Partitë MEGA dhe PBDNJ i kthejnë kurrizin njëra-tjetrës

606
Sigal

SARANDË-Partitë e minoritetit etnik grek në Shqipëri, MEGA dhe PBDNJ kanë festuar në një ditë, po jo në një orar dhe jo së bashku. Fillimisht ka festuar MEGA katër vjetorin e themelimit të saj dhe përkujtimin e shpalljes së Pavarësisë së Greqisë. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike në Sarandë, si dhe Tritan Shehu e Spiro Ksera. Ajo që u vu më shumë re në fjalën e kryetarit të MEGA-s, Kristaq Kiço, ishte fakti që kjo forcë politike shumë shpejt nga krijimi i saj u bë faktor i politikës shqiptare, duke marrë pjesë edhe në koalicione të mëdha zgjedhore. Kiço u ka bërë thirrje minoritetit që të hapë sytë e të mos gënjehet nga një grup njerëzish që i përdorin për interesa të ngushta të tyre, duke e lënë minoritetin në mëshirë të fatit. Këtu ka përmendur situatën në komunitet nga vjedhjet dhe dhuna e përdorur tek popullsia minoritare nga grabitësit, ku përpjekjet e MEGA-s qenë të dukshme dhe disa të realizueshme. Z.Kiço edhe njëherë i ka bërë thirrje PBDNJ-së të ulen për bisedime dhe të dalin me konkluzion dhe propozim konkret. Propozimi i tyre është që minoriteti të ketë një njësi vendore për Sarandën dhe një për Gjirokastrën dhe të mos luajnë, duke e përçarë dhe coptuar minoritetin. Në mbrëmje PBDNJ ka organizuar një koncert për festën kombëtare të Greqisë, ku kanë marrë pjesë n/kryetari i Parlamentit shqiptar si dhe kryetar i PBDNJ, Vangjel Dule dhe konsulli i përgjithshëm i Gjirokastrës, Kotrokoi. Kjo ceremoni ka kaluar në kornizat e ritualit të përvitshëm. Por ajo që u vu re në të dyja aktivitetet ka qenë mungesa e konsullit në ceremoninë e MEGA-s, i cili ka dërguar për përshëndetje zëvendësin e tij, ndërsa në ceremoninë e PBDNJ-së është vënë re mungesa e kreut të OMONIA-s, Vasil Bollano, i cili kohët e fundit nuk shfaqet shumë në aktivitete politike të minoritetit në Sarandë. Gjithsesi, përplasja e fundit mes dy forcave politike të minoritetit etnik grek në Shqipëri, MEGA e PBDNJ, është ajo e hartës territoriale, për të cilën kanë shfaqur qëndrime dhe propozime të ndryshme.