Tusk: Konfliktet dhe urrejtja mund të ndizen lehtë

485
Për shkak të populizmit në rritje, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, foli rreth konflikteve e urrejtjes dhe kërkoi më tepër respekt e tolerance në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. “Jam shumë i impresionuar nga ato që kam dëgjuar nga kryeministrat, presidentët, por edhe qytetarët e zakonshëm në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Kujtimet e konflikteve, dhe pasiguria, janë ende shumë të pranishme. Unë sjell me vete këtë amanet: Ne duhet ta kemi gjithmonë parasysh, se konfliktet dhe urrejtjet mes njerëzve – në rastin më të shpeshtë pas asnjë lloj arsyeje – mund të ngjallen shumë lehtë. Nxitja e një atmosfere të mirë dhe e pajtimit, veçanërisht në një rajon që ka vuajtur kaq shumë si Ballkani Perëndimor, kërkon jashtëzakonisht shumë vullnet të mirë dhe këmbëngulje. Unë do ta kërkoj një gjë të tillë tek të gjithë”, tha Tusk, pas përfundimit të turit në Ballkan. Ai foli në mënyrë specifike për rritjen e valës së populizmit. “Para së gjithash, ne nuk duhet të vëmë në dyshim ato për të cilat ne polakët ëndërronim në Dancig në gusht të vitit 1980. Në atë kohë njerëzit u angazhuan me guxim dhe vazhdimësi për liri, respekt të ndërsjellë, tolerancë, dinjitetin e punës. Kjo nuk ka ndryshuar. Por duhet të jemi të vetëdijshëm, se e mira mund të zhbëhet shumë shpejt. Po edhe e keqja është e kapërcyeshme dhe kjo duhet t’u japë njerëzve besimin për mundësitë e tyre”, nënvizoi Tusk.
Sigal