Mediat Ndërkombëtare kryqëzojnë “Rilindjen”

295

Analiza e RAI 2, VOA-s, Digital Journal, DW, për situatën në Shqipëri: Drogë, korrupsion, para të pista, të rinj që vetëm largohen dhe një qeveri që i mohon të gjitha. Deklarata zyrtre e Gjermanisë: Protestoni! Ata që blenë votat. Të shkojnë para drejtësisë

Situata në Shqipëri, mediat ndërkombëtare kryqëzojnë qeverinë e Rilindjes Socialiste

 

 Drogë, korrupsion, para të pista, të rinjtë vetëm largohen, ndërsa kryeministri Rama i mohon të gjitha

 

Mediat ndërkombëtare kohët e fundit kanë publikuar fakte, statistika dhe përgjime të tronditëse për Shqipërinë. Lidhje të qeverisë dhe drejtuesve lokal të PS-së me bandat kriminale, të publikuara me audio-përgjime për blerjen e votave të vitit 2017, statistika të frikshme të të rinjve që braktisin vendin, gjendja e rënduar ekonomike janë epiqendra e lajmeve që mediat ndërkombëtare flasin për Shqipërinë, ndërkohë që Kryeministri Rama i mohon dhe i konsideron mediat ndërkombëtare si kazan mediatik. Më poshtë janë disa nga artikujt e mediave më prestigjioze ndërkombëtare:

 

Artikullli i RAI 2
Rai Tv, në një infiltrim të gazetarëve të saj, tregon sesi i infiltruari i tyre kontakton me një trafikant droge dhe armësh në Shijak. Media italiane e cilëson Shijakun si zonë të grupit Avdylaj duke përmendur edhe përgjimet e “Zërit të Amerikës”. Gjatë bisedës së gazetarit me trafikantët të tërheqin vëmendjen fjalitë, ku flitet se si paratë e drogës janë përdorur për të blerë zgjedhjet e shkuara dhe sipas trafikantit, do të blihen edhe ato të ardhshme. “Natyrisht, marijuana – lekë, lekët – pushtet, pushteti blen”. “Në zgjedhjet e fundit kështu ndodhi? Po. Ashtu siç do të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme.”

 

Kronika e plotë e RAI 2
Pas protestave më Shqipëri kundër qeverisë, e akuzuar se ka raporte me krimin, i dërguari ynë, Leonardo Zelino hyn në strofkullën e një trafikanti droge dhe armësh. (një person që bën gati një kallashnikov). “Doreza për të mos lënë gjurmë gishtërinjsh, teksa prekim një kallashnikov, një armë që s’fal. “Armën e përdorim për të mbrojtur mallin dhe për të vrarë njerëz, nëse është e nevojshme. Këto blihen 150 euro e më pas shiten 4-500 euro copa në Itali”. Igli nuk shet armë. Ai bën “biznes” kryesisht me barin, është një grosist marijuane. Për të mbërritur tek shtëpia e Iglit, takohemi fillimisht me Ndërmjetësin, përgjatë bregdetit të Durrësit dhe me makinë ecim rreth 30 km deri në Shijak. Në hyrje të zonës duhet ta fikim telekamerën dhe me kapuç në kokë derisa të mbërrijmë në shtëpinë e Iglit. “Këtu janë 10 kg. Kur vijnë blerësit, fillimisht ua jap ta provojnë. Nëse u pëlqen, i çoj tek magazina dhe marrin sa kile duan”. Është e pamundur ta shohim magazinën, më thonë, pasi kontrollohet policore në vitin e fundit janë bërë të imtësishme. “Ky mall do përfundojë tek ju, në Itali”. Shijaku është zona e Avdylajve, e supertrafikantëve, të arrestuar shpeshherë, që në telefon, para zgjedhjeve të fundit të 2017-s, flisnin për vota. Njëri prej vëllezërve Avdylaj, në përgjimet e zbardhura nga Zëri i Amerikës, organi zyrtar i Shteteve të Bashkuara, falënderohet nga kryebashkiaku i Durrësit dhe sekretari rajonal i PS-së, që qeveris vendin. Dosja e përgjimeve ka ngecur në prokurorinë e përgjithshme tashmë prej dy vitesh, për shkak të lidhjes së hamendësuar me narkotrafikantët, për të cilën flet opozita parlamentare. “Natyrisht, marijuana – lekë, lekët – pushtet, pushteti blen”. “Në zgjedhjet e fundit kështu ndodhi?”. “Po. Ashtu siç do të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme”.

 

Artikulli i ‘Digital Journal’


‘Digital Journal’, media e njohur e Kanadasë, ka publikuar një artikull për largimin gjithnjë e më shumë të të rinjve nga Shqipëria. “Dëshira për t’u larguar vjen kryesisht për shkak të ekonomisë, pasi Shqipëria ka një prej rrogave mesatare më të ulëta në Evropë, me rreth 400 euro në muaj. Papunësia është gjithashtu e lartë, me një në tre të rinj që është i papunë. Një tjetër faktor kryesor është kultura e përhapur e korrupsionit dhe klientelizmit ose vende pune dhe favoresh në këmbim të mbështetjes politike”, raporton kjo media. ‘Digital Journal’ ka marrë prononcimet e disa studentëve dhe ekspertëve të ekonomisë, të cilët tregojnë vështirësitë e mëdha në tregun e punës në Shqipëri. Në artikull jepen edhe shifrat e larta të shqiptarëve që largohen nga vendi dhe atyre që e aspirojnë diçka të tillë, ndërkohë që theksohet se kryeministri Edi Rama vijon të ‘ngrejë shpatullat’ sa i përket diskutimeve për krizën e emigracionit.

 

Artikulli i “Zërit të Amerikës”
Dhjetëra përgjime dhe dokumente të siguruara nga BIRN përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hedhin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor. Në katin e tretë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, zyrat e prokurorëve që drejtojnë hetimet e dosjeve 339 dhe 339/1 janë të mbushura dëng me dokumente. Fletët e fashikujve gjenden të shpërndara mbi tavolina dhe dysheme, ndërkohë që një seri kutish kartoni të mbushura me CD presin radhën për t’u zbardhur. Mbi njërën prej kutive dallon shënimi me shkrim dore “korrupsion dhe blerje votash; 42 CD”. Një kat më poshtë, katër oficerë të policisë gjyqësore transkriptojnë përgjime që datojnë nga viti 2016. Nuk ka ende një bilanc të qartë, por mbeten ende dhjetëra CD me përgjime të pa transkriptuara. Dosja hetimore 339 zuri fill në vitin 2016 me përgjimin e anëtarëve të një organizate të krimit të organizuar me bazë në Shijak dhe me fije të shpërndara në të dy skajet e Shqipërisë, të përfshirë në trafikun e heroinës dhe të kokainës. Bisedat telefonike me grupin “Avdyli” e zgjeruan rrethin e hetimeve edhe te një numër zyrtarësh dhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për korrupsion dhe falsifikime me tokat. E ndarë më vete në vitin 2017, nga dosja 339/1 është zbuluar vetëm “maja e ajsbergut”. Por të dhënat e siguruara nga BIRN hedhin dritë mbi episode të dyshuara të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës, Kavajë dhe Lezhë, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri elektoral pa kryer ende një reformë të thellë zgjedhore. Dokumente hetimore dhe përgjime ngrenë dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të kryetarit të bashkisë së Durrësit, gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017. Përfshirja e grupit “Avdyli” në shit-blerje votash nuk është një rast i izoluar. Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur pas kallëzimit të PD-së për manipulimin e zgjedhjeve të 11 shtatorit 2016 në Dibër ekspozon gjithashtu persona me precedentë si dhe aparatin shtetëror lokal në orientimin apo manipulimin e votës. Rekrutimi i personazheve të krimit të organizuar për mbushjen e hambarit të votave fajësohet si një ndër arsyet kryesore për rrënimin e besimit për zgjedhje të lira në Shqipëri. Opozita akuzon kryeministrin Rama se e ka kthyer bashkëpunimin me krimin në një strategji për mbajtjen e pushtetit, ndërkohë që Partia Socialiste dhe kryeministri i kanë mohuar akuzat dhe i cilësojnë ato alibi për humbjen e zgjedhjeve. Megjithatë, ekspertë të zgjedhjeve u bien kambanave të alarmit se roli i grupeve kriminale në disa zona periferike është tanimë edhe më i madh se ai i partive politike. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për përfshirjen e dyshuar të Avdylajve në zgjedhje apo në korrupsion me sektorë të ndryshëm të administratës. Një numër zyrtarësh lokalë në institucione kyçe si inspektorë të INUK, drejtues në bashki, punonjës të Sigurisë Portuale apo madje edhe të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë përgjuar gjatë komunikimeve me vëllezërit Avdyli në fillim të vitit 2018, ndërkohë që këta të fundit kërkonin favore të llojeve të ndryshme. Të dhënat hetimore tregojnë se ata janë përfshirë edhe në Kavajë. Ndërsa në Lezhë, përgjimet tregojnë se vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka flet gjithashtu për blerje votash. “…Nga përgjimet e telefonave celularë në përdorim të shtetasit Gjevi Ndoka evidentohet se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, si para dhe gjatë fushatës zgjedhore është përfshirë në mënyrë aktive duke ofruar dhe dhënë të holla (para) zgjedhësve për të votuar kandidatët për deputetë nën siglën e Partisë Socialiste, të dhëna këto që dalin nga përgjimet,” shkruhet në dosjen hetimore. Megjithatë, jo të gjitha transaksionet për votat kanë shkuar fjollë. Një telefonatë e përgjuar dy ditë pas zgjedhjeve, të cilët hetuesit e çështjes e identifikojnë në zonën e Kavajës- por që BIRN nuk arriti ta verifikonte në mënyrë të pavarur, tregon jo vetëm fenomenin e blerjes së votës, por edhe fotografimin e saj dhe presionin për të kthyer paratë mbrapsht. “Është filmue ajo punë, le tashi. Të më japë lekët mbrapsht Miri, ka mbaruar ai muhabet,” thotë njëri prej biseduesve. “Ne i japim lekët me mbaru ato punë e halle që keni, jo me dhanë lekë e mos me dhanë votën,” shtohet aty, duke kërkuar që lekët të kthehen urgjentisht mbrapsht.

 

Makineria e Dibrës
Prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, akuzat për lidhje të politikës me krimin dhe përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje kanë qenë pjesë dominante e debatit politik në Shqipëri. PD në opozitë i intensifikoi akuzat në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017-kur PS mori e vetme mandatin për të qeverisur vendin. Aludimet për blerje të votës u reflektuan edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it. “Të dyja këto parti, PD dhe LSI treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës,” shkruhet në raport. Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të PD për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes. Procedimi me nr:184/2016 lidhet me zgjedhjet e kryera më 11 shtator 2016 në Dibër për të zgjedhur pasardhësin e Shukri Xhelilit-i shkarkuar pasi u kap mat në një video-regjistrim ndërsa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Por zgjedhjet e reja, të cilat nxorën fitues mjekun socialist Muharrem Rama u përbaltën nga akuzat për shit-blerje të votës dhe përfshirje të personazheve me të kaluar të errët në zgjedhje. Në prag të zgjedhjeve, PD dorëzoi një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish lokalë të policisë, drejtorisë së Arsimit, OSHEE-së, Tatimeve si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën, një personazh kontrovers me lidhje të forta në zonë. Por dy vjet e gjysmë pas këtij kallëzimi, çështja me nr: 184/2016 kaloi gjithashtu nëpër duart e disa prokurorëve dhe nuk është finalizuar ende. Ish-prokurori Gentian Trenova, i cili mori i pari në dorë kallëzimin e Partisë Demokratike kujton për BIRN se menjëherë pas kallëzimit u vendosën nën përgjim rreth 20 numra telefoni. “Përgjatë ditëve 8, 9 dhe 10 shtator u përgjuan me dhjetëra telefonata, ku ndër të tjera flitej për blerjen e votës,” tha Trenova, i cili shtoi se mes bisedave të përgjuara ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste. Çështja ndodhet aktualisht mbi tavolinën e punës së prokurorit Klodian Braho. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë nën hetim drejtues të policisë në Dibër dhe Bulqizë si dhe zyrtarë të drejtorisë Arsimore apo të Tatimeve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në mënyrë të paligjshme në proces zgjedhor, se kanë premtuar vende pune në këmbim të votës. Megjithatë, njësoj si në dosjen me nr.339/1, edhe hetimi për manipulimin e votave në Dibër pengohet nga përgjimet voluminoze, pasi rreth 60 CD vazhdojnë të presin radhën për t’u zbardhur.

 

Minimi i zgjedhjeve
Përfshirja e “individëve të fortë” në zgjedhjet shqiptare nuk është një fenomen i ri. Që pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së vendit ndaj zgjedhjeve pluraliste, partitë politike kanë kërkuar herë pas herë edhe “muskujt” në garat kundër kundërshtarëve. Megjithatë, ekspertë dhe monitorues të sistemit zgjedhor në Shqipëri shprehen të shqetësuar për përhapjen e fenomenit pas zgjedhjeve të vitit 2013 si dhe sofistikimin e mënyrës sesi krimi i organizuar dikton në zgjedhje. Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike i tha BIRN se monitoruan këtë aspekt në zgjedhjet e vitit 2017 dhe rezultoi se në disa zona specifike, roli i grupeve kriminale në fushatë ishte edhe më i madh se ai i partive politike. Krasniqi rendit Dibrën, Elbasanin, Shkodrën, Durrësin, Kavajën dhe Lezhën si zona më problematike. “Fillimisht patëm sponsorizim të botës së krimit ndaj politikanëve lokalë që duan të merren me politikë, më pas kaluam në kandidim të vetë elementëve kriminalë në zgjedhje. Në fazën e tretë kemi të dy fenomenet, sponsorizim dhe kandidim,“ tha Krasniqi për BIRN. Ndërsa Dritan Taulla, zv.kryetar i Shoqatës KRIIK argumenton se forcimi i lidhjeve politike ka ardhur me evoluimin e aktivitetit kriminal dhe fuqizimin ekonomik të individëve të implikuar në krime.
“Kanë evoluar edhe format e mbështetjes ndaj politikës, derisa në vitin 2013 pati një numër të konsiderueshëm personash me precedentë penalë në funksione publike (përfshi parlamentin), ç’ka shpuri në nevojën emergjente për dekriminalizim,” tha Taulla. “Në këmbim ata fitojnë “imunitet politik” apo përfitime ekonomike përmes pjesëmarrjes së tenderë publikë,” tha Krasniqi. /VOA

 

Artikulli i Deutsche Welle për Ramën
Drejtori i “DW” kundër Ramës: Nuk mund të përgjithësohet media e t’i cilësosh “Kazan”
Drejtori i Përgjithshëm i medias prestigjoze gjermane, Deutsche Welle, Peter Limbourg i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama për akuzat ndaj medias. Media nuk mund të përgjithësohet, tha drejtori i Deutsche Welle-s, duke kundërshtuar Ramën që e cilëson “kazan”. Ai përkrahu edhe protestën e studentëve, gjatë një bashkëbisedimi me studentë të gazetarisë. I pyetur për fjalorin që kryeministri përdor për mediat, teksa i cilëson si kazan, ai tha se media nuk mund të përgjithësohet. Peter Limbourg: Sigurisht që media nuk është kazan, media thjesht bën punën e saj. Si në çdo vend, kemi gazetarë të mirë dhe të këqinj, por media nuk mund të përgjithësohet. Megjithatë, jo çdo gjykim i politikanëve për median është i mirë dhe sigurisht, jo çdo gjykim i gazetarëve për politikanët është i drejtë. Limbourg foli edhe për tregun mediatik shqiptar, duke e cilësuar si të rëndësishëm në rajon, pavarësisht problemeve që ka me sektorin publik. Ai shprehu edhe kënaqësinë për bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, ndërsa në kuadër të paketës Antishpifje, nënvizoi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe së medias.

 

Deklarata e fortë zyrtare e Gjermanisë për Ramën: Para drejtësisë ata që blenë votat, protestoni!

Gjermania i kërkon prerë Ramës të nxjerrë para drejtësisë blerësit e votave. Deutsche Welle e pyeti Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme edhe për protestat e opozitës. Përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme është: “Akuzat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mëparshme duhet të trajtohen dhe të gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti. E drejta për të demonstruar është një element i rëndësishëm i kushtetutës demokratike. Megjithatë, dhuna, siç e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndihmojnë që protestat e mëtejshme të jenë paqësore.” Deklarata zyrtare e ministrisë së Jashtme gjermane është në të njëjtën linjë me qëndrimin e mbajtur nga opozita në lidhje me blerjen e votave nga krimi i organizuar në pushtet. Opozita deklaroi se arsyeja përse nuk mund të qëndrojë më në Parlament dhe dogji mandatet është blerja e votave e provuar nga hetimet dhe përgjimet e partnerëve në katër qarqe të vendit. Dosja e njohur ndryshe me emrin “339” nuk hetohet nga Prokuroria dhe pengesa kryesore e mos lejimit të hetimeve është kreu i qeverisë, Rama. Madje, ky person akuzoi Zërin e Amerikës si një media kazan pasi publikoi detaje nga kjo dosje e blerjes së votave ku janë të implikuar krerët e PS. Deklarata e ministrisë së Jashtme gjermane indirekt kërkon daljen para drejtësisë të njerëzve me pushtet që janë në dosjen 399. Topi tani është në anën e Ramës. Kjo mbetet për tu parë në ditët e ardhshme. Gjermania ka mbështetur në të njëjtën kohë zyrtarisht edhe protestat e qytetarëve duke u shprehur që ata që do të protestojnë në ditët e ardhshme të jenë paqësorë. Në deklaratën zyrtare të ministrisë së Jashtme gjermane bie në sy edhe se nuk ka asnjë fjali apo reagim në lidhje me djegien e mandateve nga opozita.