Me paratë e rrogës apo me fondet e shtetit ministri Bushati dhuron 500 çanta në Shkodër?

570
Sigal

Petraq BARJAMI

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut Shkodër, u takua me një grup nxënësish, mësuesish dhe prindër të shkollës “Azem Hajdari” në lagjen Kiras, dhe “Salo Halili” në lagjen Ndërgut të qytetit të Shkodrës. Bushati dhuroi çanta me mjetet mësimore të nevojshme në këtë vit shkollor për 500 nxënës të këtyre dy shkollave. Siparin e dhuratave të librave “falas”, (por që detyrimisht duhet të rikthehen në fund të vitit të pa grisura, të pa shkarravitura, ndryshe prindërit do ta paguajnë shtrenjtë) e hapi kryeministri, i cili shkoi edhe në familje duke dhuruar libra dhe, si modë, u publikuan video, ku ministra dhe deputetë shpërndajnë nëpër familje libra, që siç thonë ata, janë falas. Pyetja është: Këto libra falas dhe 500 çanta, që dhuroi ministri i Jashtëm Bushati, janë paguar më parë nga rrogat e tyre? Apo janë falas? Përse kryeministri Rama, deputetët, ministrat e tjerë të qeverisë, nuk shpërndajnë libra falas për nxënësit, që duhet t’i blejnë librat? Sepse, që të propagandohet se ministrat, deputetët shpërndajnë librat “falas”, të paguara nga buxheti i shtetit, është, në mos mashtrim, është spekulim politik.