Oligarkët e pushtetit nisin shantazhet ndaj familjarëve të kandidatëve për kryebashkiakë

261
Sapo janë zyrtarizuar kandidaturat edhe nga partitë e tjera politike, që nuk janë në aleancë me maxhorancën, mirëpo në prapaskenat e pista, kanë filluar të presionet, shantazhet e pushtetarëve që kërkojnë ndaj këtyre kandidatëve të tërhiqen dhe t’u lënë fushën e lirë kandidatëve të tyre. Në rastet kur ky presion i drejtpërdrejtë nuk jep rezultat, atëhere pushtetarët, zbatojnë skenarin e dytë mafioz të shantazheve. Gërmojnë dhe zbulojnë për kandidatin që duan ta heqin qafe, se kë njeri ka të punësuar në shtet. Dhe pasi e gjejnë, fillon goditja mafioze.
Vëllai i kandidatit, transferohet nga SHKB e Burgjeve në Tiranë, për në Veri
Ramiz Oboni është kandidati i Frontit të Majtë për kryetar i Bashkisë së Kuçovës. Siç dihet, Fronti i Majtë, edhe pse në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ishte në koalicionin e së Majtës, në këto zgjedhje, do marrë pjesë si forcë partiake e vetme, sepse, siç ka deklaruar kryetari i Frontit të Majtë Marko Dajti, del kundër politikës së ndjekur deri tani nga qeveria, e cila, sipas tij ka çuar në një varfërim të tejskajshëm të popullsisë. Dajti e quan largimin nga koalicioni si domosdoshmëri, ndërsa qeverisjen si jopopullore. Vëllai i kandidatit Ramiz Oboni për bashkinë e Kuçovës, Ilir Oboni është punonjës i SHKB-së së burgjeve këtu në Tiranë. Mirëpo, këto ditë atij i jepet urdhëri i transferimit për në një nga qytetet e Veriut. Arsyeja e transferimit të punonjësit të SHKB-së së burgjeve Ilir Oboni nga Tirana, është kandidatura e vëllait të tij në bashkinë e Kuçovës.
Ultimatumi: Bind vëllanë tënd të heqë kandidaturën nga Kuçova
Urdhëri i transferimit të punonjësit të SHKB-së së burgjeve Ilir Oboni nga Tirana në një qytet verior, është shoqëruar me një ultimatum me gojë nga eprorët e tij. “I thuaj vëllait tënd të heqë kandidaturën nga Bashkia e Kuçovës, që të të rikthejmë sërish në Tiranë. Ndryshe…”. Kaq i paskrupullt është presioni dhe shatazhi që bëjnë drejtuesit e burgjeve në Tiranë, ndaj punonjësit të tyre, saqë e paralajmërojnë edhe për flakjen nga puna, nëse transferimi nuk e bind vëllanë e tij Ramiz Oboni të tërhiqet nga kandidimi si kryebashkiak në Kuçovë. 
Diskriminim politik, përse heshtin ambasadat?
Ky presion dhe shantazh shtetëror ndaj një punojësi të SHKB-së së burgjeve nga eprorët e tij, është një diskriminim moral, shpirtëror, që i bëhet jo vetëm një punonjësi, por gjithë punonjësve të administratës publike. Ky kërcënim shtetëror është edhe manipulim i hapur edhe i procesit zgjedhor, që pushteti ushtron ndaj qytetarëve dhe ndaj lirisë së votimit. Ndaj edhe organizmat ndërkombëtare në Shqipëri, që nga OSBE-ja dhe ambasadat e tjera të SHBA-ve, të vendeve të BE-së, duhet të reflektojnë dhe të mbrojnë në këto raste, jo thjesht qytetarin, punonjësit e shtetit, por duhet të garantojnë edhe proces zgjedhor të lirë, me standarte, të barabartë për të gjithë. Ky presion dhe shantazh që i bëhet vëllait të kandidatit Ramiz Oboni, është i barabartë me një krim politik, nga njerëz të inkriminuar në pozita shtetërore, që keqpërdorin pushtetin që u është besuar, ndaj qytetarëve, ngaqë e ndjejnë veten e tyre, si oligarkët e pushtetit. Menjëherë, duhet të ndërhyjë edhe ambasada amerikane dhe të mbrojë qytetarët shqiptarë nga shantazhet dhe kërcënimet e oligarkisë së pushtetit dhe të garantojë një proces zgjedhor të qetë, të barabartë. Është ironi politike, që Ministri Bushati pardje u takua në Uashington me Sekretarin e Shtetit Xhon Kerri, ndërkohë që në Shqipëri, pushtetarët, duke kërcënuar nëpunësit e shtetit, cënojnë procesin zgjedhor, manipulojnë votën e lirë dhe demokratike. Sa vlera kanë marrëveshjet që nënshkruan Ministri Bushati me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, kur në Shqipëri pushteti kërcënon çdo nëpunës shteti nëse nuk voton oligarkët e pushtetit. Ndoshta Ministri Bushati në SHBA ka veshur kostumin e demokratit, ndërsa pushteti i tij në Shqipëri vepron me ideologjinë komuniste të babait të tij, derisa konsideron kundërshtarin në zgjedhje si armikun e tij. 
Drejtoresha e spitalit në Berat Valbona Papa, kërcënon djalin e kandidatit
Pushteti, si një oktapod mafioz, ka shtrirë tentakulet e saj ndaj çdo familjari të kundërshtarit të tij politik, për ta mbytur. Kandidati i Frontit të Majtë për bashkinë e Kuçovës, ka djalin e tij, Julian Oboni kryeinfermier në spitalin e Beratit. Drejtoresha e këtij spitali, Valbona Papa, e emëruar me kritere partiake, e paaftë që të menaxhojë punën në spital, por shumë e zellshme dhe e aftë që të zbatojë çdo urdhër partie e të luftojë çdo “armik” partiak, thërret kryeinfermierin Julian Oboni dhe e paralajmëron që t’i thotë babait të tij, Ramiz Obonit, që të heqë dorë nga kandidatura për bashkinë e Kuçovës, se nuk duhet që partia e saj, të hubasë asnjë votë, ose në të kundërt, do ta flakin nga puna. Drejtoresha e quan spitalin se është biznes partie dhe këto punonjës të spitalit, ajo mund t’i trajtojë thua se janë gurë shahu. 
Drejtoresha Valbona Papa pohon për “Telegraf”: E thirra kryeinfermierin, për …mungesë sorumi.
Drejtoresha e spitalit të Beratit, Valbona Papa në një prononcim për gazetën “Telegraf” e pohon se e ka thirrur këto ditë kryeinfermierin e spitalit Julian Oboni, dmth, pasi u zyrtarizua kandidatura e babait të Julianit për bashkinë e Kuçovës dhe jo më përpara. Por, drejtoresha Valbona Papa, pohon për “Telegraf” se e thirri kryeinfermierin Julian Oboni në zyrën e saj jo për ta “këshilluar” që babai i tij të heqë kandidaturën nga Bashkia e Kuçovës, por për ta informuar për mungesën e sorumit. Kur e pyetëm, nëse kjo mungesë e sorumit në spital është përgjegjësia e kryeinfermierit, që ta thërrasë ajo, si drejtoreshë në zyrën e saj, veçmas nga të tjerët, Valbona Papa na përgjigjet se e thirri që ai të sqarojë të tjerët…Pra, drejtoresha Valbona Papa, jo vetëm që është e paaftë të drejtojë e të menaxhojë një spital, por edhe e “paaftë” që të justifikohet për çfarë arsye puneje e thirri kryeinfermierin Julian Obonin në zyrën e saj këto ditë dhe jo më parë. Sepse kushdo mund të qeshë me drejtoreshën e spitalit në Berat Valbona Papa, derisa për gazetën “Telegraf” pohon se e thirri për mungesë sorumi, edhe pse kjo nuk është përgjegjësi e kryeinfermierit. Kjo është oligarkia e pushtetit, që si oktapod, kërkon të mbyt çdo kundërshtar politik, kur ai nuk i bindet urdhërit, që të dorëhiqet nga kandidatura që dëmton partinë e pushtetit. Presioni dhe kërcënimi për vendin e punës, që ushtron oligarkia e pushtetit, si me drejtuesit e burgut që transferojnë vëllanë e kandidatit Ramiz Oboni, si me drejtoreshën e spitalit Valbona Papa që kërcënon kryeinfermierin e saj, për largim nga puna, nëse babai nuk tërhiqet nga gara elektorale, është shembull i qartë, sesi manipulohet procesi zgjedhor, si deformohet vota e lirë.