Mosmiratimi ende i zonave të Administrimit Zgjedhor, bllokim serioz i procesit përgatitor të zgjedhjeve të ardhshme vendore

419
Sigal

Në datën 8 mars 2015 është afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor për propozimin e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) prej PS-së, PD-së, LSI-së dhe Partisë Republikane. Ky afat pasohet nga një tjetër afat, në datën 23 mars 2015, i cili është afati për miratimin dhe ngritjen e këtyre Komisioneve prej KQZ-së. KZAZ-të janë përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor brenda Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe në rastin e Zgjedhjeve Lokale kanë përgjegjësi të shtuara dhe të posaçme, pasi pranë tyre bëhet regjistrimi i kandidatëve për kryetar bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë, si dhe janë ato të cilat shpallin kandidatët fitues për Kryetar Bashkie. Koalicioni i Vëzhguesve Vendor ka ngritur në vazhdimësi shqetësimin e tij lidhur me mosrespektimin e standardeve, paplotësinë e kuadrit ligjor zgjedhor dhe me mungesën e vullnetit politik për t’i adresuar ato. Ngritja e KZAZ-ve e cila shënon në vetvete intensifikimin e proceseve, që duhen përgatitur për realizimin e procesit zgjedhor të datës 21 qershor 2015, tashmë është e pamundur dhe ka ngecur për shkak të paplotësisë ligjore e konkretisht për shkak të mos ndryshimit të Kodit Zgjedhor, të paktën përsa dikton ligji i ri i ndarjes administrativo-territoriale. Ndarja aktuale e territorit në 89 ZAZ të miratuara në Zgjedhjet e kaluara parlamentare, për Zgjedhjet Lokale të 21 qershorit rezulton e pambështetur në ligj, pasi ajo është miratuar duke u bazuar mbi rrethin administrativ si juridiksion territorial, i cili nuk ekziston më si koncept në ligjin e ri administrativo-territorial të miratuar. Po ashtu kjo ndarje nuk është as funksionale, pasi në një pjesë të konsiderueshme të ZAZ-ve nuk sigurohet kriteri i pandashmërisë, në ndarjen e re me 61 bashki. Në kushtet e paplotësisë së Kodit Zgjedhor, KQZ-ja nuk mund të miratojë zonat e reja të Administrimit Zgjedhor dhe as partitë politike përgjegjëse nuk mund të bëjnë propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, pasi një nga kriteret është vendbanimi brenda ZAZ-së përkatëse. KQZ, paçka se jashtë kompetencave që i njeh ligji, i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë në fillim të muajit shkurt, duke propozuar edhe ndryshimet përkatëse. Këto propozime janë marrë parasysh dhe janë mbështetur nga deputetët, Blendi Klosi, Ulsi Manja, Vexhi Muçmata dhe Petrit Vasili, të cilët në ushtrim të së drejtës së tyre ligjvënëse, më datën 23.02.2015 i kanë propozuar Kuvendit marrjen në shqyrtim dhe miratimin e një drafti për ndryshime në Kodin Zgjedhor, draft i cili ende nuk është marrë në shqyrtim. Lidhur me këtë draft Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë sjell në vëmendje të Deputetëve Nismëtarë të rishohin edhe një herë të dhënat mbi numrin e shtetasve me të drejtë vote, mbi të cilën janë bazuar në përcaktimin e numrit të ZAZ-ve, në mënyrë që edhe ky proces të jetë i bazuar në ligj. Gjithashtu, në përcaktimin e numrit të ZAZ-ve, të marrin parasysh edhe kriterin e numrit të përafërt të zgjedhësve në bashkitë me më shumë se 80.000 zgjedhës. Koalicioni vazhdon të mbetet mjaft i shqetësuar për tensionin e lartë politik në vend dhe veçanërisht për mungesën e komunikimit dhe vullnetit për të bashkëpunuar midis maxhorancës dhe opozitës në ndërmarrjen e reformës zgjedhore dhe reformave të tjera të domosdoshme. Koalicioni nxit forcat politike dhe veçanërisht deputetët e tyre në Parlament që, në kushtet e pamundësisë për një Komision të Posaçëm Parlamentar, të angazhohen të gjithë për shqyrtimin sa më parë dhe miratimin e përbashkët të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke ruajtur traditën institucionale të bashkëpunimit në këtë proces, si një shenjë besimi reciprok në përcaktimin e kuadrit rregullator të garës elektorale.

Problematika me KZAZ-të

  1. Kandidatët për organet e Bashkive, territori i të cilave nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme, regjistrohen në KQZ.
  2. Kriteri i pandashmërisë përcakton se një KZAZ shpall rezultatin, ose vetëm të një Bashkie, ose vetëm të një pjesë të saj, (në rastin e bashkive mbi 80.000 zgjedhës), por në çdo rast vetëm të një pjesë dhe vetëm të një bashkie, dhe jo të disa pjesëve që iu përkasin bashkive të ndryshme.
  3. Përcaktimi i Bashkive të reja dhe ndarja territoriale në fuqi me 89 ZAZ e bën të pamundur nxjerrjen e rezultatit, pasi këto ZAZ në territorin e tyre përfshijnë territore të cilat iu përkasin pjesërisht Bashkive të ndryshme. P.sh. në qarkun e Beratit, territori i ZAZ 64 përmban njësitë administrative “Ura-Vajgurore”, “Cukalat”, “Kutalli”, “Poshnjë”, të cilat në ndarjen e re administrative janë njësitë përbërëse të Bashkisë Ura-Vajgurore. Ndërkohë kjo ZAZ përfshin në territorin e vet edhe njësinë administrative “Sinjë”, e cila është njësi përbërëse e Bashkisë Berat, sipas ndarjes së re administrative.
  4. ZAZ-të miratohen nga KQZ-ja mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote, që Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon KQZ-së 10 muaj përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit. Numri i zgjedhësve në njësitë përbërëse,  që figurojnë në projektin-draft të ZAZ-ve, nuk korrespondon me numrin e zgjedhësve në këto njësi as në ZAZ-të e miratuara me vendim të Kolegjit Zgjedhor në 03.01.2013 dhe as me numrin e tyre në listën finale të zgjedhësve të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

ZAZ me  diferenca të mëdha të numrit të banorëve

Në draftin e propozuar nga deputetët nismëtarë ka disa bashki ku ZAZ-et përbërëse kanë diferenca të mëdha me njëra-tjetrën në numrin e zgjedhësve. Kështu: në bashkinë Shkodër, 3 ZAZ kanë afërsisht 30. 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 68. 000 të tillë; në bashkinë Durrës 3 ZAZ kanë afërsisht 54. 000 – 56. 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 67. 000 të tillë; në bashkinë Kamzë njëra ZAZ ka rreth 29. 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 61. 000 të tillë; në bashkinë Elbasan 3 ZAZ kanë afërsisht 32. 000 – 35. 000 zgjedhës, ndërsa e katërta ka rreth 60. 000 të tillë; në bashkinë Lushnjë njëra ZAZ ka rreth 44. 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 57. 000 të tillë dhe në bashkinë Korçë njëra ZAZ ka 34. 000 zgjedhës, ndërsa tjetra ka rreth 73. 000 të tillë.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti në një takim Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti dje në një takim Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë, një organizatë jo qeveritare që merret kryesisht me monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Koalicioni nënvizoi nevojën urgjente për ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor, si një domosdoshmëri për vijimin e mëtejshëm të përgatitjeve të procesit zgjedhor, të ndarjes së zonave të administrimit zgjedhor, caktimin e anëtarëve të KZAZ-ve, e të tjerë. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e çmoi si shumë të drejtë shqetësimin e Koalicionit për realizimin në një kohë sa më të shpejtë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe konfirmoi se Komisioni i Ligjeve në Kuvend do të mbajë një mbledhje jashtë radhe për këtë çështje, që këtë javë.