Dinamit, kapsolla dhe materiale të tjera luftarake, arrestohet supervizori

419
Sigal

Vidhet Mjekësi, uzina po shkatërrohet nga themelet

Uzina e demontimit të armëve dhe municioneve në Mjekës të Elbasanit, pothuajse gjendet në prag të mbylljes dhe rrënimit. Pavarësisht se magazinat e saj gjenden të mbushura me material luftarake, ende nuk dihet sepse atje puna dhe proceset e demontimit kanë mbetur pezull. Por sikur të mos mjaftonte kjo, sikur të mos mjaftonte boshatisja e uzinës nga punëtorët e saj për shkak të “reformave” nga 300 dikur, në 30 sot, kjo uzinë është bërë “gjahu” i vjedhësve nga ata që punojnë brenda saj. Ditën e shtunë pasdite, Sektori për Narkotikët dhe Trafiqet në bashkëpunim me Policinë Ushtarake të Uzinës së Mjekësit ka arrestuar në flagrancë shtetasin Fatmir Zaim Lushaj, 53 vjeç me detyrë supervizor në Uzinën e Mjekësit. Lushaj 53-vjeç i lindur në Vlorë dhe banues në lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Elbasanit, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 800 copë kapsolla plasëse detonatorë elektrikë e 600 copë kapsolla plasëse detonatorë me fitil. Policia ushtroi një kontroll të imtësishëm në banesën e këtij shtetasi ku u gjetën 400 copë të tjera kapsolla plasëse detonatorë elektrike. Në total u sekuestruan 1200 kapsolla plasëse detonatorë elektrike dhe 600 copë kapsolla plasëse detonatorë me fitil. Fatmir Lushaj akuzohet për veprat penale “trafikimi i lëndëve plasëse dhe eksplozivëve”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” si dhe “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Ky nuk është rasti i parë kur uzina e demontimit të Mjekësit bie preh e personave që abuzojnë dhe e vjedhin atë. E njohur dikur si “pararoja e uzinave dhe ndërmarrjeve që ka pasur Ministria e Mbrojtjes”, sot ajo është katandisur në gjendje të mjerueshme. Kjo natyrisht ka ardhur pas largimit të specialisteve dhe marrjes së personave që asgjë  nuk i ka lidhur me ushtrinë, proceset e punës në uzinat ushtarake, duke krijuar një vatër të rrezikshme për fatet e asaj uzine. Arrestimi i supervizorit të uzinës, tregoi se sa larg sigurisë është fati i saj, sa të pasigurta janë pajisjet dhe makineritë e demontimit, magazinat  dhe gjithçka tjetër atje. Por natyrisht kjo është pasojë edhe e mungesës së kontrollit të brendshëm dhe atij nga Ministria e Mbrojtjes e cila ka kohë që e ka lënë pas dore uzinën e vetme që kryen demontimin modern të armatimeve të vjetra dhe municioneve luftarake. Disa muaj më pare një grup ushtarakësh që shërbejnë në uzinën e Mjekësit, denoncuan tek “Telegraf” mungesën e drejtuesve dhe komandantëve të batalionit, si dhe mjaft probleme të tjera që lidhen me pagesat, pajisjet ushtarake, kushtet e punës dhe jetesës. Uzina e Mjekësit është klasifikuar si “Objekt i rëndësisë së veçantë”, dhe si e tillë meriton vëmendje maksimale nga Ministria e Mbrojtjes por edhe kujdes të veçantë nga ata që kanë marrë përsipër reformimin e saj, për të afruar njerëz profesionistë dhe të verifikueshëm dhe jo militantë të paditur.

 BEN DELIMETA