Nënkryetari i PD Edmond Spaho: Zgjidhja e krizës politike vjen pasi të largohet Edi Rama si kryeministër dhe krijimit të një qeverie tranzitore

464
Sigal

Kam parë të gjithë median ndërkombëtare, të shkruar dhe vizive, që mbështet fuqimisht protestat e opozitës dhe nevojën për rrëzimin e regjimit narko-trafikant që është instaluar në Shqipëri

 

Opozita nuk bën më asnjë negociatë me Edi Ramën

 

Jakup B. GJOÇA

 

Edmond Spaho, nënkryetari i PD-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se tashmë opozita është rritur, është maxhorancë dhe, se së shpejti do të përcaktojnë edhe datën e protestës së ardhshme kombëtare, ndërsa do të vazhdojnë të protestojnë para Kuvendit, sa herë të ketë seancë plenare. Zoti Spaho e thotë prerë: Opozita nuk bën më asnjë negociatë me Edi Ramën, dhe nuk do të ketë asnjë lloj zgjedhjesh në Shqipëri me Edi Ramën kryeministër dhe pa opozitën. Zoti Spaho ka bindjen se edhe ndërkombëtarët, tashmë mbështetin protestat e opozitës në Shqipëri dhe kjo shprehet në pasqyrimin e protestave në të gjitha mediat ndërkombëtare.

 

-Zoti Spaho, cila do të jetë strategjia e Opozitës pas 13 Prillit? Do të ketë sërish protesta?

– Protestat do të jenë thelbi i aksionit tonë politik. Ato po rezultojnë të suksesshme, pasi pjesëmarrja e qytetarëve ka ardhur në rritje nga një protestë në tjetrën. Protesta e zhvilluar në datën 13 Prill jo vetëm që ishte më e madhja e protestave të tranzicionit, por në të pati mjaft dinamizëm. Në ditët dhe javët e ardhshme do të vazhdojmë me protestat javore para parlamentit dhe shpejt do mblidhemi si koalicion për të caktuar datën e protestës tjetër kombëtare. Aksioni politik i opozitës i ka dhënë rezultatet e para. PD është rritur me 10 pike në sondazhe, kurse opozita e bashkuar sot është maxhorancë me pothuaj 10 pikë avantazh ndaj Rilindjes së Edi Ramës.

Kryeministri Rama deklaroi së fundi se, me Opozitën mund të ulet në tavolinë vetëm për Reformën Zgjedhore. A nuk është kjo ftesë një paradoks, kur tashmë Opozita nuk mund të marrë pjesë në Reformën Zgjedhore derisa nuk është në Parlament?

– Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk do ketë asnjë negociatë. Ai e pati mundësinë e tij në Maj të vitit 2017, por e shpërdoroi besimin e opozitës, duke i manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin e organizuar. Largimi i Edi Ramës është parakusht për zgjidhjen e krizës që po kalojmë. Para se të shkojmë të Kodi Zgjedhor ka çështje të tjera shumë më të rëndësishme, si krijimi i një qeverie tranzitore, dënimi i atyre që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin e organizuar, ndryshime të mundshme kushtetuese që sistemi të garantojë principet demokratike dhe një sërë çështjesh të tjera, të cilat të evitojnë përsëritjen e krizave të tilla.

– Pse heshtin Ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe BE ndaj deklaratës së kryeministrit Rama se ai do ta zhdukë Opozitën në Shqipëri? A nuk është ky qëndrim shprehje e instalimit të Diktaturës në Shqipëri?

– Kjo është pyetje që i duhet drejtuar ambasadorëve. Për sa i takon opozitës ajo rrëzoi diktaturën dhe nuk ekziston asnjë mundësi që Rama ta eliminojë atë. Përkundrazi, me aksionin e ndërmarrë nga ne, ka filluar fundi politik i Edi Ramës.

– Kur ndërkombëtarët këshillojnë Opozitën të ulet me mazhorancën për dialog, Çfarë konkretisht propozojnë të dialogohet? Zgjedhje të parakohshme, apo stanjacionin aktual politik që deri në zgjedhjet parlamentare të 2021-it të mos ketë protesta?

– Kushdo që jep këshilla duhet të ketë parasysh që jemi në një krizë të thellë politike, ku janë rrëzuar, ose kapur të gjitha institucionet nga maxhoranca. Zgjidhja vjen përmes largimit të autorit të kësaj gjendjeje, që është Edi Rama dhe krijimit të një qeverie tranzitore me mision të bëjë ndryshimet e nevojshme në sistem dhe të përgatisë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

– Ju Zoti Spaho deklaruat dje se Opozita nuk do lejojë zhvillimin e zgjedhjeve vendore në 30 qershor. Si do t’i ndaloni këto zgjedhje?

– Nuk mund të ketë zgjedhje as vendore dhe as parlamentare në vend me Edi Ramën Kryeministër dhe nuk mund të ketë zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës. Tentativa për të vazhduar me kokëfortësi në këtë rrugë do ndeshet me vullnetin e qytetarëve për të mos lejuar që vendi të bjerë në një diktaturë të re.

Ju si e shpjegoni që ndërkombëtarët mbështetin në Shqipëri një Parlament një partiak, pa Opozitë, ndërkohë që kritikojnë ashpër Maduron, që ushtron represion e terror ndaj Opozitës?

– Nuk jam i sigurt që kjo që thoni ju është e vërtetë. Kam parë të gjithë median ndërkombëtare, të shkruar dhe vizive, që mbështet fuqimisht protestat e opozitës dhe nevojën për rrëzimin e regjimit narko-trafikant që është instaluar në Shqipëri.

– Faleminderit!