Meta: “Interesante është që më në fund Doktori e mësoi rrugën e Prokurorisë”

568
-A keni ndërmend ta jepni dorëheqjen?
– Ajo që unë mund të bëj për opozitën në fakt e kam bërë që në minutën e parë që më ka ardhur një kërkesë për shkarkimin tim e firmosur nga 22 deputetë të opozitës, të cilën e kam firmosur menjëherë dhe kam qenë i hapur që me këtë kërkesë të fillojë rendi i ditës së seancës plenare. Më shumë se kaq nuk mund të bëj për opozitën.
– Po protestat që bëhen çdo ditë sa në hyrjen e Kryesisë së Kuvendit ashtu edhe jashtë sallës së seancave plenare, a ndikojnë në punën e tuaj, pra në drejtimin e Parlamentit? 
– Gjatë një viti e gjysmë mund të jetë pasur 2-3 seanca normale në Parlament, kryesisht kur nuk ka qenë prezent Doktori. 
– Sigurisht e keni lexuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme që kërkon autorizimin për të arrestuar dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Në materialin prej 7 faqesh, a ju duket bindës ku material, a ju duket shterues? 
– Ndoshta nuk do ta besoni, por nuk kam pasur mundësi që ta lexoj materialin dhe relacionin, sepse nuk kam ndonjë kuriozitet shumë të madh për këtë histori.. Por nuk e kam lexuar, sepse nuk besoj se është detyra ime dhe madje e çdo deputeti për të ndërhyrë dhe për të bërë një analizë të punës së Prokurorisë. 
– Tani që kanë kaluar tre javë nga fillimi i kësaj historie dhe disa pyetje kanë nisur të marrin përgjigje, a e pyesni veten “përse më akuzuan mua”?
– Nuk mendoj se dua ta pyes veten për këtë gjë shumë, pasi besoj se përgjigja është e qartë dhe kjo përgjigje në mënyrë akoma më të qartë do të jepet në zgjedhjet e 21 qershorit. 
– Paraardhësja juaj, znj. Topalli ka deklaruar se kjo mbledhje e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin konsiderohet nul, sepse sipas saj, rregullorja e përcakton se duhet drejtuar nga Kryetari i Kuvendit. dhe nëse nuk drejtohet prej jush çdo vendim i kësaj mbledhjeje është nul…
– Jo vetëm kaq, por jam i bindur se çdo seancë plenare që nuk drejtohet nga ajo mund të konsiderohet si nul. 
– Z. Berisha e ka paragjykuar punën e Prokurorisë? 
– Doktori…
– Po Doktori. E ka konsideruar se po vepron nën presion politik duke qenë se si Kryeministri, si Kryetari i Kuvendit, si Ministri i Brendshëm janë të përfshirë në këtë ngjarje direct, apo indirect, duke ushtruar presion mbi Prokurorinë nuk mund të zbardhet e vërteta dhe duhet hetim ndërkombëtar…
– Në këtë telenovelë janë të përfshirë shumë persona dhe ju besoj se e dini se edhe një nga dëshmitarët e thërritur nga Prokuroria është edhe kunati i Doktorit, z. Agim Rama, për të cilin e theksoj përsëri se kam respekt dhe ndoshta nuk është faji i tij, që ka qenë klient i këtij lokali të famshëm, ku bëheshin gjoja gjithë këto komplotet. Dhe natyrisht që Doktori ka të drejtë të bëjë çdo deklaratë dhe çdo akuzë për presione politike që mund t’i bëhen Prokurorisë, por hetimet nuk ecin sipas tablosë sinoptike që ai ka përvijuar prej kohësh. Dhe natyrisht që ai nuk i quan presion ndaj Prokurorisë gjithë këto protestat, shantazhet që përpiqet të bëjë për të ndikuar hetimet, sipas interesit të tij politik. Doktori tashmë është i famshëm për dy standardet e tij në të gjitha drejtimet.
– Si z. Berisha ashtu e dhe z. Doshi i konsiderojnë hetimet e Prokurorisë jobindëse dhe kërkojnë një hetim ndërkombëtar. Ju si mendoni, a duhet një hetim ndërkombëtar apo çështja tashmë është e ezauruar nga drejtësia shqiptare?
– Kam përshtypjen se hetimi ndërkombëtar për këtë çështje ka përfunduar me kohë, megjithatë është e drejta e tyre të kërkojnë çfarë të duan. E gjithë interesantja e kësaj çështje është që më në fund Doktori e mësoi rrugën e Prokurorisë. Kjo mendoj se është pozitive.
– Ndërkohë, Prokuroria kërkon dhe arrestimin e Mark Frrokut. Z. Berisha në një nga ato postimet e tij të shpeshta në Facebook thotë se pritet një kërkesë ose ka ardhur më saktë një kërkesë nga Belgjika për ekstradimin e tij, për një krim të kryer në…
– Do i ketë vajtur Doktorit kjo. Ai s’na e kanë dhënë ne, kështu që mbetet një e dhënë ekskluzive për Doktorin.
– Pra, nuk keni ndonjë dokument nga prokuroria lidhur me deputetin Frroku?
– Do të kenë ngatërruar adresën. Mendojnë se akoma Doktori është Kryeministër dhe do t’ia kenë çuar atij. Doktori po të ketë ndonjë kërkesë të tillë le ta kalojë këtë nga Kuvendi, ose ta kalojë nga z. Rama.
– A ka qenë z. Braho në Hanover në Gjermani?
– Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni z. Braho. Së dyti, z. Braho është njeri në moshë madhore, ka pak a shumë moshën e Doktorit. Kështu që merr gjithë përgjegjësitë për veten e tij. Unë pasi është bërë kjo zhurmë e kam pyetur dhe më ka thënë që ka parë një ndeshje të Hanoverit me Bajernin atë ditë. Për çështjet e tjera, t’i drejtohen drejtësisë. Z. Berisha dhe cilido tjetër që është i interesuar për itinerarin e tij, ashtu sikurse në qoftë se janë të interesuar edhe për itinerarin tim për në Milano, për ta saktësuar kam qenë dhe në Torino, përsëri të bëjnë verifikimet e tyre, t’i drejtohen drejtësisë.
– Sot pritët në një takim, që qe pak surprizë për ne, kryeprokurorin kroat i cili ka hetuar dosjen Sanader, të ish-Kryeministrit kroat i cili u arrestua. Nga zyrat e Komisionit Evropian na thuhet se ai ka ardhur në kuadër të misionit EURALIUS për të trajnuar prokurorët shqiptar. Ju e takuat sot. A u fol për korrupsionin në nivelet e larta? 
– Ishte një takim institucional. Nuk do të hyja në gjëra më konkrete, por besoj që përvoja kroate është shumë e mirë. Askush në Shqipëri nuk duhet të ketë…
– Kush jua zgjodhi këtë prokuror për të ardhur në Shqipëri?
– Nuk mund ta them me saktësi, por ka qenë në axhendën time prej disa kohësh për t’u takuar me të. 
– Z. Prifti, në një nga daljet e tij publike tha se, nëse citoj saktë, “se ka pasur sinjale se edhe atë donin ta vrisnin dhe ai që donte ta vriste ishte sërish ju”. Por gjithnjë sipas z. Prifti çështja është e sqaruar. Si është e vërteta?
– Unë nuk mund të them asgjë më shumë, nuk mund të bëj asnjë koment më shumë. Të gjithë që kanë shqetësime të tilla t’i drejtohen Prokurorisë. Këto problemi i zgjidh ose drejtësia ose mjekësia. Unë nuk jam as prokuror, as doktor. Një doktor mund t’i zgjidh këto probleme.
– E keni fjalën për Doktorin me “D” të madhe?
– Këtë e thatë ju.
– Marrëdhëniet tuaja me z. Prifti i ngjajnë një plage që sadopak ta gërvishtës, gjithnjë reagon…
– Nuk kam asnjë problem. I kam marrëdhëniet shumë të mira me të. Ai ka kërkuar falje. Mund të pyesni z. Ndroqi, këtu afër e keni.
– Ka kërkuar falje në prani të z. Ndroqi?
– Po, këtu nuk ka asnjë problem.
– Çfarë ndjenje ju ka krijuar deklarata e z. Basha kur tha se PD-ja e udhëhequr nga unë kurrë nuk do të bëjë koalicion me LSI-në e Ilir Metës?
– Më ka krijuar bindjen se është me këmbë në tokë dhe që e ka të qartë se mandati i tij si kryetar partie mesa duket është deri në 21 qershor. Pra, do të jetë një mandat i shkurtër, sepse kuptohet se dikush do të marrë përgjegjësinë për rezultatin e 21 qershorit. Kështu që s’do të ketë as mundësi për të patur ndonjë hapësirë për të bërë koalicion, qoftë edhe me Ballin Kombëtar pas 21 qershorit, fjala vjen.
– Janë propozime që ndërhyhet edhe në Kushtetutë. Jeni i gatshëm ju si shumicë të merrni ndryshime edhe në Kushtetutë?
– Çdo ndryshim pozitiv që i shërben të ardhmes patjetër. Por natyrisht që për këto çështje është rënë dakord për të marrë edhe ekspertizën më të mirë evropiane edhe të komisionit të Venecias e kështu me radhë. Pra, është shpejt për të folur për propozimet konkrete.
– A kanë lidhje shpërthimet me tritol me situatën politike?
– Ka një prapavijë politike kjo, të jemi fare të sinqertë. 
– A ka kalkulime në lidershipin e Partisë Socialiste që ky incident, e ky skandal mund ta quajmë, mund të ketë një lloj zvogëlimi të peshës tuaj specifike brenda koalicionit dhe të ketë PS-së duart më të lira në vendimmarrje? 
– Raportet me Partinë Socialiste janë bashkëpunuese, janë mjaft konstruktive. Nuk do ta teproja po të thosha dhe luajale dhe reciprokisht kështu që çdo gjë tjetër është spekulim. 
– Ka prioritet për 15 bashki. Është riaktivizuar rivalitetit mes militantëve. A mendoni se ai kohezion që këto negociata që arritët ju me zotin Rama do të funksionojë aty në bazë? Madje ka dhe vetë që thonë se mund të ketë dhe sabotim.
– Ka ikur koha kur kishim frikë nga sabotimet. Tani të jemi të sigurt se do të funksionojë shumë më mirë, edhe më mirë se sa funksionoi në zgjedhjet e 23 qershorit. 
– Z. Rama a ju informon për negociatat që bën me z. Idrizi apo janë pavarësisht negociatave që bënë me LSI-në?
– Z. Rama gëzon besimin tim të plotë për çdo lloj negociate.
– Latë të kuptohet që do të ketë edhe deputetë që do të lënë mandatin për të kandiduar…
– Edhe kjo është e mundshme.
Sigal