Mospjesëmarrja e kryeministrit në Kuvend, akuza dhe kundër-akuza të forta

609
Një seancë e shoqëruar me tone të ashpra nga opozita, deputetë me fjalime të përgatitura, objektiv i radhës sërish droga dhe krimi i veshur me pushtet
Seanca e radhës në Kuvendin e Shqipërisë nisi si zakonisht me debate, të cilat detyruan Kryetarin e Kuvendit të ndërmerrte një vendim për pushim deri sa të qetësoheshin deputetët e opozitës, të cilët kërkonin me çdo kusht praninë e kryeministrit në sallë. Dita ishte e ngjeshur me debate dhe diskutime që vërtiteshin rreth të së njëjtës temë. Kryefjala e këtij Kuvendi ishte vetëm trafiku i drogës, përfshirja e ministrave të Ramës në të, heshtja e kryeministrit dhe aferat korruptive, të cilat sipas opozitës kallëzohen nga qytetarët nga dita në ditë. Për Lulzim Bashën, tashmë krimi i organizuar, me bekimin e qeverisë, po merr në kontroll ekonominë e vendit. “Nuk është rastësi që Saimir Tahiri paratë dhe dokumentet që s’donte t’ia kapte Prokuroria, ja dha një biznesmeni, i cili me makinën e një biznesmeni tjetër i mori ato. Të dy kanë përfituar tenderë nga Saimir Tahiri. Nuk është rastësi që Qazim Sejdini ka një agjenci doganore që po hetohet për trafik droge. Nuk është rastësi që Elvis Rroshi është ndërtuesi më i madh në zonën e Kavajës. Nuk është rastësi që Vangjush Dako është njëkohësisht kryebashkiak, biznesmen dhe kryekapobanda i Durrësit. Nuk është rastësi që familjarët e pushtetarëve, duke nisur nga i pari i qeverisë dhe me radhë, befas kanë pasion për bankat. Çdo gjë do të thellohet me projektin 1 mld. Një projekt kriminal që do të shkrijë në një, krimin, biznesin dhe politikën”, tha Basha. Për kryedemokratin, lufta kundër krimit të organizuar nuk mund te zgjidhet me strategji teknike. Ndërkohë që kryeministri nuk ndodhej në sallën e Kuvendit, në emër të tij akuzave të Bashës iu përgjigj, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla. “Klement Balili, Lulëzim, ti e di fare mirë, nuk ka lidhje me Partinë Socialiste, është përfaqësues i LSI. Nipi i Klement Balilit është kryetar i Bashkisë Delvinë, i propozuar nga LSI. Mund ta pranonim përgjegjësinë kur ishim në koalicion me LSI, por nuk mund ta pranojmë sot. Nëse je burrë, Lulzim dil e thuaj kujt i takon, se të njëjtën gjë je duke bërë me Kapllanajn. Agron Kapllanaj hyn nën veprimin e ligjit të Dekriminalizimit. Nuk ka gjë që e shpëton. Po, e shpëtoi urdhri i Lulzim Bashës kundrejt Klement Zgurit. E si nuk ju vjen turp juve që vini nga mëngjesi në darkë e na flisni për kriminelë, kur krimineli i partisë tuaj, qenka burrë i mirë. Elis Rroshi? Po, ne e shkarkuam. Kryeministri e shkarkoi, bëni dhe ju si ne”, u shpreh Balla. Edhe pse Lulzim Basha la sallën e Kuvendit menjëherë pasi në foltore u ngjit Taulant Balla, deputeti i PS reagoi ndaj kreut të Partisë Demokratike.

“Më vjen shumë keq për degradimin e Partisë Demokratike. Ai që e ka hundën nën kësulë dhe që themeluesit e PD-së e kritikojnë se po shkatërron këtë parti, tani po na qan hallin edhe të Partisë Socialiste”, tha Balla. Ndërkohë i mbushur me akuza të rënda në Kuvend ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai tha se Rama dhe Tahiri janë të dy të përfshirë në trafikun e drogës. Berisha tha se Saimir Tahiri i ka dërguar në zyrë 3 milionë euro Edi Ramës pas rënies së avionit në Ishëm, me qëllim që të mos shkarkohej nga detyra si ministër. “A nuk ishte opozita që tha se në Ishëm ra avioni. Por jo vetëm në Ishëm. Edi Rama përgatiti shkarkimin? I dërgoi 3 milion euro në zyrë Saimir Tahiri, Edi Ramës. Saimir Tahiri nuk u shkarkua. Me qindra herë denoncuam që vendi po mbushet me kanabis. A nuk kemi denoncuar ne Saimir Trafikun, se në vitin 2013 ishte i pari që importoi skafin? Edi Rama nuk e mori parasysh, do t’i jepte atij portofolin më të rëndësishëm. A nuk jemi ne që denoncuam, pasi oficeri Zagani zbuloi lidhjen e Saimirit me Habilajt. Ishte makina me targën e tretë më e rëndësishme ne vend, por Edi Ram e mbrojti përsëri. A i e shpalli ministër më të suksesshëm. A nuk jemi ne që denoncuam avionët me drogë. Cila ishte përgjigja e Ramës? Halucinacione dhe mushkonjat ju duken avionë”, tha Berisha.
Sigal