Meta në Bundestag: Hapja e negociatave, një hap i natyrshëm në procesin e integrimit evropian

522
Sigal

Në vijim të
vizitës zyrtare në Berlin, kryeparlamentari, njëkohësisht lideri i LSI-së Ilir
Meta u prit në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut nga deputetë të
SPD, Norbert Spinrath, Christian Petry dhe
 
Joachim Barchmann. Meta i falënderoi deputetët gjerman për vëmendjen që
Komisioni i Çështjeve Evropiane tregon ndaj Shqipërisë dhe njëkohësisht për
mbështetjen e palëkundur të deputetëve social-demokrat ndaj integrimit evropian
të të gjithë rajonit. Deputeti i SPD, Norbert Spinrath, u shpreh se “ne si
anëtarë të Komisionit jemi të qartë se Ballkani është pjesë e Evropës dhe do të
bëjmë gjithçka për t’ju shoqëruar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin
Evropian”. Meta pasi i falënderoi deputetët e SPD për mesazhin e qartë
mbështetës, vuri në dukje se Shqipëria ka realizuar disa reforma të rëndësishme
vitet e fundit ku kryefjalë është paketa kushtetuese e reformës në drejtësi e
cila u miratua në mënyrë konsensuale në parlamentin shqiptar. “Siç u evidentua
edhe nga progres raporti i fundit i Komisionit Evropian, Shqipëria ka bërë
progres dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim është një hap i natyrshëm i
procesit të integrimit evropian, sepse qëllimi ynë i përbashkët është si të
forcojmë Evropën, me një Ballkan tërësisht të integruar në të”, theksoi Meta.