Nishani në Kroaci: Shqipëria, mundësi për investitorët e huaj

442
Sigal

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i pranishëm në takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Kroaci, përshëndeti sot Samitin 100, të Udhëheqësve të Biznesit të Europës -Juglindore. Ai ftoi bizneset e huaja të investojnë në vendin tonë duke theksuar se, Shqipëria ofron mundësi të mëdha. “Do të doja të shihja këtu edhe kompani që operojnë në Shqipëri. Vendi im, i cili sapo fitoi statusin e vendit kandidat për në BE, ofron mundësi të mëdha, falë burimeve të shumta natyrore, bukurive bregdetare dhe malore, trashëgimisë së pasur kulturore, si dhe ambientit miqësor për investimet e huaja… Më tej ai theksoi se politika dhe biznesi e masin suksesin e tyre me cilësinë e shërbimit që ofrojnë për qytetarët dhe me faktin se sa produkti i tyre u përgjigjet standardeve e pritshmërive të qytetarëve.  “Realizimi i qëllimit të një biznesi të suksesshëm, fitimi, varet nga aftësitë tuaja sipërmarrëse dhe nga ambienti miqësor që krijojnë politikat e hartuara nga ne politikanët. Nga ky këndvështrim, suksesi juaj është edhe yni. Vendet tona po punojmë fort për ndërtimin e infrastrukturës ligjore dhe fizike të standardeve evropiane, në nivel kombëtar, rajonal dhe më gjerë, me qëllim që, në përputhje me pritshmëritë tuaja, të lehtësojmë përpjekjet e përbashkëta për krijimin e një tregu të unifikuar dhe konkurrues. Në këtë linjë, konkluzionet tuaja duhet të udhërrëfejnë agjendën tonë për të marrë pjesën tonë të përgjegjësisë në mbështetje të biznesit”,- u shpreh Presidenti Nishani. Presidenti e vlerësoi kthimin e kësaj nisme në një traditë, si një mundësi konkrete dhe praktike në mbështetje të bashkëpunimit ekonomik dhe të bizneseve në rajon.