Nuk ka dorëheqje, ministrat teknikë delegojnë kompetencat

194
Zbulohen urdhrat/ Ministrat e Brendshëm dhe të Financave ngarkojnë zëvendësat për ushtrimin e detyrës, por nuk largohen nga qeveria
Parashikohej të qëndronin vetëm një muaj në detyrë për të garantuar mospërfshirjen e administratës në procesin zgjedhor, por dashuria e ministrave teknikë me kolltukun zyrtar ka qenë e madhe. I përfolur prej javësh, largimi i tyre nga qeveria nuk po ndodh. E paralajmëruar, si nga kryeministri Rama, edhe nga kryeopozitari Basha, dorëheqja e 7 anëtarëve të kabinetit është shtyrë në kohë. Fillimisht ishte Rama që deklaroi se 26 qershori nuk do t’i gjente ministra të propozuarit e Bashës, në bazë të marrëveshjes politike të 18 majit. Por kështu nuk ndodhi. Edhe më pas Rama deklaroi se priste dorëheqjet dhe kërcënoi se do të vepronte nëse “të shtatët” nuk largoheshin. As kështu nuk ndodhi. Pak javë më parë ishte Basha që paralajmëroi dorëheqjet, duke thënë se ministrat teknikë do të mbyllnin një raport për zgjedhjet dhe do të largoheshin. As kjo nuk ndodhi. Kur jemi 50 ditë larg ditës së zgjedhjeve, raporti për sjelljen e administratës nuk po shfaqet. Ajo që e bën edhe më të mistershme dorëheqjen e ministrave teknikë është heshtja e plotë e kryeministrit Rama. Prej javësh, ai nuk po e përmend më handikapin që ka qeveria e tij, ndonëse zëvendësimi i tyre do të ishte një kokëçarje shtesë për Ramën, pasi do t’i nevojitej mbledhja e Kuvendit “të vjetër”, ku Partia Socialiste nuk ka luksin që do t’i dhurojë Kuvendi i ri i fillimshtatorit për të qeverisur e vetme. 

Urdhrat
Pikërisht kur debati për dorëheqjen ose jo të ministrave teknikë po dendësohet, vetë anëtarët e qeverisë shfaqen të qetë. Për më tepër, dy prej tyre kanë firmosur urdhra për delegimin e kompetencave, si shumë titullarë institucionesh në kohën e pushimeve verore. “Urdhëroj delegimin e plotë të kompetencave të titullarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, znj. Rovena Voda, nga data 7.8.2017 deri më datë 25.8.2017. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, znj. Rovena Voda”, thuhet në urdhrin e ministrit Dritan Demiraj. Pasi u përlesh për ditë me zjarret anëembanë vendit, Demiraj është dorëzuar dhe është larguar. Por jo duke dhënë dorëheqjen. Të njëjtën gjë ka bërë edhe kolegia e tij e Financave. “Urdhëroj delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Financave, zëvendësministrit të Ministrisë së Financave, z. Erjon Luçi. Kompetencat e titullarit të Ministrisë së Financave do të ushtrohen për periudhën 3.8.2017 deri më 17.8.2017. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet zëvendësministri i Ministrisë së Financave, z. Erjon Luçi”, thuhet në urdhrin e ministres Helga Vukaj. Në këtë mënyrë, Demiraj dhe Vukaj ua kanë kaluar kompetencat zëvendësministrave përkatës dhe pritet të rikthehen në detyrë më 25 dhe 17 gusht. 
Lista
1 – Ledina Mandija, zv/kryeministër
2 – Dritan Demiraj, ministër i Brendshëm
3 – Helga Vukaj, ministre e Financave
4 – Mirela Karabina, ministre e Arsimit dhe Sportit
5 – Gazment Bardhi, ministër i Drejtësisë
6 – Xhulieta Kërtusha, ministre e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë
7 – Arben Beqiri, ministër i Shëndetësisë