“Ligjet” rrëzojnë Presidentin Braho:Nishani tallet me Kuvendin

448
Sigal

TIRANE – Ashtu siç ishte lajmëruar është zhvilluar sot mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku në rend dite ishin përfshirë 4 ligjet e kthyera për shqyrtim nga presidenti Bujar Nishani, mes të cilëve, ligji për shkollën e Magjistraturës, ligji për KLD, ligji për funksionimin e Gjykatës Administrative si dhe ndarja e re administrativo-territoriale. Puna e komisionit nisi me shqyrtimin e dekretit të Presidentit Nishani për ligjin për KLD, i cili pas diskutimeve, anëtarët vendosën rrëzimin e këtij dekreti. Të njëjtën gjë, komisioni i ligjeve vendosi edhe për dekretin e Nishani lidhur me funksionimin e Gjykatës Administrative, ligjin për Shkollën e Magjistraturës, dhe ndarjen e re administrativo-territoriale. Pas rrëzimit të tyre u vendos që këto katër ligje të shkojnë për rivotim në seancën plenare të 17 shtatorit. Ndërkaq, gjatë diskutimeve për dekretin e ndarjes së re territoriale, ishte anëtari i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho i cili u shpreh se “Presidenti Nishani është tallur me Kuvendin”, duke shtuar më tej se ai ka shpërdoruar detyrën duke shkelur Kushtetutën. Braho më tej shprehet se këto relacione janë dëgjuar edhe tre herë të tjera, ndërs ai ka kërkuar Komisionit të mos e zgjasë. Ndërsa anëtari tjetër i komisionit të ligjeve, dhe njëherësh Kreu i Komisionit të Posaçëm për reformën territoriale, Bashkim Fino, i cilësoi dekretet e Presidentit si një gabim trashanik. Duke iu referuar kthimit për hartën e re territoriale, Fino theksoi se Nishani nuk mund të takojë 24 komisare të Partisë Demokratike. Sipas Finos, argumentat e dekretit të Nishanit nuk qëndrojnë lidhur me faktin se nuk janë marrë në konsideratë këshillat e qarqeve, ndërsa shton se nga ndarja e re territoriale nuk janë prekur qarqet. Deputeti socialist nënvizoi se Kushtetuta nuk e ka përcaktuar se si mund të merret mendimi pasi kjo gjë është lënë evazive, dhe kjo është rregulluar me ligj nga mazhoranca aktuale.  Më herët në fjalën e tij kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se ky sesion i ri parlamentar, do të jetë një sesion i ngarkuar për shkak të reformës në drejtësi. Po ashtu Xhafaj ka nënvizuar se përfaqësuesit e Presidencës nuk kanë ardhur në mbledhje të komisionit, pavarësisht se ata janë lajmëruar. Në mbledhjen e sotme, mungoi sërish opozita, e cila vijon të bojkotojë të gjitha komisionet, deri në një vendim të dytë, që siç u tha dje, pritet të shpallet të hënë.  Sot ka startuar edhe sesioni i ri parlamentar, ku në mëngjes u zhvillua edhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku u vendos që ligjet e kthyera nga Nishani të përfshihen në seancën plenare të së hënës.