Ngjela: 6 ministra të Ramës janë kapur me prova në korrupsion

658
Politikani dhe avokati Spartak Ngjela deklaroi se gjashtë ish-ministra të Berishës dhe gjashtë ministra dhe ish-ministra të Edi Ramës janë të kapur me prova në korrupsion. “Ekspertët amerikanë qeshin me nivelin e ulët që tregojnë nëpër komisione ata që këta ekspertë i kanë kapur me fakte. Gjyqtarë, prokurorë dhe ministra po shkojnë drejt akuzës penale”, tha Ngjela. Sipas tij, edhe kryeministri Rama është i mbaruar, sepse nuk i reziston dot kohës nacionale që i duhet të bëjë një progres të menjëhershëm gjithëshqiptar. “Rama u bashkua me krimin nga niveli i ulët intelektiv që ka; sepse e drejtoi patologjia për pushtet, në një kohë kur Perëndimi i lartë kishte nevojë për burra shteti në Shqipëri dhe jo për fëmijë vjedhacakë që urrejnë popullin, që kanë marrë përsipër të drejtojnë. E vërteta është se, për hijet e mëdha që ka në korrupsion, Rama nuk ka mundësi që të drejtojë Shqipërinë në procesin e bashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve në një shtet prej afër 70 mijë kilometra katrorësh, sepse nuk krijon dot besim te partnerët: Nuk artikulon dot politikisht dhe ka dyshime të mëdha për korrupsion”, nënvizoi avokati. Ai shtoi se “marrëveshja e re amerikano-shqiptare për riformulimin real të shqiptarizmit ballkanik në një strukturë të re shtetërore të bashkuar në një shtet me sipërfaqe prej atë 70 mijë km2, është pamundësi absolute që të drejtohet nga një politikan nën mediokër si Edi Rama; që ende nuk po kuptohet dot qartë në politikë, e dëshiron apo jo këtë lloj bashkimi panshqiptar ballkanik, dhe nëse nuk e dëshiron, për kë luan”. “Kryesorja është që Rama nuk ka aftësi të kuptojë, as ligjin, as tregun dhe as politikën si akt i zhdërvjellët që duhet të formulohet në një periudhë të nxehtë, në një kohë që shumë shpejt do të fillojë politika perëndimore për Çamërinë shqiptare dhe për shqiptarët e Greqisë”, tha Spartak Ngjela. Më tej, ai tha se politika amerikane është e vetme në mbrojtje të interesit kombëtar shqiptar, kurse për Ramën mirë është të mos lëvizë nga votimet e maxhorancës pro Reformës në Drejtësi. “Gjendja do të ndryshojë shumë shpejt. Shqiptarët e rinj të politikës shqiptare sikur kanë ardhur. Korrupsioni shqiptar e ka mbyllur tanimë historinë e vet të shëmtuar njëqindvjeçare”, tha Ngjela.
Sigal