PD bojkoton “Integrimin”, Balla: Do jenë në gjumë

451
TIRANË – Komisioni Parlamentar i Integrimit diskutoi sot ligjin për “Eficencën e Energjisë”, ku i ftuar për ta prezantuar para deputetëve ishte zv/ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja. Ai deklaroi se nisma e qeverisë parashikon rritjen e investimeve në sistemin energjetik.
“Ligji për Eficencën e Energjisë parashikon rritjen e investimeve në sistemin energjetik. Kemi shlyer të gjitha borxhet ndaj HEC-ve të vegjël. Si dhe kemi rritur në mënyrë të vazhdueshme cilësinë me furnizimin me energji elektrike. Sikurse po shkojmë drejt liberalizimit të tregut për biznesin dhe institucionet, jo atë familjar”, u shpreh Bejtja.
Por gjatë kësaj mbledhje të komisionit të Integrimit munguan përfaqësuesit e opozitës. Nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla u shpreh se mungesa e opozitës është e pajustifikuar, përveç kryetares së Komisionit, Majlinda Bregu e cila ndodhet jashtë shtetit në një konferencë ndërkombëtare.
“Shpreh keqardhjen time për mungesën e opozitës në këtë komision, edhe pse niveli i përfaqësimit është ai i zv/ministrit, por siç duket opozita është në gjumë. Përveç kryetares së komisionit e cila ndodhet jashtë shtetit në një konferencë ndërkombëtare”, u shpreh Balla, duke theksuar se deputetët e mazhorancës janë të detyruar të bëjnë edhe punën e opozitës.
Sigal