Orët vendimtare/ Boris Johnson përballë dy votimeve të rëndësishme për Brexit-in

119

Plani i kryeministrit britanik Boris Johnson për shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian përballet me dy votime të rëndësishme në parlament të martën.

Ligjvënësit do të mblidhen të martën në mbrëmje për të miratuar Marrëveshjen e Tërheqjes së kryeministrit Johnson, që në parim do të miratonte marrëveshjen e udhëheqësit britanik për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Nëse projektligji miratohet, deputetët më pas do të votojnë për një projekt-ligj të veçantë që përcakton një program të shpejtë tre-ditor për miratimin zyrtar të legjislacionit.

“Publiku nuk dëshiron më vonesa, as udhëheqësit evropianë dhe as unë,” tha Johnson të hënën. “Ta realizojmë Brexit-in më 31 tetor dhe të ecim përpara.”

Nuk është e qartë nëse qeveria i ka votat ose kohën e mjaftueshme për të miratuar legjislacionin përpara datës së planifikuar të shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, të enjten e ardhshme.

Johnson arriti një marrëveshje të befasishme për Brexit-in me 27 vendet e tjera të BE-së të enjten e kaluar, por ligjvënësit votuan për ta shtyrë mbështetjen e tyre për marrëveshjen derisa legjislacioni të qartësojë kushtet e ndarjes së Britanisë nga BE-ja pas 46 vitesh anëtarësimi. Ata miratuan gjithashtu një masë që e detyroi Johnsonin t’i dërgonte një letër BE-së duke kërkuar një shtyrje të Brexitit deri më 31 janar, të cilën ai nuk e nënshkroi. Ai dërgoi një tjetër letër të nënshkruar, duke thënë se kundërshtonte çdo vonesë.

Johnson u përballë me një pengesë tjetër të hënën, kur kryetari i parlamentit John Bercow nuk lejoi që parlamenti të mbante një votim të ri për Brexit-in.

Ligjvënësit britanikë po debatojnë nëse shkëputja nga BE-ja duhet të bëhet me një marrëveshje me vendet e tjera të BE-së, pa marrëveshje apo me një tjetër referendum. Votuesit britanikë e favorizuan ngushtë Brexit-in në një referendum të vitit 2016, por udhëheqësit britanikë nuk kanë arritur që prej asaj kohe të hartojnë një plan të shkëputjes nga BE që do të merrte edhe mbështetjen e parlamentit britanik.

Ish-kryeministrja Theresa May dha dorëheqjen pasi parlamenti tre herë votoi kundër propozimeve të saj për Brexit-in, duke i hapur rrugën ardhjes së Boris Johnsonit në krye të qeverisë.

Vonesat e vazhdueshme kanë çuar në rritje të zemërimit të zyrtarëve të BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha në një takim të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, se vonesat e Brexit-it në Londër ishin “një humbje kohe dhe energjie” për BE-në, dhe se Parlamenti Evropian nuk mund të ratifikojë marrëveshjen deri sa parlamenti britanik ta bëjë këtë./ VOA