Berisha thirrje biznesmenëve: Tërhiquni nga bordet e çmimeve, ju ka korruptuar Edi Rama

61
Sigal

Ish-Kryeministri Sali Berisha u kërkon biznesmenëve që janë pjesë e bordeve të çmimeve të ngritura nga qeveria për krizën globale, që të tërhiqen.

Në një konferencë shtypi me gazetarët, Berisha iu drejtua atyre se prania në këto borde është e jashtëligjshme dhe për të mbajtur çmimet nën kontroll duhet vetëm indeksimi i tyre.

Berisha i cilësoi ata si të korruptuar nga Kryeministri Edi Rama dhe paralajmëron se do të përballen me ligjin.

“Thirrje për të gjithë anëtarët e bordeve, largohuni nga bordet. Braktisni bordet sepse po merrni një rol të shëmtuar të mbrojtjes së një qeveria që vetëm vjedh. Unë ju garantoj ju se qëndrimi juaj në këto borde do t’u skalisë me të zeza në memorien e këtij vendi dhe këtij kombi. Çfarë biznesmenësh jeni ju që pranoni në kundërshtim me të gjitha rregullat e tregut në interes të një qeverie dhe një njeriu që vjedh nga mëngjesi në darkë t’u caktoni shqiptarëve çmimet ju? Nga buron kjo fuqi? Kush ja u dha juve këtë? Këto janë praktika staliniste anti-treg, anti-kushtetuese.

Ndaj dhe me praninë tuaj në borde, ju mund të fitoni lehtësira dhe të merrni dhe zarfe por turpëroni veten tuaj dhe bëheni absolutisht nesër përgjegjës para ligjit për këtë veprimtari që kryeni. Çmimet po rriten në mënyrë galopante, bordet po përligjin qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë ndaj rritjes së tyre. Ka vetëm një qëndrim kur rriten çmimet, indeksimi.

Zonja dhe zotërinj që rrini në bordet e përzgjedhura nga Edi Rama, nuk jeni ju indeksimi. Ju shkelmoni mbi qindra mijëra qytetarë që vuajnë nga kjo praktikë anti-demokratike, anti-kushtetuese, anti-treg. Prandaj tërhiquni! Gabuat. Ligji do të jetë ligj. Ju garantoj se sot Edi Rama ju ka korruptuar juve, por përgjegjësia është shumë më e madhe se kaq për ju. Ndaj dhe u kërkoj në emër të PD të largohen menjëherë nga bordet”, deklaroi Sali Berisha.