Nishani: Si kërkoi Vlahutin arrestimin e Berishës

165
Ish-presidenti i Republikës rrëfen bisedat me ish-kryeprokurorin dhe ambasadoren e BE-së. Seria e takimeve për bisedën që nuk u regjistrua
Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka folur për herë të parë për kërkesën e ambasadores së Bashkimit Evropian për të prangosur ish-kryeministrin Berisha. Nishani ka zbuluar bisedën me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke deklaruar në “Report Tv”, se ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, i ka kërkuar Llallës arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ish-Kreu i Shtetit theksoi, se ka qenë ish-kryeprokurori Llalla që ia ka dhënë këtë informacion në zyrën e tij, por në një takim të menjëhershëm me ambasadoren Vlahutin, kjo e fundit e ka mohuar kategorikisht. Pas takimit me Vlahutin, ish-presidenti tha se është takuar sërish me Llallën, i cili i ka qëndruar deklaratës së tij, se Vlahutin ka kërkuar arrestimin e Berishës. 

Deklarata e Berishës për Vlahutin, se i kishte kërkuar Llallës arrestimin e tij, e konfirmoni?
“Po, është e saktë. Kam qenë unë që e kam vënë në dijeni Berishën. E kam pasur këtë informacion dhe nga burime të tjera. Llalla ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se gjatë një bisede, rreth një muaj apo dy pas bisedës, ku i ishte kërkuar nga Vlahutin, pse nuk arrestohej Berisha. Më tej, argumentet shpjeguese, sipas Llallës, kanë qenë që Prokuroria nuk mund të arrestojë njerëz për të cilët nuk ka prova dhe fakte. Ishte një bisedë që më shqetësoi dhe nuk mund ta lija në heshtje, pasi bëhej fjalë për një bisedë tërësisht jashtë kontekstit që ka ambasadorja. Kërkova takim me Vlahutin, i shpreha shqetësimin që mora nga Llalla. Ajo e mohoi kategorikisht që të ketë bërë një bisedë të tillë me Llallën. Në radhë të parë vura në dijeni Vlahutin, që e mohoi. Bëra takim tjetër me Llallën, e vura në dijeni që bisedën e ndava me Vlahutin dhe i thashë që ajo e mohon. Llalla i qëndroi edhe pas takimit të dytë”.

Mund ta dëshmonte Llalla këtë?
“Nuk ishte çështje fjalësh. Nuk ishte regjistruar biseda, por për mua ishte informacion që e merrja zyrtarisht dhe nuk mund ta neglizhoja. Ambasadorja e refuzoi kategorikisht. Më pas, e ndava shqetësimin me Berishën dhe pastaj nuk di si e ka ndjekur ai më pas”.
Edhe Lu i kërkoi Llallës arrestimin e Metës …
“Për këtë nuk di gjë”.
Përtej deklaratave të bujshme, këta dy ambasadorë janë akuzuar nga opozita për protagonizëm të theksuar dhe njëanshmëri në mbështetje të PS, e ndani këtë qëndrim ju?
“Unë nuk përfaqësoj opozitën dhe nuk mund të flas në emër të saj. Unë kam pasur marrëdhënie korrekte”.