Milot/ Policia u mundua të shpërndante protestuesit, si të paligjshëm

570
Tensione mes policisë dhe protestuesve vetëm pak minuta pas bllokimit të kryqëzimit të Milotit, në orën 09:45 e paradites së sotme. Policia u bëri thirrje të shpërndahen duke iu kujtuar se bllokimi i rrugës dhe pjesëmarrja në tubimin e paligjshëm është vepër penale.

Me megafon, policia iu drejtua protestuesve: “Lejoni lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të automjeteve. Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime të paligjshme, pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit përbën vepër penale. Duhet të shpërndaheni, sepse tubimi është i paligjshëm. Në të kundërt mbështetësit e ligjit do të veprojnë me procedimin penal!”. Pas këtij paralajmërimi u kundërpërgjigj deputeti demokrat. Bardh Spahia: “Mos provokoni!”. Policia: “Largohuni nga rruga, ruani qetësinë!” Bardh Spahia: “Mos provokoni!” Kërkesa është kundërshtuar dhe nga pjesëmarrësit në protestë. Qytetarët: “Do na arrestoni natën, ku i keni trafikantët e drogës? Ata shikoni.” Drejtuesi i protestës në këtë aks, Flamur Noka e ka konsideruar kërkesën provokim. Flamur Noka: “Çdo futje në turmë e policëve është provokim. Qytetarët janë në të drejtën e tyre për të protestuar, qeveria ka shkelur me dy këmbët ligjin. Në momentin që qeveria u hipën në shpinë qytetarëve, atyre u lind e drejta të reagojnë dhe të mos i binden. Nuk është qeveri e qytetarëve por e banditëve. Nuk ndalemi në këtë rrugë.” 
Sigal