeriut dhe duke përmirësuar cilësinë e qeverisjes. Mbikëqyrja parlamentare rritet ndjeshëm kur kombinohet me mbikëqyrjen nga organet e pavarura”, theksoi Ambasadori z. Bernd Borchardt.