Nasip Naço, ministri reformator i Drejtësisë

476
Sigal

Nasip Naço padyshim mund të konsiderohet sot si “ministri reformator i dikasterit të Drejtësisë”. Me përvojën, dinjitetin, moralin e pastër dhe profesionalizmin e duhur, zoti Naço është zgjedhja e duhur për të reformuar sot strukturat e kalbura të Drejtësisë Shqiptare. I ardhur pas një eksperience dhe përvoje të madhe në profesionin e tij si jurist, si njohës brilant i ligjeve dhe si drejtues i suksesshëm institucionesh të shtetit në vite, Nasip Naço po jep garancitë e nevojshme se do ta kryejë me sukses detyrën e lartë që i është ngarkuar, atë të drejtimit të Ministrisë Drejtësisë. Prej 8 vjetësh strukturat e drejtësisë shqiptare ishin kthyer në objektivin kryesor të sulmeve nga mediet, individët dhe organizmat e huaja lidhur me akuzat për korrupsion, shkelje ligjore dhe mungesë profesionalizmi. Më tepër se kurrë sot sistemi i drejtësisë ka nevojë urgjente për reforma radikale, për të larguar nga detyra dhe ndëshkuar ligjërisht çdo gjyqtarë, prokurorë apo edhe zyrtarë të tjerë drejtues të strukturave në qendër e rrethe që akuzohen për shkelje ligjore. Sistemi drejtësisë prej 8 vjetësh gjendet i mbërthyer nga dara e fortë e korrupsionit, që ka shkaktuar dëme të pallogaritshme në imazhin e vendit dhe rritjen e gamës së problemeve sociale në Shqipëri. Realisht dhe fatkeqësisht as KLD-ja, Ministria e Drejtësisë dhe institucioni i Presidentit të Republikës nuk kanë mundur në këto vite të realizojnë arritjen e reformave të diktuara vazhdimisht me forcë nga Këshilli i Europës dhe BE-ja në sistemin e drejtësisë, duke thelluar shkallën e korrupsionit. Sot në gjykata dhe prokurori do gjesh të emëruar klientelistë mbi baza politike dhe korruptive, të cilët kanë përkeqësuar punën e strukturave dhe zbatimin e ligjit. Edhe rekomandimet e ekipeve të kontrollit nga Ministria e Drejtësisë dhe KLD-ja duket se në 8 vjet, kanë qenë flluska sapuni, pasi edhe në rastet kur ndaj ndonjë gjyqtari apo prokurori ka nisur procedimi disiplinor, administrativ apo penal ai është rehabilituar në heshtje nga politika dhe ka vazhduar detyrën si më parë.

Ligji fillimisht, sot në Shqipëri, sfidohet nga ata që duhet të japin drejtësi ligjore dhe ata që duhet të firmosin vendime të drejta mes palëve. Në këtë situatë kaq dramatike Nasip Naço gjendet ministër i Drejtësisë në qeverinë Rama duke vendosur në sprovë edhe njëherë aftësitë e tij si drejtues, dinjitetin dhe përkushtimin profesional të tij. Duke i njohur prej vitesh aftësitë e tij, mendoj se zoti Naço ka nisur qysh ditën e parë të shpalljes së emrit të tij si ministër të mendojë për detyrën, për sfidat, për kabinetin, për ekipin, për gjithçka që lidhet me përmbushjen dinjitoze të detyrës. Korrekt si askush tjetër, duke nisur me orarin e punës, fanatik deri në qelizë në zbatimin e ligjit, intelektual dinjitoz  dhe njeri i emancipuar, Nasip Naço ka sërish fatin apo shansin të lërë gjurmën e tij, kësaj here në dikasterin më themelor të shtetit, në Ministrinë e Drejtësisë. Ky dikaster asnjëherë nuk ka pasur  fatin të ketë drejtues me përvojë, njohës të ligjeve apo një emër me moral të pacenuar siç ka fatin ta ketë me juristin e njohur Nasip Naço. Kjo pa dyshim i ka dhënë kësaj ministrie veç shkundjes dhe shpërgjumjes 8-vjeçare, edhe një ekip të ri të motivuar për të zbatuar programin qeverisës në 4 vjetët e ardhshëm. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka përpara një betejë të madhe për zgjidhjen e mjaft ngërçeve ligjore, duke nisur me problematikat e brendshme, mungesën e zbatimit të ligjit, mungesën e profesionalizmit në institucionet që varen prej tij, apo deri edhe me problemet me tokat e ndara sipas ligjit nr. 7501, legalizimet, hipotekat etj, etj. Pa dyshim beteja të tilla ai do t’i përballojë me sukses falë përkushtimit, aftësive dhe formimit të tij si qytetar e intelektual dhe vendosmërisë për të zbatuar në çdo rast ligjin dhe vetëm ligjin.

KLD akuzon maxhorancën për ushtrim të presionit politik

 Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar lidhur me mbledhjen e një dite më parë ku përfaqësuesit e maxhorancës janë larguar. Sipas KLD-së përfaqësuesit e maxhorancës u larguan duke krijuar situata penguese. Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh keqardhje të thellë dhe njëkohësisht zhgënjim për qëndrimin në seancën e djeshëm plenare të përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse, të cilët largimin e tyre aspak serioz dhe dinjitoz nga mbledhja e Këshillit, nën petkun e transparencës dhe mbrojtjes së ligjshmërisë, ushtruan “de fakto” një presion të paprecedentë antiligjor ndaj anëtarëve të KLD dhe të gjithë trupës gjyqësore. Largimi i paralajmëruar, menjëherë pas fillimit të seancës së djeshme plenare, dëshmoi se këta anëtarë të Këshillit nuk kanë aspak qëllim të kontribuojnë për përmirësimin e sistemit gjyqësor! Ata që prej kohësh propagandojnë publikisht nevojën për plotësimin e vendeve vakant në gjykata, bojkotuan seancën e parashikuar për këtë gjë ende pa filluar diskutimi! Ata që prej kohësh propagandojnë domosdoshmërinë për vlerësimin e karrierës së gjyqtarëve, bojkotuan seancën ku u vlerësua karriera për 43 gjyqtarë! Ata që prej kohësh flasin për eficencë në sistem, krijojnë qëllimisht situata penguese në emërimet e gjyqtarëve! Ata që prej kohësh flasin pa bërë asgjë, largohen kur vjen koha e veprimit! Ata që prej kohësh propagandojnë se janë në mbrojtje të ligjshmërisë, shkelën dje, publikisht, detyrimin e tyre kushtetues për të dhënë kontributin konstruktiv në tryezën e Këshillit.”- thuhet në deklaratën e KLD-së. Ndër të tjera KLD theksoi se përfaqësuesit e maxhorancës përdorën terma poshtërues, presion dhe revansh politik për të nënshtruar. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në pak më shumë se një vit, ka ndërtuar standardet mbi të cilat është bazuar çdo promovim në vlerësimin profesional të mbi 235 gjyqtarëve. Për herë të parë po krijohet lista e renditjes së gjyqtarëve bazuar në pikëzimin profesional të tyre, në kontrast të plotë me përvojën shumëvjeçare të mëparshme, kur në promovimin e gjyqtarëve prevalonin vetëm konsideratat subjektive. Ne nuk mendojmë se kërkesa e bërë në kundërshtim me praktikën e mirë, për emërimin në gjykatën e Tiranës të 12 studentëve magjistratë, të cilët sapo kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës, duke shpërfillur ata gjyqtarë që prej vitesh e vitesh kontribuojnë në sistem, përbën reformë! “Këshilli i Lartë i Drejtësisë i bën thirrje të gjithë partnerëve Tanë ndërkombëtarë dhe në mënyrë të veçantë Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, që të ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në këtë institucion, dhe garanton ata dhe të gjithë trupën gjyqësore, se KLD nuk do të lejojë intimidimin nga presione të karakterit politik!”- përfundon deklarata.