Si u vu letërsia dhe arti në shërbim të diktaturës

835
Sigal

Prof. Dr. Qemal Lame: Ja pse Enveri më ftoi të bisedonim vetëm për vetëm, dhe pse e pranoi propozimin të ndahej nga Sigurimi i Shtetit. Çfarë më tha për Kadriun, Feçorr Shehun dhe dy urdhërarrestet për Ismail Kadarenë. Kush i anulloi dhe pse Enveri më kërkoi që biseda mes nesh të mbetej sekret dhe të mos ua thosha as Ramizit, as Hekuran Isait

Rrëfimet e Prof. Dr. Qemal Lame, ish kryehetuesi i Shqipërisë: Letërsia dhe arti në diktaturë

Ja pse Enveri më ftoi të bisedonim vetëm për vetëm. I propozova, që hetuesia të ndahej nga Sigurimi i Shtetit

Ish Prokurori i Përgjithshëm i regjimit monist, Prof. Dr. Qemal Lame, në librin e tij “Dritëhijet e Kohës”, zbardh dokumente, fakte, mbi mekanizmin shtetëror të përndjekjes të gjithë atyre që konsideroheshin kundërshtarë, armiq të regjimit komunist, duke mos bërë asnjë dallim, ndaj shkrimtarëve, artistëve, politikanëve. Ish kryehetuesi Qemal Lame, hedh dritë edhe mbi “Dosjen Kadare”, duke zbardhur 2 fletëarrestimet, që u prenë me urdhër të Enverit, por edhe pse u anulluan, po me urdhër nga Enveri. Gazeta “Telegraf” ekskluzivisht, do të publikojë në vazhdimësi, një sërë shkrime të rrëfimeve të ish kryehetuesit Prof. Dr. Qemal Lame. Në këtë numër, ish kryehetuesi zbardh telefonatën personale që i bëri Enveri, ftesa për një takim të veçantë dhe ideja e krijimit të Hetuesisë, e ndarë nga Sigurimi i Shtetit, në vazhdën e reformimit të drejtësisë.

Takimi i papritur me Enver Hoxhën në vitin 1981

E hënë, më 4 maj 1981, kam pasur një takim me Enver Hoxhën, papritur, të pabërë të ditur më parë. Rreth orës 18:00 po punoja në zyrë, në Prokurorinë e Përgjithshme. Ra zilja e telefonit:

– Qemal! Jam Enveri!

– Urdhëroni! Ju njoha nga zëri, shoku Komandant!

– Shumë mirë! Lexova studimin për krimet kundër shtetit që kishe dërguar. Janë rritur shumë. Hajde të bisedojmë!

– Si urdhëron, shoku Komandant!

– Hajde direkt tek dera kryesore. Nuk do të kesh asnjë pengesë.

Të thërriste Enver Hoxha për të biseduar ishte me të vërtetë një moment i jashtëzakonshëm! U ngrita menjëherë. Ecja me shpejtësi, pothuajse vrapoja … Në paradhomë, si përherë, ishte ndihmësi i tij, Haxhi Kroi. Vahid Lama nuk ishte në zyrën e tij. Haxhiu sapo më pa, e kuptoi përse shikoja për Vahidin, u ngrit nga karrigia dhe më tha:

– Shoku Enver po të pret në zyrë.

Sapo trokita, dëgjova zërin e shokut Enver nga brenda: Hyr!

– Hajde, Qemal. U bë mirë që po bisedojmë. Je shumë i ri, si fëmijët e mi! Por mendimet i ke të moshës së avancuar. Lexova studimin dhe thashë të bisedojmë. Më fol më konkretisht!

– Gjendja e kriminalitetit me treguesit për veprimtarinë armiqësore është e rëndë, shoku Enver. Në vitin 1980 u arrestuan për agjitacion e propagandë pothuajse 500 persona, nga familje të mira, rrallë ndonjë i deklasuar. Njerëzit kanë frikë nga Sigurimi i Shtetit. Ndjekja dhe arrestimet e shumta, në përqindje të lartë me numrin e popullsisë, tregon për intensitet të lartë të veprimtarisë armiqësore. Mendimi im është rritja artificiale e gjendjes së vërtetë të veprimtarisë armiqësore të agjitacionit e propagandës kundër partisë dhe shtetit. Të dhënat nuk përputhen me gjendjen e vërtetë politike, situatën në të cilën jemi, mendimet që diskutohen në popull, besimin që kanë tek Partia dhe te Juve, shoku Enver. Mendoj, së pari, se arrestimet janë shtuar artificialisht. Po zhvillohet një fushatë e gjerë e politikës penale që vë në fokus armiq të shumtë, veprimtari të frikshme të punës agjenturore, spiunë të shumtë të agjenturave të huaja në institucionet shtetërore etj.; Së dyti, ndjekjet, arrestimet e dënimet masive kanë krijuar pasiguri. Njerëzit me të drejtë ndjehen të shqetësuar e të pasigurt. Pritet e thuhet me frikë: Kush e ka radhën tani?! Etj.; Së treti, Ministria e Punëve të Brendshme ka zgjeruar në përmasa të frikshme agjenturën, ndalimet e arrestimet. Drejtuesit, por edhe punëtorët e thjeshtë operativë kanë krijuar kultin e njerëzve më të fuqishëm që po të vunë në shënjestër, je i arrestuar, dënuar, internuar! E kanë vënë rëndësinë e tyre mbi partinë e shtetin! …

– Je i sigurt për këto përfundime?

– Jam, shoku Enver!

Enveri: Në Ministrinë e Brendshme kemi probleme të mëdha. Fajtorë janë Kadriu dhe tani, Feçorri

 

Shoku Enver më pa me vëmendje, u mendua dhe më tha:

– Ke të drejtë! Fole dhe argumentove me përgjegjësi e kurajo. Si mendon? Kush e ka përgjegjësinë?

– Faji është i ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Sigurimit të Shtetit. Pas tyre janë po kaq fajtorë edhe kryetarët e degëve të punëve të brendshme në rrethe.

– Ke të drejtë.

– Është edhe një përfundim i katërt, por parësor nga rëndësia. Evidentohen shkelje të rënda të ligjshmërisë e të punës operative. Arrestimet nuk bazohen në prova të besueshme ligjore. Paraqiten si dëshmitarë bashkëpunëtorë të dekonspiruar, ose “të djegur” si thonë punëtorët operativë! Ka dyshime për dosje operative të falsifikuara tërësisht për të rritur vlerën e tyre drejtuesit e punëtorët operativë në rrethe dhe në njësitë e repartet ushtarake!

– Nuk kam raporte për këto veprime të paligjshme nga ministri, apo drejtori. Ekspozeja më bind… Ke të drejtë!… Do ta analizojmë në Byronë Politike… Këtë problem do ta vëmë edhe në raportim për ligjshmërinë në organet e Punëve të Brendshme që do të mbahet në Kongresin e 8-të. Kadriu dhe Feçorri janë përgjegjësit kryesorë…. Bëre mirë që dërgove përfundimet kryesore të studimit. Është e domosdoshme të ndryshohet gjendja e paligjshmërisë dhe fajtorët të ndëshkohen me rreptësi.

– E ndjeva detyrim, shoku Enver. Raportin e shkrova me përgjegjësi të jashtëzakonshme.

– Shumë mirë bëre…. Në Ministrinë e Brendshme kemi probleme të mëdha. Gjendjen do ta ndryshojmë rrënjësisht. Fajtorë janë Kadriu dhe tani Feçorri… Kemi telashe edhe me ata që i mbështesin. Disa e mbivlerësojnë veten. … Duan një hu që të vijnë në vete. … Flitet hapur në Bllok edhe për Ismail Kadarenë. Edhe ky do një hu të fortë!

Reformimi i drejtësisë: Hetuesia, e ndarë nga Sigurimi i Shtetit

Shoku Enver, pas një pauze, më pyet:

– Qemal! Më tërhoqi vëmendjen pjesa me mendimet për forcimin e ligjshmërisë në organet e punëve të brendshme, efektivitetin e prokurorisë e gjykatës. Ke dhënë idenë për riorganizimin e hetuesisë si organ i drejtësisë dhe veçimin nga organet e punëve të brendshme?! … Kam pasur vazhdimisht propozime që të forcohet politika penale duke u përfshirë edhe prokuroria në vartësinë e Qeverisë, deri edhe si strukturë në vartësi të Ministrit të Brendshëm! Nuk kam qenë i bindur… Si e argumenton ti si jurist? …

– Është ide e gabuar dhe me qëllime të paramenduara. Ministria e Punëve të Brendshme dhe vetë ministri, si anëtar i Byrosë Politike, janë bërë efektivisht me pushtet absolut. Imponojnë qëndrimet e tyre në veprimtarinë e partisë, të institucioneve shtetërore, prokurorisë e gjykatës, njerëzve të thjeshtë… Po të përfshihet edhe prokuroria në sistemin e organeve të pushtetit ekzekutiv të Qeverisë, do të ishte fatale për vendin tonë. Në teori dhe praktikën e ndërtimit dhe veprimtarisë së prokurorisë, në Lindje dhe në Perëndim, është pranuar dhe pushteti sui generis i prokurorisë me funksionin e akuzës. Prokuroria është e organizuar në shtetet kapitaliste perëndimore në vartësi të ministrit të Drejtësisë. Kjo është një traditë që vazhdon nga koha e Napoleon Bonapartit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vepron Byroja Federale e Hetimeve me veprimtari agjenturore dhe hetimore. Në shtetet e Lindjes, sipas modelit sovjetik, hetimi është i ndarë: Prokuroria heton krimet e vrasjes dhe kundër pronës, Policia krimet e tjera ordinere, Sigurimi i Shtetit krimet e rënda kundër shtetit. Kështu ka qenë edhe tek ne deri në vitin 1972. Ne e kemi suprimuar Ministrinë e Drejtësisë. Ministria e Brendshme insiston vazhdimisht që prokuroria të cilësohet veprimtari administrative dhe të jetë në strukturën e saj në vartësi të ministrit. Do të kemi një superministër dhe pushtet absolut. Ministri do të ketë mundësi të vendosë për gjithçka, megjithëse në Kushtetutë parashikohet se partia është forca udhëheqëse e shtetit dhe shoqërisë…. Përqendrohen të gjitha pushtet e ndjekjes operative, kallëzimeve, arrestimeve, hetimeve dhe dërgimit të të pandehurve në gjykatë. Bëhet fakt i kryer edhe dënimi nga gjykata, ku ministri dhe kryetarët e degëve të punëve të brendshme ndërhyjnë lirisht dhe imponojnë deri edhe masat e dënimeve! … Organet e drejtësisë nuk janë organe të punëve të brendshme. … Është e domosdoshme për të garantuar veprimtarinë normale të shtetit e të drejtësisë dhe parandaluar ndonjë të papritur nga qëndrime të pamundura për t‘u kontrolluar të ministrit të brendshëm. Ministri i Brendshëm ka qenë vazhdimisht anëtar i Byrosë Politike. Tani është anëtar i Komitetit Qendror. Thjesht ka rrezik potencial. Më fal që po flas kaq hapur, shoku Enver!

– Po dëgjoj me vëmendje! Ke të drejtë! Vazhdo!

– Mendoj se organizimi më efektiv është që secili institucion të ushtrojë funksionet në mënyrë të pavarur, të mos vihen në vartësi me rreziqe për pushtet të pakufizuar e imponues. Ministria e Punëve të Brendshme të mbrojë rendin dhe të veprojë me agjenturën për Sigurimin e Shtetit dhe Policinë. Hetuesia të riorganizohet si organ kushtetues i pavarur. Prokuroria të mbetet organ kushtetues e i pavarur, të kontrollojë zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve në institucionet ekzekutive, ekonomike e shoqërore, në hetuesi e në gjykatë, duke përfaqësuar edhe mbrojtjen e akuzës. Gjykata në vazhdimësi ka funksionin kushtetues të gjykimit e të dhënies së drejtësisë.

– Hetimet për krimet kundër shtetit ia kemi lënë Sigurimit të Shtetit. Po iu hoq hetuesia, do të krijohen vështirësi?!

– Problemi themelor për ndjekjen penale dhe dënimin është ligjshmëria, objektiviteti dhe besueshmëria në veprimtarinë proceduriale nga strukturat agjenturore, nga hetuesia dhe nga gjykata. Sipas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, në vitin 1972, krimet kundër shtetit dhe ato ordinere, janë kompetencë e Hetuesisë të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Drejtoria e Hetuesisë është në vartësi të ministrit. Hetuesit në qendër e në rrethe janë oficerë të Sigurimit të Shtetit. Megjithëse Drejtoria e Hetuesisë, është e ndarë nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, ato janë në vartësi të njëjtë nga ministri. Nuk ka dallim midis punës operative dhe hetuesisë. Sigurimi i Shtetit bashkëpunon konkretisht me hetuesit. Objektet nën përpunim realizohen me arrestime. Personat në ndjekje kallëzohen, hetohen e gjykohen pa u kërkuar llogari për objektivitetin dhe besueshmërinë e provave, dëshmitarëve etj…. Për vetë organizimin shtetëror dhe të drejtësisë në vendin tonë, si dhe gjendjen e rëndë të ligjshmërisë në ndjekjen agjenturore nga Sigurimi i Shtetit e Policia, nuk do të ishte efektiv as modeli i FBI-së.

– Këto mendime nuk i kam dëgjuar, ose lexuar nga ndonjë jurist tjetër!… Ti ke mendim të veçantë edhe për hetuesinë, Sigurimin e Shtetit, Policinë, prokurorinë, gjykatën!

– Organizimi i drejtësisë me hetuesinë, gjykatën e prokurorinë do të jetë origjinal. … Organizimi i Sigurimit të Shtetit dhe Policisë pa të drejtën për hetime, do të jetë po kështu, origjinal. …

– Prokuroria e gjykata nuk më kanë bërë propozime të kësaj natyre. Do të analizojmë e vendosim në Byronë Politike. …

– Qemal! Për këto që biseduam, mbeten midis nesh! Sinqeriteti dhe përgjegjësia jote, si dhe besimi që ke dëshmuar me punë e sjellje, më shtuan besimin dhe bisedën e hapur…

– Si urdhëron, Komandant!

Enveri u ngrit i pari. Duke buzëqeshur më dha dorën dhe më uroi “punë të mbarë” e “mbrëmje të mirë”.

Papritur dhe pa më marrë mendim u emërova në drejtorinë e hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nuk kisha menduar dhe nuk më kishte ardhur ndonjëherë mendimi se një ditë do të punoja në hetuesi! Ishte koha kur emërimet bëheshin nga partia. Në praktikën e asaj kohe, pas komunikimit të emërimit në detyrën e caktuar nga partia, shprehej falënderimi për besimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrës.

 Në kuadrin e Reformës së detyruar në Drejtësi, u ndryshua Kushtetuta, u krijua hetuesia si organ kushtetues i pavarur i drejtësisë, të cilën e drejtova për më shumë se dymbëdhjetë vjet. U arrit të mënjanoheshin në masën e mundshme praktikat e manipulimit të proceseve politike, të uleshin goditjet për çështje të ndjekura nga Sigurimi i Shtetit, në fund të viteve ‘80 të mos kishte asnjë person. Hetuesit nuk kanë qenë punëtorë operativë

Letërsia dhe arti në shërbim të regjimit

Letërsia dhe arti në periudhën e socializmit në Shqipëri me sistemin e mekanizmit shtetëror të diktaturës së proletariatit, është dëshmi e pasojave të rënda të përjetuara në të gjitha vendet ish-socialiste në politikën zyrtare, në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, si dhe të edukimit e të krijimtarisë intelektuale. Shkrimtarët, artistët, intelektualët, grupet letrare e artistike e dashamirësit më aktivë të letërsisë dhe të artit kanë qenë nën vëzhgimin e gjithanshëm të Partisë dhe mekanizmit të saj besnik të Sigurimit të Shtetit. Personat më të dyshuar për veprimtarinë armiqësore ndiqeshin, viheshin para përgjegjësisë penale dhe dënoheshin me masa të rrepta dënimi. Në periudha pesë dhe deri dhjetëvjeçare janë organizuar arrestime dhe internime që kanë marrë përmasat e fushatave për eliminimin dhe dënimin e kundërshtarëve politikë dhe të atyre që ishin kontigjentë me aktivitete, të cilët vlerësoheshin si të rrezikshëm për regjimin. Letërsia, arti dhe shtypi i përditshëm zyrtar, i kontrolluar plotësisht nga Komiteti Qendror i PPSH-së, nuk lejonin të publikoheshin tema me konflikte e drama shoqërore. Po të shprehje ndonjë mendim të pakontrolluar, menjëherë i hapje telashe vetes. Shkrimtarët dhe artistët, të vlerësuar si ndihmës të partisë për edukimin e njeriut të ri me ideale komuniste, u detyruan të mendojnë, krijojnë e veprojnë sipas kornizave të artit e letërsisë së realizmit socialist. Deputetët, intelektualët, shkrimtarët dhe klerikët e njohur për atdhetarizmin dhe kundër komunizmit u cilësuan të rrezikshëm, u përballën me dënimet me vdekje dhe internimet deri për gjithë jetën. Ministria e Brendshme ndërtoi një mekanizëm special të gjerë të agjenturës së frikshme të Sigurimit, me shtrirje në të gjitha strukturat e shtetit, shoqërisë, deri edhe në familje, me internimet, me metodat e fshehta të kontrollit të çdo personi, përpunimit aktiv, provokimit nga të njohurit, shokët e pjesëtarët e familjes, goditjes me arrestime që miratoheshin pa kontroll nga prokurori dhe dënimet e paracaktuara nga gjykata. Dhuna e pushtetit shtetëror dhe pasojat shumë të rënda vlerësohen me të drejtë si çmenduri e regjimit të Enver Hoxhës. Vetëm diktatori dhe vetëm ai për interesat e pushtetit të tij absolut bënte përjashtimet në raste shumë të rralla për personalitetet politike, të artit e të kulturës. Më shumë se 146 artistë janë dënuar për veprimtari armiqësore, internuar, burgosur dhe pushkatuar.

Vijon