“Misioni i pajtimit” qeveri-opozitë Fleckenstein sot takim me Bashën

471
Sigal

TIRANE- Negociatat dhe misioni i ndërkombëtarëve për rikthimin e opozitës në Kuvend brenda seancës së 24 dhjetorit nisi me ardhjen në Tiranë të eurodeputetit Fleckenstein. Bashkëpunimi mes eurodeputetëve Fleckenstein dhe Kukan, pritet të finalizohet me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës e cila do t’i jepte fund bojkotit 5 mujor parlamentit nga opozit, e cila u ndërmor fillimisht nga dhuna që u shkaktua ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri.

Fleckenstein takimin e tij të parë, pas mbërritjes së tij në Tiranë e zhvilloi të enjten me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, ndërsa sot takon kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Pas takimit që zgjati rreth 30 minuta, kryeparlamentari Meta u shpreh se mazhoranca është e hapur për bashkëpunim dhe dialog me opozitën, ndërkohë që kërkoi që kërkesat e tyre të jenë më të qarta dhe të formuluara e të depozituara në Kuvend.

Ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo dialog dhe marrëveshje që bazohet mbi parimet demokratike edhe në respekt të parimeve kushtetuese që ndihmon në funksionimin më të mirë të kuvendit, dhe krijimit të hapësirave të nevojshme për opozitën.Kemi qenë dhe mbetemi të hapur për çdo iniciative që do të propozohej nga opozita e cila ka ngritur këtë pretendim disa here, edhe në funksion të një kontrolli me të mirë të figurës parlamentare dhe përfaqësuesve politike sot edhe në të ardhmen. Por një propozim apo draft i tillë ende nuk mund të konfirmohet nga askush”, deklaroi Meta.

Ndërkohë negociatari Fleckenstein ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin Rama mbrëmjen e djeshme.

Gjatë takimit kreu i qeverisë ka shprehur garancinë e tij për arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me opozitën. Pika kryesore për të cilën mazhoranca dhe opozita nën monitorimin e ndërkombëtarëve do të bien dakort do të jetë nisja e procesit për hapjen e rrugës së bërjes së një ligji për dekriminalizimin e Kuvendit. Fleckenstein dhe Kukan do të mbajnë takime në Tiranë me liderët politikë me të njëjtat mesazhe për inkurajimin e opozitës që të rikthehet në Parlament dhe të rikrijojë dialogun politik dhe pjesëmarrjen e saj në punët parlamentare.

Eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, përmes një deklarate të përbashkët për shtyp një ditë më parë i kanë bërë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend.

Prej 5 muajsh opozita ka opozita ka braktisur Parlamentin, e teksa pas takimeve respektive të kryeministrit Edi Rama e kreut demokrat Lulzim Basha në BE, u arrit një marrëveshje në parim, për krijimin e një ligji për dekriminalizimin e Kuvendit si kusht i fundit që opozita të rikthehet këtë vit, më 24 dhjetor.