“Kush vjen me 27 Nëntor në Vlorë të marrë bukë me vete”

465
Sigal

Kryebashkiaku i Vlorës replikën me Kryeministrin për ditën e festimit të Pavarësisë

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika ka akuzuar Kryeministrin e vendit Sali Berisha se po përpiqet të lërë në hije qytetin e Vlorës në 100- vjetorin e Pavarësisë. I ftuar në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Kryebashkiaku i Vlorës, u është përgjigjur deklaratave të kreut të ekzekutivit për festimet e 100- vjetorit të Pavarësisë, festimet e të cilave i përqendroi në Tiranë. “Vlora për 28 Nëntor do jetë gati, gjithçka do jetë në kohë. Më lejoni që të shpreh falënderimin si kryetar i Bashkisë Vlorë në lidhje me sensibilizimin se 28 Nëntori është i lidhur ngushtë me qytetin e Vlorës dhe me emrin e Ismail Qemalit. Buxheti i Bashkisë praktikisht është zero për shkak të një akti normativ të Bodes që është bërë ‘de facto’ pa vendimin ‘de jure’ të Kuvendit. Unë deklaroj këtu se interesi dhe dëshira e qeverisë nuk ka për t’u realizuar”,- deklaroi Gjika. Kryebashkiaku Gjika akuzoi qeverinë se, ka shkurtuar fondet për Bashkinë e Vlorës, në një kohë që i ka përqendruar ato në Bashkinë Tiranë, për të ngritur shtatore sipas vendimeve personale. “Qeveria ka dhënë vetëm 39 milionë lekë për Vlorën. Sali Berisha është kujdesur se me paratë e taksapaguesve të bëjë shtatoren e Zogut, ndërkohë që, Bashkia e Vlorës nga të ardhurat e saj do ngrejë shtatoren e Ismail Qemalit. I akordoi 160 milionë lekë për dekorin Bashkisë Tiranë, ndërkohë që Vlora po e realizon me fondet e veta”,- shtoi Gjika. Sipas Gjikës, Vlora do të festojë siç duhet 28 Nëntorin në ditën e saj duke paralajmëruar ‘se kush vjen me 27 në Vlorë të marrë bukë me vete’.