Pakti i Sotiraq Filos me dy biznesmenë të akuzuar, u jep 1.6 mld lekë

21
Sigal

Si paratë e taksapaguesve përfundojnë në duart e afaristëve mafiozë të integruar me pushtetin?

“Ndërsa sipas dosjeve në Prokurorinë Elbasan dhe në SPAK, e gjithë familja “Balla janë nën hetim për evazion fiskal, kontrabandë, pastrim parash, trafik droge dhe lidhje me bandat Sanxhaktari- Çela të kësaj zone.”

Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo po zhvillon një projekt me dy biznesmenë të arrestuar më parë për punime fantazmë. Po flasim për prokurimin me objekt  “Mbrojtje nga gërryerjet ne krahun e majtë të lumit Devoll, NjA Mollas – Cërrik”, për të cilin janë vënë në dispozicion 1.6 miliardë lekë.

Filo e ka lëshuar dorën këtë herë më këtë fond, por të paktën e justifikon me qëllimin se do të riparojë argjinaturën e lumit. Gjithsesi me ato që do të tregojmë më poshtë ka shumë dyshime nëse ky plan do të realizohet sipas standardeve të nevojshme

Së pari, shohim se Filo ka shkelur rregullat kryesore të prokurimit dhe e ka dhënë këtë kontratën pa lejuar konkurrencë në proces. Evidentohen 9 oferta që janë paraqitur, por 8 prej tyre janë përjashtuar menjëherë nga gara dhe jo për të gjitha është dhënë argumenti ligjor. Ndërkohë është kaluar automatikisht si e vlefshme vetëm oferta e bashkimit të operatorëve  “Vellezerit Hysa” shpk dhe “Ergi” Shpk, me vlerë 900 milionë lekë.

Firmosja e tenderëve në mungesë të konkurrencës është bërë si trend i korrupsionit nga kryebashkiakët, që kanë marrë mandatet e treta radhazi, që mesa duket nxjerrin me shpejtësi shpenzimet e fushatave elektorale. Megjithëse numërohen disa kryebashkikë që kanë përfunduar në burg për korrupsion kohët e fundit, Filo nuk shqetësohet në rrugën e abuzimeve.

Biznesmenët mashtrues

Një tjetër pyetje na lind mbi këtë tender: Si mund t’i besohet ky projekt kaq i rëndësishëm dhe i kushtueshëm dy personave që janë arrestuar më parë për mashtrim me prokurimet. Konkretisht, kompania “Vëllezërit Hysa” nga Elbasani rezulton një prej sipërmarrjeve private që ka fituar më shumë tenderë publikë gjatë periudhës së qeverisjes së “Rilindjes” së Edi Ramës. Administratorët e saj, Agron dhe Kujtim Hysa, u arrestuan në fillim të vitit 2018, pasi Prokuroria e Elbasanit zbuloi se kompania nuk kishte kryer punime në aksin rrugor “Elbasan-Gjinar”, për të cilën ishte angazhuar si nënkontraktore.

Bashkë me vëllezërit Hysa, prokuroria e Elbasanit urdhëroi edhe arrestimin e dy ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe Andi Toma.

Megjithatë, Agron dhe Kujtim Hysa fituan shpejt lirinë, pasi gjykata rrëzoi më vonë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre.

“Firmosja e tenderëve në mungesë të konkurrencës është bërë si trend i korrupsionit nga kryebashkiakët, që kanë marrë mandatet e treta radhazi, që mesa duket nxjerrin me shpejtësi shpenzimet e fushatave elektorale. Megjithëse numërohen disa kryebashkikë, që kanë përfunduar në burg për korrupsion kohët e fundit, Filo nuk shqetësohet në rrugën e abuzimeve.”

Biznesmeni që bashkëpunon me bandat

Ndërsa kompania “Ergi” Shpk është në pronësi të Nuri Ballës i cili në vitin 2017 ka qenë nën hetim prej Prokurorisë së Elbasanit.

Në atë kohë akuza nisi të ashtuquajturin mega operacion hetimor për burimin e pasurisë së 67 personave, midis të cilëve gjendeshin edhe të afërm të ish- kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Lista voluminoze përmbante edhe emra të biznesmenëve të ndryshëm dhe të njohur si të fuqishëm në Elbasan, ku ndër ta ishte edhe Nuri Balla.

Por duket se dhe ky aksion nuk ka sjellë rezultat teksa Balla vazhdon të përfitojë tendera pa garë sa në Elbasan, Korçë dhe Pogradec.

Firma e Nuri Ballës është mjaft e njohur për tenderët që zhvillohen nga kryebashkiakët e Juglindjes. Kujtojmë se, më 19 qershor 2023, shoqëria “ECO-ELB” e bashkisë Elbasan, që ka në administrim landfillin dhe inceneratorin “Albtek Enery”, i ka dhënë firmës “ERGI Sh.p.k”, të drejtën e modifikimit, testimit dhe ndezjes së inceneratorit të Elbasanit, kundrejt vlerës 27.5 milionë lekë.Ndërsa sipas dosjeve në e Prokurorinë Elbasan dhe në SPAK, e gjithë familja “Balla” si bashkëshortja Afërdita Balla; i biri Ergi Balla dhe e bija Joana Balla janë nën hetim për evazion fiskal, kontrabandë, pastrim parash, trafik droge dhe lidhje me bandat Sanxhaktari- Çela të kësaj zone. Edhe njëherë tjetër shohim se si paratë e taksapaguesve përfundojnë në duart e afaristëve mafiozë të integruar me pushtetin. /Gijotina