Ministri Olldashi inspekton punimet në Roskovec, pjesë e rikonstruksionit të rrugës Fier-Roskovec-Berat

408
Sigal

Ministria e Punëve Publike ka nisur rikonstruksionin e rrugës Fier – Roskovec – Berat, njërit prej akseve kombëtare më të amortizuar në vend. Kjo u konfirmua nga ministri i Punëve Publike, z. Sokol Olldashi, gjatë një inspektimi që ky i bëri punimeve tashmë të filluara në qendër të qytetit të Roskovecit. Olldashi tha se me një investim prej 86 milionë lekësh nga qeveria shqiptare do të rikonstruktohen 5.5km, duke filluar nga hyrja e qytetit të Roskovecit deri në komunën Strum dhe një kilometër përgjatë komunës së Zharrëzës. Olldashi tha se, në fillim të vitit të ardhshëm, këtë herë me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, do të nisë rikonstruksioni i një pjese të rëndësishme të të njëjtit taks, nga kthesa e Patosit deri në hyrje të Roskovecit. Ministri i Punëve Publike, njëkohësisht deputeti qarkut Fier tha se kjo rrugë është vetëm një nga investimet e rëndësishme të një pakete infrastrukturore që qeveria shqiptare po financon në këtë rajon. Ai tha se ka nisur tashmë rruga për unazën e Roskovecit, ndërkohë që pritet brenda pak javësh të nisë punë për rrugën e Luarit në komunën Kuman dhe për rrugën e qendrës së Komunës Kurjan.