Njiazi Jaho: Standartet në zgjedhje, element i rëndësishëm për forcimin e demokracisë

434
Partitë politike, sa herë zhvillohen zgjedhjet, janë ato që shpërfillin standartet zgjedhore, duke i shkelur, duke cënuar votimin e fshehtë dhe të lirë, pasi duan me çdo kusht, që të fitojnë ndaj kundërshtarit, pavarësisht çmimit ( monetar dhe demokratik) që paguhet për këtë fitore. Nga ana tjetër, edhe faktori ndërkombëtar, përherë sillet, si të jetë thjesht një arbitër i fushatës zgjedhore, ku më shumë se çdo gjë, u intereson, që rezultati zgjedhor të jetë i pranueshëm nga palët, dhe nuk bëhen merak, sa janë zbatuar standartet demokratike të zgjedhjes dhe ndihen të qetë nëse nuk ka kontestime të fuqishme e rrëmuja. Njiazi Jaho, konstitucionalisti i njohur, në intervistën për gazetën “Telegraf”, thekson se çfarë kuptohet me standarte, cilat elementë përbëjnë këto standarte. Sipas zotit Jaho, kryesorja në zgjedhje, është që të arrihen standartet, sepse ato janë element i rëndësishëm i forcimit të demokracisë. Sipas konstitucionalistit Njazi Jaho, edhe pse KQZ, ZAZ dhe KQV zgjidhen nga anëtarë që përfaqësojnë raporte të caktuara të partive politike, sipas Kodit Zgjedhor, ata janë të detyruar të zbatojnë vetëm ligjin dhe jo urdhërat partiakë. Element arritjes së standarteve, pohon zoti Jaho, është që të dënohen e të ndërshkohen penalisht dhe menjëherë të gjithë ata që shkelin barazinë e zgjedhjes, votën e fshehtë e të lirë. 
-Zoti Jaho, Komisioneri për Zgjerimin e BE Johannes Hallke, duke iu referuar zgjedhjeve të 21 qershorit, apeloi që ato të zhvillohen sipar standarteve. A mund të bëni të qartë se çfarë përfshihen në këto standarte?
Ndonjë recetë shteruese se cilat janë kushtet dhe kriteret që zgjedhjet periodike të vlerësohen nëse përmbushin ose jo standartet që kërkohen, mendoj se nuk ka. Arritja e standarteve kushtëzohen nga disa faktorë, siç janë: kultura dhe emacipimimi demokratik, organizimi i mirë i zgjedhjeve, konsolidimi i konceptit se është sovrani që zgjedh përfaqësuesit në organin legjislativ dhe organet e qeverisjes vendore, transparenca dhe zbatimi i ligjit. E, megjithkëtë, ka disa parime, që duhen njohur dhe respektuar, në gjithë procesin zgjedhor. Ato janë sanksionuar jo vetëm në Kushtetutë, por edhe në dokumente të tjera ndërkombëtare. Neni 45 i Kushtetutës kërkon vendim vetiak, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë. Neni 1 dhe 3 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Dokumenti i Kopenhagenit i vitit 1990, Kodi i Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore, të miratuar nga Komisioni i Venecias. Në këto dokumenta sanksionohen parimet bazë, me të cilat duhen të zgjidhohen zgjedhjet e lira dhe demokratike. Parimet që zbërthehen në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore njihen si baza e trashëgimisë elektorale europiane. Shpesh në raportet e OSBE/ODIH-it lidhur me zgjedhjet në vendin tonë, kur i referohen shkeljeve që kanë të bëjnë me parimet, përmendin Dokumentin e Kopenhagenit dhe Kodin e Mirë të miratuar nga Komisioni i Venecias.
– Çfarë nënkupton votimi vetiak?
-Kjo ka të bëjë me barazinë për të drejtën në votim. Zgjedhësi ka të drejtën e një vote, të votojë vetëm një herë. Është e ndërshkueshme, nëse një zgjedhës voton në 2 qendra votimi. Prandaj në Kodin Zgjedhor thuhet që emri i zgjedhësit duhet të figurojë vetëm në një qendër votimi. Ndaj, del e nevojshme që listat e zgjedhësve të jenë të sakta, ndërsa mungesat e parregullsitë të korrigjohen në kohën e duhur. Është shkelje e ndërshkueshme, nëse një person psh, voton në vendbanimin e tij aktual dhe voton sërish edhe në vendbanimin e mëparshëm. Nëse këto raste janë të shumta, ky lloj manipulimi mund të ndikojë në shprëndarjen e mandateve. 
– Po mundësi e barabartë, ç’duhet kuptuar?
Legjislacioni ynë zgjedhor bazohet në Kodin Zgjedhor. Të detyrueshme janë edhe udhëzimet e KQZ që mbështeten në dispozitat përkatëse të këtij Kodi, i cili duhet të ndërtohet në atë mënyrë që të mundësojë shanse të barabarta, si për partitë (subjektet zgjedhore), edhe për kandidatët, qofshin këta edhe të pavarur. Është i justifikueshëm dhe i ligjshëm financimi në mënyrë propocionale i subjekteve zgjedhore, por nëse synohet që financimi i disave të jetë në dëm të të tjerëve, kjo krijon pabarazi gjatë fushatës dhe në mjetet e propagandës, prandaj kërkohet transparencë, informacion dhe kontroll për të gjitha financimet e të ardhurat që lejon Kodi Zgjedhor. Sipas nenit 79 të Kodit Zgjedhor, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore cakton në mënyrë të drejtë dhe të paanshme vendet publike për administrimin e materialeve propagandistike, ndërsa KQZ miraton me udhëzime të veçanta, kriteret për përzgjedhjen e këtyre vendeve. Sipas disa sondazheve të pjesshme, rezulton se neni 79 i këtij Kodi nuk është zbatuar. Kjo ngaqë fushata zgjedhore ka filluar para kohe, por nuk përjashtohen edhe arësye të tjera. Nga moszbatimi i kësaj dispozite, përsëri mund të shkaktohet pabarazi, duke mos përjashtuar edhe rastet e ndonjë incidenti ( heqje, grisje, etj). Në Kodin e miratuar nga Komisioni i Venecias, duke trajtuar këtë çështje, thuhet se në përputhje me lirinë e shprehjes, dujet që pjesëmarrësit në zgjedhje të kenë të paktën një pasqyrim minimal të fushatës dhe reklamave të tyre, në mnëyrë që të garantohet barazie në shanse. 

– Si mund të garantohet liria për të votuar?
Ushtrimi i së drejtës së votës është sanksionuar në Kushtetutë. Zgjedhësi ka të drejtë të votojë për atë subjekt zgjedhor, që ka jo vetëm alternativën më të mirë, por që ka besim se ato që thuhen dhe propagandohen, do të bëhen realitet. Premtimet e fryra. Ose të parealizueshme, zgjedhësit i kuptojnë. Ka raste që ato kthehen në boomerang, sepse lëkundet besimi i zgjedhësve. Është e natyrshme, që çdo subjekt zgjedhor të kërkojë mbështetjen e zgjedhësve. Mirëpo ndërgjegjësimi i zgjedhësve sa vete e rritet. Ky fakt, mendoj, se duhet patur parasysh. Zbatimi rigoroz i ligjit krojon garanci për votën e lirë. Në Kodin Zgjedhor ka një kapitull të veçantë që dënon veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Duhen dënuar shpejt dhe ashpër ata që pengojnë vullnetin e zgjedhësve për të votuar lirisht, kërcënimet e presionet që mund të bëhen njerëzve për të mos votuar, ose për të votuar për një subjekt të caktuar. Nëse ndodhin raste të tilla, vetë zgjedhësi duhet t’i denoncojë, por mund të ketë edhe raste që të ndiqen penalisht, me iniciativa edhe nga organet e prokurorisë. 
– Cila është përshtypja juaj për fushatën zgjedhore që zhvillohet tani?
Kuptohet, fushata nuk mund të jetë krejtësisht e qetë, si në vaj, por në zbatim të Kodit Zgjedhor, ajo duhet të jetë e ligjshme. E drejta për propagandim të lirë, përjashton gjuhën e urrejtjes dhe provokacionet, që mund të çojnë në incidente të panevoshme dhe të ndëshkueshme. Pardje dëgjova ballafaqimin e kandidatëve për kryebashkiakë në Shkodër. Mendoj, se kjo ishte pozitive. 
– Në zgjedhjet e mëparshme a ka patur shkelje të parimit që vota të jetë e fshehtë?
“Për zgjedhësit – thuhet në Kodin e miratuar nga Komisioni i Venecias – fshehtësia e votimit nuk është vetëm një e drejtë, por edhe detyrë, mospërmbushja e së cilës duhet të ndërshkohet me skualifikim e çdo flete votimi, kur zbulohet përmbajtja e saj”, dhe më poshtë, thuhet: “Votimi duhet të jetë mbi baza individuale. Votimi si familje dhe çdo lloj forme kontrolli i zgjedhësit ndaj votës së tjetrit, duhet të ndalohet”. Po të hedhësh një sy raporteve të OSBE/ODIH-it për zgjedhjet në Shqipëri për periudhën 2001-2013, ka kritika për votimin familjar. Kam mendimin se në raste të tilla, përgjegjësia kryesore dhe e ndërshkueshme nga ligji bie mbi KQZ. Prandaj, do të sugjeroja që në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, nëse vërtetohen raste të tilla, të ndiqen penalisht. Ligji lejon personin që nuk ka mundësi fizike të votojë vetë, mund të ndihmohet nga një tjetër, qoftë pjesëtar i familjes, qoftë zgjedhës, që ndodhet në ambjentet e qëndrës së votimit dhe që figuron në listën zgjedhore të kësaj qëndre votimi. Kodi Zgjedhor ndalon fotografimin e votës. Po përse në ndonjë rast të rrallë, ka ndodhur kjo? Sepse zgjedhësi nga dikush jashtë qëndrës së votimit, është kanosur apo joshur për të vepruar kështu, sepse ai (kanosësi apo joshësi) për t’u siguruar, i kërkon atij dokument për të vërtetuar se e ka zbatuar porosinë e tij. Ndërgjegja e prishur çon në këtë rast, në cënimin e ligjit. 
Sigal