Mercedes i ri 200 milionësh për Kryeministrin Rama

321

Gjatë vitit 2019 qeveria e Rilindjes shpenzoi 226 milionë lekë shpenzime luksi, ndërkohë që në fund të vitit, shëndetsia, arsimi dhe invalidët mbetën pa rroga. Kohët e fundit kryeministri po përdor një automjet tip i fundit me vlerën e të cilit mund të ngriheshin 20 shtëpi për banorët e prekur nga tërmeti. Dy vite më parë Garda tenderoi edhe 650 milionë lekë për autoveturë. Ja VKM-ja

Me ‘Mercedesin’ e ri 200 milionë lekësh që përdor kryeministri, do të ndërtoheshin 20 shtëpi

Dje, gazeta “Telegraf” botoi një shkrim, ku gjatë vitit 2019 nga qeveria e Rilindjes u shpenzuan 226 milionë lekë shpenzime luksi, ndërkohë, që ende qeveria nuk u ka dhënë rrogën e muajit dhjetor infermierëve dhe invalidëve, ngaqë kanë shteruar rezervat e buxhetit të shtetit. Në datën 29 dhjetor 2017, qeveria miratoi VKM për blerjen e një autoveture të re luksoze, kryer nëpërmjet Gardës së Republikës, me vlerë totale 64.902.000 lekë të reja (me TVSH). Mirëpo, kjo makinë i doli prej zemre kryeministrit Rama, ndërkohë që ka blerë një tjetër ‘Mercedes’ të ri të tipit S Class S400, vlera e të cilit, sipas tij, është jo më pak se 150 mijë euro. Siç shihet dhe në foto, publikuar në JOQ, Rama, duket se nuk është kursyer aspak për të shpenzuar këtë shifër marramendëse, në një kohë kur mijëra familje kanë mbetur pa një strehë mbi kokë për shkak të tërmetit dhe zgjidhja e problemit të tyre duket se është ende shumë larg. Ajo që vlen të theksohet është se kohë më parë, vetë kryeministri Rama, iu kërkonte ministrave, deputetëve dhe krerëve dhe zyrtarëve të lartë socialistë, të mos bënin shpenzime luksi. Rama ka ndërruar automjetin e tij ‘Mercedes’ të tipit S500 të vitit 2015 me një mjet më të ri, më luksoz dhe, sigurisht, më të shtrenjtë. Me vlerën e makinës së re që kryeministri Rama bleu së fundi, do të ndërtoheshin 20 shtëpi banimi në Thumanë, mirëpo, për kryeministrin Rama prioritet nuk është populli, por luksi i shfrenuar i tij, duke bërë rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve shqiptarë, për të blerë makina të shtrenjta, çdo 2 vjet.

Ja vendimi për blerjen e veturës kryeministrore me vlerë 64.9 milionë lekë të reja (Buletini i prokurimeve Publike” Nr. 52, datë 29.12. 2017)

GARDA E REPUBLIKËS (Njoftim blerje automjeti)

  1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Garda e Republikës

Rruga e “Elbasanit”(Pallati i Brigadave), Tiranë Nr. Tel/ Fax; 00355 4 2 375 152

  1. Lloji i procedurës:“Procedurë e hapur” (Prokuruar nga DPP)
  2. Objekti i kontratës:“Blerje automjetesh për Gardën e Republikës”Loti I: “Blerje Autoveturë për Gardën e Republikës”
  3. Fondi limit: 59.278.513 Lekë (pa TVSH)
  4. Vlera totale përfundimtare e kontratës: 64.902.000 lekë (me TVSH)
  5. Data e lidhjes së kontratës: 28.12.2017
  6. Emri dhe adresa e kontraktori: Shoqëria:“CLASSIC” sh.p.k me NIPT J91909004J, Adresa: Autostrada Tiranë-Durrës, Km 1, rruga dytësore godina nr.8, Kashar, Tiranë.