Mesazhi i Lulzim Bashës për shqiptarët: Në fund të kësaj beteje do të fitojë Shqipëria

84

Në një konferencë për shtyp nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha lëshoi një mesazh edhe për qytetarët shqiptarë. Kur betejës t’i vijë fundi tha ai, do jenë shqiptarët ata që do fitojnë.

“E di që për shumë qytetarë është e lodhshme të bëhen dëshmitarë të kësaj gjendje të rëndë. Më vjen keq për këtë. Por dua t’u them atyre se gjithçka bëhet për një ditë më të mirë. Mjedisi i vetëm, ku fatet dhe jetët e njerëzve të jenë të mira, është një shoqëri ku politika është e lirë nga krimi dhe korrupsioni, dhe ku vullneti i lirë i njerëzve përcakton qeverisjen.

Kjo është ajo që unë besoj, kjo është ajo për të cilën kam luftuar çdo ditë, çdo çast këto 6 vjet: Vullneti i lirë i njerëzve dhe politika në shërbim të këtij vullneti. Për këto, jam i gatshëm të flas, të diskutoj, të punoj. Për asgjë tjetër. Përveçse ndaj cdo shqiptari, unë kam personalisht një detyrim të madh ndaj mijëra e mijëra qytetarëve dhe demokratëve që kanë protestuar këto muaj pa u shkurajuar nga dhuna, nga gazi helmues, nga arrestimet, nga terrori dhe nga propaganda.

Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë dhe jam i frymëzuar nga kurajo juaj. Sikurse e çdo shqiptari që na ka mbështetur, në çdo mënyrë që ka mundur. Beteja jonë për Shqipërinë si gjithë Europa vazhdon me vendosmëri. Asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin.

Shumëkush është në ankthin e asaj që do të vijë, shumë të tjerë të ndarë padrejtësisht në “ne” dhe “ata” presin se cfarë do të ndodhë. Ajo që dua t’ju garantoj sot, është se në fund të kësaj beteje do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë dhe përfitojnë shqiptarët, do të triumfojë e drejta, liria, demokracia.

Të flasim hapur, do të ketë edhe të humbur, por ata janë vetëm një grusht i vogël pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh dhe kriminelësh që sot vendosin për gjithcka dhe marrin gjithcka. Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh lideri i opozitës Lulzim Basha.