Ndryshimet në KQZ, Kume: Politika shkeli Kodin Zgjedhor

583
Konstitucionalisti Kristaq Kume argumenton për “Telegraf” se ku gaboi politika me ndryshimet e kryera në KQZ pas firmosjes së marrëveshjes 

Tashmë është bërë realitet. PS-PD ranë dakord që në një nga pikat e marrëveshjes të ndryshonin edhe drejtuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por mënyra se si u realizua në praktikë ky ndryshim nuk është aspak e drejtë për një nga njohësit më të mirë të Kodit Zgjedhor, Kristaq Kume. Në një prononcim për gazetën “Telegraf” Kume argumenton me hollësi gabimet e politikës. Ai shprehet se dy drejtuesit kryesor që firmosën marrëveshjen, duket se nuk e kanë menduar më së miri se ku po gabonin, por për momentin iu përmbajtën situatës aktuale që po kalonte klasa politike dhe vendi në tërësi si pasojë e krizës që kishte mbërthyer që në 18 shkurt. “Politika gaboi se përpara se të bënte ndryshimet duhej të reflektonte marrëveshjen në dispozitat përkatëse në Kodin Zgjedhor, sepse Kodi sot përcakton që tre anëtarë të KQZ i përkasin opozitës në kuptimin që propozohen nga partitë e opozitës dhe tre të tjerë nga mazhoranca ndërsa kryetari zgjidhet nga Kuvendi përmes një procedure që fillon me shpalljen e vakancës dhe aplikimet e qytetarëve që dëshirojnë të jenë në këtë post. Ndërkohë që me vendimet e Kuvendit tashmë ne kemi katër anëtarë të KQZ që i përkasin mazhorancës të propozuar prej saj një kryetar komisioni që nuk është zgjedhur sipas procedurës që parashikon Kodi Zgjedhor, pavarësisht se me dhënien e dorëheqjes së Denar Bibës, Kuvendi shpalli vakancën që do të thotë që pas kësaj duhej të nisnin aplikimet”,-shprehet konstitucionalisti Kristaq Kume. Më pas ai shpjegon se partitë politike të cilat kanë votat për të zgjedhur kryetarin kishin deklaruar që kryetari do ti përkas opozitës. “Kjo që thashë bie në kundërshtim me atë që është e shkruar në kodin aktual. Në vlerësimin tim ka të bëjë vetëm me rregullin e ndjekur dhe zbatimin e ligjit dhe s’ka të bëjë me atë ç’ka partitë politike ranë dakord në tavolinë për të kapërcyer ngërçin e krijuar”, -tha Kume. Ai është I bindur në atë që argumenton. Nuk është dakord me mënyrën se si dy partitë e mëdha vendosën të kapërcenin ngërçin duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën në të njëjtën kohë. Për Kumen, partitë politike përpara se të realizonin ndryshimet në Kuvendin e Shqipërisë dhe të emëronin kryetarin, duhet të kishin bërë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor. Koha, -tha ai, ka qenë e mjaftueshme për të realizuar të gjitha ndryshimet. Për ta qartësuar këtë moment Kume sjell në vëmendje ndryshimet Kushtetuese që u bënë në vitin 2007. “Koha mjaftonte, mundësitë i kishin të plota. Ashtu sikurse edhe në procesin e vitit 2007 kur u vendos për të shtyrë datën e zgjedhjeve, e jo vetëm këtë, të cilën e realizuan pasi bënë ndryshimet përkatëse në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor. Koha premtonte nëse do kujtojmë 2007 kur ndryshimet u bënë në kushtetutë dhe u deshën vetëm dy ditë”, argumenton Kume. Ndërsa flet për shkeljen e kodit nga dy partitë politike, Kume thotë se nuk arrin dot ta besoj se një gjë e tillë mund të jetë bërë me dashje. Po kështu ai sjell në vëmendje edh enjë fakt tjetër. Kujton se vendimi i marrë në Kuvend për emërimin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të bëhet nul nëse një nga forcat politike kujtohet dhe e atakon atë në Gjykatën Kushtetuese. Po nga ana tjetër është I bindur se në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi para zgjedhjeve, nuk do e besonte kurrë që një nga forcat politike, kryesisht të opozitës do të atakonte vendimin e Kuvendit. “Nëse dikush atakon diku në gjykatë kushtetuese këtë vendimmarrje të Kuvendit shanset janë për ta hedhur poshtë’, -shtoi Kume. Por si e ka parë ai këtë vendim nga këndvështrimi i qytetarit? “ Përveçse perceptimit që krijuan tek shtetasit lidhur me faktin që marrëveshja politike prevalon mbi ligjin. Perceptimi për një produkt për një sjellje e cila nuk është në funksion të objektivit që ne kemi për ndërtimin e shtetit ligjor dhe jo shtetit të partive politike. Një sjellje e tillë unë nuk do ta besoja se është përdorur nga PD dhe PS për të pasur hapësira më të mëdha. Kujtoj që marrëveshja politike u bë për të zgjidhur një problem shumë të madh me të cilën po ndeshej jo vetëm procesi zgjedhor por dhe gjithë shoqëria jonë. Por në të njëjtën kohë unë ngul këmbë se nuk kishte asnjë arsye pse të nxitoheshin. Para saj të mbështesnin gjithçka në ligj, asgjë nuk i ndalonte”, -përfundon argumentin e tij për gazetën “Telegraf” Kristaq Kume. 
Sigal