Meta dhe deputetët e Bundestagut: Shqipëria ka peshë të veçantë dhe luan rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor

486
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot në grup deputetësh të Bundestagut të Gjermanisë të cilët raportojnë mbi zhvillimet në Shqipëri pranë parlamentit gjerman.

Gjatë takimit me z. Thorsten Frei (CDU), Christian Petry (SPD), z. Manuel Sarrazin (Bündnis 90/ Grüne) dhe z. Andrej Hunko, (Die LINKE), Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu vlerësimin për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të deputetëve të Bundestagut gjerman ndaj zhvillimit demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian.
Z. Meta dhe deputetët e Bundestagut diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit politike në vend duke vënë në dukje rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit politik në parlament në funksion të avancimit të reformave kyçe dhe të përmbushjes së 5 prioriteteve të integrimit evropian.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe deputetët Thorsten Frei, Christian Petry, z. Manuel Sarrazin dhe Andrej Hunko ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria ka një peshë të veçantë dhe luan një rol konstruktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme dhe vëmendja e veçantë e Gjermanisë ndaj perspektivës evropiane të të gjitha vendeve të rajonit.