Meta-Hampl: Avancimi në integrimit evropian, mbështetje e punës së Shqipërisë

523
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti sot një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke të kryesuar nga Kryetari i Komisionit z. Václav Hampl, Nënkryetari z. Jaroslav Doubrava dhe anëtarët z. Zdeněk Besta dhe z. Luděk Jeništa. Delegacioni shoqërohej prej Ambasadores së Çekisë në Shqipëri, znj. Bronislava Tomášová.
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta e vlerësoi këtë vizitë të senatorëve çekë në Tiranë si një konfirmim të mbështetjes dhe vëmendjes së Republikës Çeke ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe si një shtysë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare mes Shqipërisë dhe Çekisë. Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se “Shqipëria është e vendosur në rrugën e saj të reformave dhe statusi i vendit kandidat është një përgjegjësi më shumë në përmbushjen e prioriteteve kombëtare, ku mbështetja çeke vlerësohet maksimalisht”. 
Z. Meta vuri në dukje miqësinë e vjetër e të natyrshme që ekziston mes dy popujve tanë dhe theksoi se Shqipëria e çmon mbështetjen dhe eksperiencën çeke si në kuadër të integrimit evropian ashtu edhe në kuadër të Grupit të Vishegradit, i cili shërben si një shembull zhvillimi për të gjithë rajonin tonë. 
Kryetari i Komisionit për Çështjet Evropiane të Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke z. Václav Hampl shprehu mbështetjen e natyrshme të Republikës Çeke ndaj avancimit të integrimit evropian të Shqipërisë duke vënë në dukje se Çekia e sheh zgjerimin e Bashkimit Evropian si një proces të natyrshëm i cili do të sjellë ndryshime të prekshme për standartet e demokracisë dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve.
“Ne e shohim avancimin e integrimit evropian si një mbështetje të punës që po bën Shqipëria në përmbushjen e prioriteteve dhe në progresin e reformave kyçe”, u shpreh z. Hampl. 
Z. Meta dhe anëtarët e delegacionit çek diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet në rajon, ku u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë së mirë dhe u nënvizua nevoja e garantimit të integrimit të plotë të të gjithë vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian në interes të stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik të rajonit. 
Sigal