Meta: Referendumi, e vetmja rrugë për ta nxjerrë Shqipërinë nga “rrethi vicioz”

162

Kreu i shtetit, Ilir Meta shprehet se e vetmja zgjidhje për krizën aktuale dhe për të mos lejuar që kriza të tilla të përsëriten është vendosja e qytetarëve me referendum. Në një intervistë për “ABC News”, Presidenti shtoi se “E kam theksuar edhe më parë, që rruga e vetme që vendi të dalë nga ky rreth vicioz i paaftësisë për të ndërtuar institucione të besueshme, llogaridhënëse dhe që garantojnë gjithmonë mbrojtjen e Kushtetutës, të interesit kombëtar, të interesit publik dhe rrjedhimisht të interesit të përgjithshëm qytetar është rruga e përdorimit të referendumit”.

 Gazetarja: Të flasim pak për reformën në drejtësi që ne e përdorim si etalon le të themi të përparimit tonë dhe natyrisht me të cilën mburremi kur kërkojmë hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Ju jeni personi që si Kryetar Kuvendi e imponuat këtë konsensus dhe keni histori për kalimin e votimit me 140 vota në korrik të 2016-s, por reforma në drejtësi është akoma në proces. Nuk kemi Gjykata Kushtetues nuk kemi Gjykatë të Lartë, lajm i mirë është se kemi SPAK, por gjithsesi është në fillimet e veta, ndërkohë na është ushqyer pritshmëria për SPAK. Besoj dhe ju atëherë kur u ndërtua reforma në drejtësi me kalimin e kohës kemi dhe deklaratat e ambasadorëve “peshk i madh, peshk i vogël”, “kush do ta ketë radhën”. A ka frikë Ilir Meta nga SPAK?

Presidenti Meta: Është shumë për të ardhur keq, se në ditën që është bërë betimi i anëtarëve të SPAK-ut, të cilëve edhe unë u kam uruar suksese, madje ka qenë një ditë e mbushur me urime të jashtëzakonshme nga të gjithë, nga Partia Demokratike, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, nga mazhoranca po e po, nga të gjitha ambasadat në Shqipëri, më ka bërë përshtypje po atë mbrëmje, një sondazh te kolegu juaj Blendi Fevziu te emisioni “Opinion”, ku pikërisht pyetjes, se cilat ishin pritshmëritë e shqiptarëve, a prisnin sukses apo jo nga kjo strukturë e krijuar dhe e pa atakuar publikisht nga askush, përgjigjia ishte: gati ¾ nuk kishin besim.

Mendo sikur të bënim një testim pas kësaj që ka ndodhur me Gjykatën Kushtetuese, pas sjelljes së Kuvendit dhe kryetarit të KED-së, se sa është besueshmëria në opinion e pavarësisë që njerëzit mund të mendojnë se mund të ketë Gjykata Kushtetues në të ardhmen.

Një vend le të ketë Kushtetutë të mirë sa të dojë, nëse ka një Gjykatë Kushtetuese pa integritet, që në atë moment është një vend pa Kushtetutë.

Gazetarja: Ju mendoni që politikanët do ia hedhin si gjithmonë?

Presidenti Meta: Jo, unë mendoj se po të ishte një tjetër sondazh, “A po politizohet reforma në drejtësi?”, 86 % e shqiptarëve do shpreheshin se mendojnë që reforma në drejtësi po politizohet.

Pse i përmenda këto aspekte? Sepse nuk është e rëndësishme vetëm se çfarë mendon Ilir Meta.

Është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë qytetarët shqiptarë, që para tre katër vitesh kishin të tjera pritshmëri.

Reforma mori një goditje në zemër, që në momentin që u zgjodh në mënyrë anti-kushtetuese Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, dhe këtu padyshim që përgjegjësia kryesore ishte e mazhorancës, dhe e atyre përfaqësive diplomatike që bënë një noterizim tërësisht anti-kushtetues.

Të gjithë i dimë pasojat gati pas më shumë se dy vitesh,se si kanë ecur hetimet për çështjet më të bujshme.

Shpresojmë që në të ardhmen te ketë rezultate më të mira dhe pozitive, por duket që presioni dhe kontrolli politik nga ana e mazhorancës ndaj drejtësisë është tepër evidente, dhe për një arsye, sepse praktikisht të gjithë instrumentet e vetting-ut kontrollohen nga qeveria dhe nga parlamenti, i cili është nën kontrollin e plotë të qeverisë aktualisht.

Gazetarja: A mund të jetë ky kontroll nga qeveria në organet e drejtësisë një arsye për të pasur ju frikë?

Presidenti Meta: Së pari, dua t’ju siguroj për herë të njëmiliontë, që Ilir Meta nuk i druhet dhe nuk i është druajtur asnjëherë asnjë institucioni drejtësie në Shqipëri dhe në botë.

Së dyti, frika është një çështje ose arsye që nuk kam pse ta kem, sepse jam i bindur se gjithmonë i jam përmbajtur ligjeve në fuqi në çdo sjellje timen, për më shumë që kam qenë edhe politikani më i monitoruar nga të gjithë.

Frika është një çështje karakteri dhe personaliteti. E kam thënë më parë po e them dhe një herë, dallimi midis atij që ka frikë dhe atij që nuk ka frikë është se ai që nuk ka frikë vdes një herë në jetë, ai që ka frikë vdes përditë. Pra, frika është çështje personaliteti nuk është thjesht një çështje, e cila mund të imponohet me pahir. Zakonisht ata që kanë frikë kalojnë nga gabimi në gabim, ndërsa ata që janë me kurajo dhe kur bëjnë një gabim e pranojnë atë.

Gazetarja: Më përmendët pak ambasadorët, do të doja t’ju kujtoja, që ju keni thyer një tabu si President, se ambasadorët nuk janë të pakritikueshëm. Keni shigjetuar shumë ashpër në konferencat tuaja për shtyp të fundvitit të kaluar, a keni patur reagim prej tyre? Kujtoj që keni bërë prapë një gjest të rëndësishëm, siç është shpallja “non grata” këtu, në këtë institucion, e ambasadorit të OSBE-së.

Presidenti Meta: Dua t’ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, se kemi 30 vite në demokraci tashmë. Kemi qenë një vend tërësisht i izoluar, kemi qenë Koreja e Veriut të Europës, sepse nuk krahasohet komunizmi jonë me atë në ish-Jugosllavi apo kudo tjetër. Mbaj mend një profesor të Universitetit Bujqësor që më thoshte se në vitin 1991-1992, na vinin ca ekspert të huaj, ku merrnin fonde nga projektet e asistencës teknike. Dihet që Universiteti jonë i Bujqësisë ka qenë nga më të mirët në botë në të kaluarën, pavarësisht nga izolimi dhe për arsye që bujqësia ishte çështje e të gjithë popullit, nuk besoj se e keni harruar! Ky profesori më thotë, “ngaqë kishim dhe adhurim për të huajt dhe ata nuk e njihnin mirë situatën këtu, kishte raste ku kishte programe që na mësonin si mbillet patatja, pra në çfarë lartësie, në çfarë periudhe etj. Dhe ne na vinte zor t’i thoshim: Ore, ne dimë ta mbjellim pataten, se ne pataten e kishim edhe bukë edhe gjellë dhe me atë mbahej gjithë populli. Por, thotë profesori, e kishim të vështirë t’ua thoshim se mos i ofendonim.

Kështu që unë mendoj se pas 30 vjetësh është e rëndësishme që ne t’u qëndrojmë fort atyre vlerave europiane dhe euroatlantike që kemi zgjedhur dhe për të cilat ne i kemi dashur dhe i duam Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, ku ne jemi anëtar. Dhe është e qartë, që të gjitha këto demokraci mbështeten fort në atë që quhet “rule of laë”.

Shqipëria do të ketë një të ardhme europiane vetëm duke u mbështetur fort në shtetin e së drejtës dhe në sundimin e ligjit. Nuk mundet kurrsesi një shtet të eci përpara në bazë të interpretimeve të kujtdo tjetër që nuk mban përgjegjësi në Shqipëri për shkak edhe të mandatit të kufizuar që ka apo për shkak të subjektivizmit të caktuar për arsye të ndryshme.

Gazetarja: Shpresoni që kjo situatë të ndryshojë me ardhjen e ambasadores së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila pritet të vijë këto ditë për t’ju paraqitur letrat kredenciale?

Presidenti Meta: Unë mendoj se kjo është një përgjegjësi në radhë të parë e politikanëve shqiptarë dhe e popullit shqiptar.

Vetë populli shqiptar duhet të ndërgjegjësohet më shumë për rëndësinë që ka mbrojtja e Kushtetutës, sepse ajo i garanton mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të përditshme të çdo qytetari në këtë vend.

E kam theksuar edhe më parë, që rruga e vetme që vendi të dalë nga ky rreth vicioz i paaftësisë për të ndërtuar institucione të besueshme, llogaridhënëse dhe që garantojnë gjithmonë mbrojtjen e Kushtetutës, të interesit kombëtar, të interesit publik dhe rrjedhimisht të interesit të përgjithshëm qytetar është rruga e përdorimit të referendumit.

Është një e drejtë që populli shqiptar e ka vendosur vetë në Kushtetutë për t’u shprehur për çështje të veçanta sa herë që qytetarët do ta gjykojnë të arsyeshme për të shprehur vullnetin e tyre.