Sigal

Erion Kristo

Para pak ditësh ndodhi një ngjarje e rëndë, ku dikush vrau 8 të afërm të tij për një fjalë goje. Unë pashë me qindra postime, midis tyre kishte shumë që ofendonin Kryeministrin. Më pas pati sërish shumë postime për shkak se Kryeministri nuk shprehu ndonjë ngushëllim për ngjarjen. Këto postime u shtuan, kur Kryeministri shprehu ngushëllime për ngjarjen e rëndë në Itali. Ngjarja e Italisë ishte vërtet e rëndë, ndaj shpreh ngushëllimet e mia për popullin italian. Ajo ishte dhe më e rëndë, sepse aty humbën jetën dy djem shqiptarë, që shkonin në punë. Mendoni, sa fat i keq! Gjithë ajo Itali, vdekja po shqiptarin do gjëmojë! Po ky është diskutim tjetër. Ngushëllime të sinqerta për familjet shqiptare! Le të kthehemi te reagimi i të parit të vendit tonë. Ai u shpreh, me të njëjtën arrogancë që e karakterizon gjithmonë, se ai nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarje të tilla, se ato ndodhin kudo, dhe ai s’ka se çfarë t’u bëjë. Këtu jam i detyruar të ndërhyj, në rolin tim si njeri që nuk e pranon dot marrëzinë, në asnjë lloj forme, në asnjë kohë. Ju e dini sa kam folur unë për këto ngjarje në të shkuarën. Shpjegimi im është i thjeshtë. Kryeministri e di shumë mirë që ka përgjegjësi. Ai thjesht i mohon ato dhe u jep mbështetësve të vet argumentin që ata ta shkruajnë nëpër fejsbuqe dhe portaluqe. Le t’i bëjmë disa pyetje kryenjëshit, pyetje që nuk ia bëjmë dot nëpër ato llogaridhëniet, ku vetëm ai flet.
1. Cila është reforma juaj në 5 vjet lidhur me shëndetin mendor?
2. Pse është ndërprerë aksioni për mbledhjen e armëve?
3. Çfarë ka ndodhur me denoncimet që janë bërë në polici, lidhur me personin në fjalë?
4. A ka përgjegjësi pushteti vendor dhe policia lokale?
5. Pse vetëm tre ditë pas ngjarjes, në Vlorë janë kapur tre persona me armë?
6. Cili është reagimi i qeverisë suaj lidhur me ngjarje të tilla? A keni bërë ndonjë mbledhje?
7. Përse Ligji për policimin në komunitet mbahet peng?
8. Pse e degjeneruat Urdhrin e Psikologëve?
9. Vetëm në Vlorë janë 1600 persona në një situate të shëndetit mendor të cenuar. A keni dijeni?
Këto janë disa pyetje sipërfaqësore. Ka dhe dhjetëra të tjera. Po dhe me kaq duken qartë përgjegjësitë tuaja. Ndonjë reagim mund ta bëjë dhe opozita.
Në gjithë botën që përmendni ju, pasi ndodhin ngjarje të tilla, dikush merr përsipër përgjegjësinë, me dorëheqje, largim etj. Prandaj mos na e përmendni botën si pa të keq. Bota mbarë reagon. Shikoni Italinë pas rrezimit të urës apo Greqinë pas zjarrit.
I nderuar z. Kryeminister. Shpresoj që ju të qeverisni. Deri më tani keni qeverisur vetëm financat, me shumë sukses! Po jo jetën tonë. Jemi akoma të hallakatur, të pashpresë, të pakësuar, të stresuar. E di që është gabim që ta kërkoj këtë nga ju. Po ju keni bllokuar çdo gjë. Gjithçka kulmon te ju. Madje, ju na keni mësuar të merremi me atletet tuaja, gjë që unë s‘e kam bërë. Na ktheni përgjigje për këto pyetje, se nuk ua nisim dot te portali, se nuk lejon shumë fjalë.