Meta: Zgjidhjet me Greqinë, me përgjegjësi politike, ligjore e publike

176
Presidenti i Republikës reagon për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bisedimet e fundit mes qeverive të Tiranës e Athinës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, reagoi lidhur me deklaratat e ndryshme për një marrëveshje mbi ndarjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Duke iu përgjigjur interesimit të qytetarëve, Kreu i Shtetit tha se po e ndjek me kujdes këtë çështje. “Të dashur komentues, i jap të drejtë shqetësimit tuaj, të nxitur edhe nga lajmet dhe deklaratat e ndryshme lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë. Unë jam duke ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes, por jo me nxitim, këtë çështje të rëndësishme dhe si President i Republikës do të veproj konform Kushtetutës dhe kompetencave e përgjegjësive politike, ligjore e publike ndaj kësaj çështjeje. Marrëdhëniet me Greqinë janë shumë të rëndësishme dhe trajtimi i tyre me transparencë, gjithëpërfshirje dhe konform Kushtetutës, ligjeve ndërkombëtare dhe interesave reciproke të të dy vendeve do të kontribuonte pozitivisht për një progres të tyre, më të fortë, të qëndrueshëm dhe të dëshiruar nga të gjithë”, u shpreh Presidenti i Republikës. Opinioni publik është tronditur dy ditë më parë nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të qeverisë greke, të cilët njoftuan dakordësinë me Tiranën zyrtare për zgjerimin e kufirit detar. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, deklaroi se është arritur dakordësi me Shqipërinë përsa i takon vijës së kufirit detar mes dy vendeve dhe tha se Greqia do të përfitojë nga kjo 12 milje detare. “Për Zonën Ekonomike Ekskluzive bëmë 13 orë negociata në fazën përfundimtare. Kishim filluar të diskutonim më përpara dhe më pas i pamë gjërat më hollësisht në Kretë në negociatat katërditore dhe në Korçë”, tha kryediplomati grek. Ai sqaroi se bëhet fjalë për zgjerimin e zonës bregdetare kombëtare deri në 12 milje. “Sa për Zonën Ekonomike Ekskluzive mund ta shpallim, pasi pala tjetër ka pranuar që gjithsesi kemi të drejtë 12 milje dhe këtë e ka pranuar pala shqiptare”, u shpreh ministri i Jashtëm grek, i cili zhvilloi dy raunde negociatash me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, në Kretë dhe Korçë. Shqipëria dhe Greqia u duk se afruan qëndrimet e tyre pas disa seancash bisedimesh, por deklaratat e Kocias kanë sjellë jo pak tension në Tiranë, këtë herë jo në pjesën qeveritare, por në opinionin publik.