Kryemadhi: Edi Rama kërcënon ambasadorët, ka lobime kundër opozitës

438
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaron se qeveria dhe Edi Rama lobojnë në institucione ndërkombëtare kundër opozitës dhe individëve të caktuar të saj.

-Kur thoni me para të faktorëve ndërkombëtarë të paguar më paratë e krimit, e keni për segmente brenda Shqipërisë që ushtrojnë detyrën brenda në Shqipëri, apo edhe për kancelari?
Ambasadorët këtu janë ambasadorë të shteteve të tyre. Qeveritë bashkëpunojnë me qeveri. Qeveritë nuk bashkëpunojnë me opozitën. Unë jam shumë e bindur që ambasadorët këtu do të bëjnë punën e qeverisë së tyre. Mos harroni që kanë një kryeministër që thotë do bëni kështu siç them unë, ose përndryshe ju përzura nga Shqipëria dhe i bën letër ministrit të Jashtëm. E ç’ fuqi ka një ambasador apo një diplomat, kur një kryeministër i çon letër ministrit të Jashtëm të një vendi të caktuar? Për t’u kapur dhe për t’u shantazhuar janë shumë të thjeshtë ambasadorët këtu. Shqipëria një vend i vogël është dhe të gjithë e dimë se çfarë bëhet.
Kështu që nuk pres që ambasadorët këtu të jenë në krah të opozitës. Por ama nuk do të lejoj që ambasadorët këtu për çdo protestë të opozitës, të dalin dhe të bëjnë sikur këtu do bëhet lufta e tretë botërore. Ndërkohë nuk thonë një fjalë për atë që ndodh me ligjin, për lirinë e shprehjes. Por nuk i gjykoj, nuk i paragjykoj dhe as nuk i intimidoj për këtë gjë. Por di të them që kompani lobiste që paguhen me para antishqiptare, sigurisht që lobojnë në institucione ndërkombëtare, sepse nuk është se është e paligjshme jashtë. Është e ligjshme si në Bruksel, në Ëashington, kudo për kompanitë lobiste.

-Ka lobim kundër opozitës?
Normale që ka kundër opozitës dhe kundër individëve të caktuar. Kjo nuk është ndonjë gjë e keqe. Edhe unë po të kem mundësi do të loboja kundër Edi Ramës, por s’kam ndërmend se nuk harxhoj asnjë kacidhe lek për të lobuar kundër Ramës.