PD, Basha: Rama nuk ka më kontratë me qytetarët por me krimin dhe drogën

515
Sigal

Gazeta Telegraf/ Edi Rama dhe krimi janë bërë një sepse Edi Rama erdhi në pushtet
me krimin, po e mban pushtetin me krimin dhe shpreson ta rimarrë me krimin.
Këtë deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin me
drejtues të strukturave të Partisë Demokratike të Devollit. Edi Rama, theksoi
zoti Basha e quan opozitë më të keqe se krimin sepse çdo ditë po fakton para
qytetarëve lidhjet e tij me krimin, mbrojtjen që i jep krimit dhe kthimin 
e Shqipërisë në hambar droge.

Basha : E ka shkelur kontratën me shqiptarët sepse premtoi rend
dhe siguri. Por në fakt erdhi në pushtet me krimin dhe prej asaj dite i shërben
dhe shërbehet nga krimi. Solli kriminelët dhe i bëri anëtarë të 
parlamentit, deputetë, kryetarë të bashkive të vendit, i bëri drejtor të
mëdhenj në polici, në dogana, në tatime, në OSHE duke i kthyer të gjithë këto
organizata që ishin në shërbim të shqiptarëve në organizata të mirëfillta
kriminale. Dhe kur ne denoncojmë ka guxim të thotë se opozita është më e keqe e
krimi. Sigurisht që për Edi Ramën opozita është më e keqe se krimi, se me
krimin drekon, me krimin darkon, me krimin gdhihet, me krimin ngryset, me
krimin i ka të gjithë pazaret. Si mund të jetë opozita më e mirë se krimi, kur
Edi Rama dhe krimi janë bërë njësh me qëllim për të mbajtur pushtetin, për të
bërë më shumë para, për të vjedhur zgjedhjet dhe për të prishur vullnetin e
qytetarëve shqiptarë.

Edi Rama në keto tre vjet, theksoi zoti Basha, i ka shërbyer
vetëm krimit dhe një grupi njerëzish të lidhur me të, të cilët janë pasuruar me
paratë e qytetarëve ndërsa varfëria dhe mjerimi për 90% të shqiptarëve është
shtuar. Edi Rama e ka prishur kontratën me qytetarët duke mos mbajtur asnjë
premtim me të cilin erdhi në pushtet. E si çdo kush që ka sanksione për mos
zbatim të kontratës është koha që edhe qytetarët të largojnë Edi Ramën për
shkelje të kontratës me ta.

Basha: Ky kryeministër mbron ata që janë në kërkim policor,
ndihmon të arratisen ata që janë të dënuar, ulet, drekon, darkon, bën pazare me
kriminelët më të njohur të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Nga ana tjetër
arreston, keqtrajton, dhunon, poshtëron qytetarët e pambrojtur. Ky është shteti
që ka ndërtuar Edi Rama në tre vite. Për njerëzit në nevojë ekonomike nuk ka ndihmë
ekonomike, për pensionistët nuk ka rritje pensioni, për të papunët nuk ka
shanse për punë, për të pambrojturit vetëm kërbaç, për kriminelët shqipëria
është kthyer hambar droge.

Nga njëra anë iu premtoi shqiptarëve që buxhetin do ta kishte
për shqiptarët, për të ulur taksat, për të rritur rrogat, për të rritur
pensionet, për shëndetësinë falas, për legalizime falas . Dhe ditën që mori
pushtetin e shiti buxhetin tek klientët e tij.

Në këtë gjendje ku është vendi sot kemi ardhur sepse Edi Rama ka
shkelur, dhunuar, braktisur kontratën me qytetarët.

Qytetarët shqiptarë e dinë fare mirë se çfarë ndodh nëse dikush
prej tyre, dikush prej nesh nuk arrin të plotësojë dot fjala bie termat e
kontratës me ujësjellësin apo me OSHE, çfarë ndodh?! Pritet uji, priten dritat,
vijnë gjobat, vjen edhe policia.

Po me këta zaberhanë që ka prishur e shkelur kontratën me gjithë
shqiptarët në këto tre vjet. Çfarë do të bëjë populli? Sot jemi përpara një
detyre historike t’i prijmë këtij vullneti popullor dhe të rrëzojmë një orë e
më parë shkelësin e kontratës, të inkriminuarin, të korruptuarin Edi Rama dhe
skotën e tij në qeveri.