“Nuk votojmë në rast se nuk vendoset shtatorja e Komandantit”

595
I ndodhur në skajin më lindor të Elbasanit, fshati me histori të madhe (ndoshta dhe spontane për atë kohë) Labinot – Mal, ka prej 65 vitesh një lidhje e cila duket më shumë se organike me ish-udhëheqësin komunist Enver Hoxha. Lidhja e Hoxhës me fshatin e largët Labinot – Mal, lidhet me takimet e para që nisin qysh 10 korrikut 1943 dhe kanë vazhduar deri vonë në vitet ’70. Të shkosh drejt fshatit malor të Labinot – Mal, nuk është e lehtë, por kjo nuk e justifikon harresën e pushtetit lokal dhe atij qendror, ndërkohë që zyrat e komunës janë transferuar prej vitesh në fshatin Shmil, 2 orë larg nga tij. 
Nostalgjia për Enver Hoxhën
Ardhja e fushatës elektorale të 21 qershorit, ka rizgjuar sërish tek banorët e fshatit malor të Labinot -Mal, ndjenjën e vjetër të ringritjes dhe vendosjes së shtatores së Enver Hoxhës, e cila prej 24 vitesh ndodhet në një plevicë e mbuluar me kashtë. Atë e mban të fshehur, por edhe në ruajtje si një pasuri të shtrenjtë, një fshatar tre brezash komunist dhe që e ruan me fanatizëm. Labinot – Mal, Guri i Zi, Shmili, janë fshatra që furnizojnë me ujë të pijshëm të gjithë zonën përreth, 25 kilometër larg Elbasanit, por atje ka mungesë të infrastrukturës. Ramazan quhet fshatari që prej 24 vitesh tregon histori me Komandantin, dhe ruan ashtu si shtatoren e tij në plevicë, edhe kujtimet nga takimet dhe drekën e shtruar për nderin e tij në 25 vjetorin e Konferencës në 10 korrik 1968. Fshatarët që vazhdojnë ende të jetojnë në Labinot – Mal janë gjithmonë në lëvizje dhe do t’i takosh çdo ditë mke mushka ngarkuar me dru, me produkte ushqimore bio që i shesin në Elbasan. Por, duke u kthyer tek fushata elektorale e 21 qershorit 2015, konstaton sërish se labinotasit, njerëzit bujarë dhe besnikë, kërkojnë sërish vendosjen e shtatores së Enverit në sheshin e fshatit. Ndoshta është i vetmi fshat që mbi 99 per qind të banorëve i të lidhur me të majtën, ose më saktë me komunistët.
Braktisja nga qeveritë
Sot fshatarët e Labinotit ndihen se janë braktisur tërësisht nga qeverisjet e 24 viteve të demokracisë. Në kkëto vite, nuk është bërë asnjë investim për ata, nga asnjë qeveri, madje, edhe rruga sot është prishur dhe për të mbërritur në qytet, fshatarët duhet të udhëtojnë vetëm me këmbë, me orë të tëra. Nuk ka shërbim shëndetësor, shkolla po rënohet. Kjo harresë dhe kushtet e jetesës, që për banorët e Labinotit përditë bëhen edhe më të vështira, deri në ekzistencën e tyre, i ka detyruar fshatarët, që të kenë nostalgji për kohën e lumtur që jetuan në socializmin e Komandantit të Luftës, Enver Hoxha. Ndaj sot, ata kërkojnë që ta nderojnë Komandantin, duke i ngritur bustin në fshatin e tyre. Fshatarët shpesh kanë ftuar edhe krerët e tre partive komuniste që ka sot Shqiperia, dhe kanë kërkuar nga ata ndihmën për ringritjen e shtatores së Komandantit, por ashtu siç shprehet edhe Ramazani “vijnë këtu, premtojnë, flasin fjalë të mira për Enverin, dhe pastaj thonë se nuk kemi aq fuqi ligjore ta realizojmë atë gjë”. Por ata janë të vendosur, pavarësisht se dikush u thotë se “koha ju ka lënë mbrapa”, ta vendosin shtatoren sipas rregullave me prezencën e shtetarëve, ndryshe nuk do të votojnë masivisht në 21 qershor”. 
Fshati ku u mbajt konferenca e Labinotit
Labinot – Mal është fshati ku u mbajt Konferenca e cila formoi në fund të punimeve të saj edhe Shtabin e Përgjithshëm të UNÇL. Dhoma ku dikur janë mbajtur mbledhjet gjendet në hollin e katit të dytë të shtëpisë së Bahollëve, por sot kanë mbetur si relike, karriget dhe tavolinat që organizatorët përdorën për të improvizuar sallën. Shtëpia ka edhe sot të ruajtur dhomën ku ka vjetur Enver Hoxha gjatë vitit 1943, një dhomë e rrënuar me dërrasa të kalbura që mund të shemben nga çasti në çast. Në atë dhomë, nuk ka mbetur asnjë dëshmi materiale. Shtëpia ka shërbyer si muze, dëshmitarët e pohojnë këtë. Dhoma e Hoxhës, ndryshe nga të tjerat nuk ka vatër. Shtatorja e Enver Hoxhës ruhet atje në Labinotin e largët në plevicën e asaj shtëpie muze. Në dhomat pa dritare të shtëpisë gjenden kudo sende të hedhura, por shumica e tyre u grabitën pas vitit ‘91, kryesisht armët dhe faksimilet e vendimeve të Konferencës së Dytë të Labinotit. E vetmja gjë me vlerë historike që duket se ka mbetur nga plaçkitja, është flamuri origjinal i përdorur në mbledhjet e Këshillit Antifashist në vitin 1943. Edhe pse ai është hedhur shuk në një prej dhomave të shtëpisë, sërish zgjon tek labinotasit e vjetër kujtime të bukura të atyre viteve.
Adriatik Alimadhi, kryetari i Ballit Kombëtar: Të ngresh bustin e Enverit, dëmton proceset demokratike, përçan unitetin kombëtar
Po siç kanë vajtur punët, Shqipëria nga kriminelët është drejtuar dhe me këtë propozim ky mentalitet dëmton proceset demokratike, dëmton frymën e bashkimit dhe të vëllazërimit midis shqiptarëve, më këtë gjuhë dhe me këto veprime nuk do të ketë kurrë pajtim kombëtar. Enver Hoxha do të ngelet krimineli më i madh i gjithë botës, shqiptarët duhet të mendojnë dhe veprojnë me një ndërgjegje të qetë dhe të kthjellët dhe duhet si e si që të gjejnë rrugën e bashkimit dhe jo të ndarjes, frymën e dashurisë dhe jo të urrejtjes, frymën e urtësisë dhe ndërgjegjësimit të një morali kombëtar. Ka perënduar koha e kriminelëve, është koha e ideve dhe e mendimeve të lira demokratike dhe kjo komune dhe ky këshill duhet të orientohen drejt proceseve që kërkojnë integritet në shoqërinë shqiptare dhe janë dobiprurëse për kombin. Këto janë mendime të mentalitetit të së shkuarës dhe me kohë do eleminohen edhe këto pak mendime dhe shqiptarët do të gjejnë rrugë të tjera pajtimi dhe do t’i japin dorën njeri tjetrit si shqiptarë të denjë në familjen europiane.
Simon Mirakaj, kryetari i Shoqatës të ish të Përndjekurve Antikomunistë: Është marrëzi të ngresh bustin e diktatorit më të egër
Unë shpreh mendimin jo vetëm të ish të përndjekurve, por edhe të gjithë atyre që kanë aspiruar për demokraci dhe liri. E quaj absurde të mendosh të ngresh sot bustin e diktatorit, një ndër diktatorët më të egër që ka njohur historia e popullit shqiptar dhe një ndër diktatorët më të egër të Europës Lindore. Të ngresh bustin e një njeriu që ka vrarë me mijëra kundështarë të tij politikë, me mijëra të burgosur, me mijëra familje të internuar, janë mbi 4.000 të pushkatuar, që nuk u dihen varret sot, është e paimagjinueshme që ta mendosh që ta ngesh, e jo më të veprosh. Të mendosh për këtë, është një marrëzi. Është e turpshme. 
Marko Dajti, kryetari i Frontit të Majtë: Busti i Enver Hoxhës është simbol. Të mblidhemi bashkë e të përmbysim këtë klasë politikanësh
Kam marrë njoftim se banorët e zonës së Labinotit kërkojnë rivendosjen e bustit të Enver Hoxhës në këtë zonë. Janë lodhur nga 25 vjet të keqqeverisjes nga kjo klasë politike që sa vjen e bëhet më kriminele, më e korruptuar, më e papërgjegjshme, më e pandjeshme ndaj halleve të tyre. Edhe në kohën e socializmit ata banorë kanë patur halle e vështirësi, nuk ka qenë shesh me lule, por të paktën kanë patur punë dhe bukë për të ngrënë, kanë patur shkolla e arsimtarë, kanë patur qendër shëndetësore e mjek te koka dhe, mbi të gjitha, kanë patur një qeveri që ua dinte hallet. Edhe shpresa e tyre e fundit vdiq bashkë me Rilindjen e Ramës, që nuk u ka sjellë asgjë të mirë, asgjë ndryshe. Unë e mbështes plotësisht kërkesën e tyre të ligjshme dhe u them edhe më shumë: të mblidhemi të gjithë bashkë dhe ta përmbysim këtë klasë politikanësh që po na marrin shpirtin. Por do të doja t’u thosha edhe diçka më tepër: Nuk është busti i Enver Hoxhës që do t’ua ndryshojë jetën. Ai është vetëm një simbol. Ndryshimi fillon te vetë ne. Kur të gjithë këta të vuajtur ta kuptojnë se nuk shkëmbehet vota me një thes me miell, kur të gjithë këta të shtypur ta kuptojnë se shumë vota të mbledhura bashkë janë grushti ynë i përbashkët kundër mjerimit, atëherë me atë grusht do t’i fshijmë nga faqja e dheut gjakpirësit, do të vijmë ne në pushtet që ta ndryshojmë jetën tonë, të ardhmen tonë.
Sigal