Ndahet nga jeta regjisori i mirënjohur i ‘Kapedanit’ dhe ‘Shoku ynë Tili’

483
Sigal

Ditën e djeshme është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare regjisori i njohur Fehmi Hoshafi.

I njohur për filmin ‘Kapedani’ apo ‘Shoku ynë Tili’, ai ka lënë shumë gjurmë në kinematografinë shqiptare.

Fehmi Hoshafi lindi në Tiranë më 28 Shtator 1934. Ai filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hakani dhe Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, 1964; Vitet e para, 1965; Oshëtimë në bregdet, 1967; Gjurma, 1970.

Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin Estrada në ekran, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur Kapedani, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, 1984 dhe Zëvendësi i grave, 1987.

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi ‘Shoku ynë Tili’.