Basha akuzon zyrtarët e huaj: Fshinë raportet e drogës, janë bërë njësh me Ramën

444
Kryetari i Partisë Demokratike, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Shkodrës sot në çadrën e protestës, u kap me zyrtarët e huaj, sipas të cilit ata janë bërë njësh me kryeministrin Edi Rama për xhepat e tyre të korruptuar.
Kreu i opozitës tha se droga e korrupsoni janë fshirë nga raportet e zyrtarëve të huaj.

“Droga, krimi e korrupsioni janë fshirë nga raportet e zyrtarëve të huaj në Tiranë. Ata sot janë bashkëfajtorë me Ramën. Kanë mohuar krimin, e kanë mohuar drogën, e janë bërë njësh me Ramën, për xhepat e tyre të korruptuar, jo për interesat e BE-së,” tha Basha.

Ai gjithashtu vijoi me akuzat e ditëpërditshme se Rama po përdor kriminelët për kapjen e zgjedhjeve.

“Demokraci do të thotë vendimmarrje e kontroll nga pakica e zgjedhur legjitime. Por kupola e Republikës së Vjetër ka tjetër projekt. Kanë synim pasurimi i banditëve me në krye Edi Ramën. U sollën kriminelë në institucione, kryetarë bashkish, drejtorë policish. Një nga një institucionet u kapën nga kriminelët, që Rama nuk i gjeti, por i solli në PS si vegla për kapjen e shtetit, jo për të mirën e qytetarëve, por vetëm për pushtetin e vetes dhe çetës së tij bandite. Ja pse Rama e ka jetike kapjen e zgjedhjeve të ardhshme. Kjo është arsyeja se pse Rama e ka jetike që Reforma në Drejtësi të mos bëhet sipas konsensusit të 22-korrikut, por sipas reformës Rama-Xhafaj-Shullazi-Tahiri. Miliarda euro vodhën, një grup njerëzish e kthyen Shqipërinë në Panama. Por shqiptarët e thjeshtë u varfëruan. Fuqia blerëse e shqiptarit në nivele afrikane. Kjo është vepra e Rilindjes së krimit. Gjithçka është bërë në funksion të kapjes së zgjedhjeve. Nëse ne nuk pranojmë të jemi fasadë, një parlament monist, rikthim 27 vite më parë,” tha Basha.
Sigal