Me 69 vota pro, miratohet ligji për Gjuhën Shqipe në Maqedoni

87
Me 69 vota pro, Ligji për Gjuhën Shqipe u miratua dje në seancën plenare të Kuvendit të Maqedonisë. Ligji për gjuhën shqipe ka qenë një nga kërkesat që ka ndezur debat në parlamentin maqedonas. Me miratimin e gjuhës shqipe i hapet rruga për një shtrirje edhe më të gjerë nëpër institucionet e larta shtetërore ku nuk përdorej deri më tani. Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në seancë; ajo po bojkoton punimet e parlamentit për shkak të mbajtjes në paraburgim dhe në arrest shtëpie të gjashtë deputetëve të saj, të dyshuar për pjesëmarrje në trazirat e dhunshme në parlament më 27 prill, 2016. Ligji thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”. Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha, të cilën e flasin së paku 20 për qind e popullatës dhe alfabeti i saj”. Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare përbëjnë 25 për qind të popullsisë së Maqedonisë. Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15 nëntor të vitit të kaluar. Për votimin kërkohej shumicë e thjeshtë me 61 vota, por për zyrtarizimin e shqipes votuan 69 deputete të parlamentit maqedonas.
Politika shqiptare përshëndet votimin e gjuhës shqipe në Maqedoni 

Ilir Meta: Një akt i rëndësishëm, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë
Pas vendimit që mori Kuvendi i Maqedonisë për të zyrtarizuar me ligj gjuhën shqipe, ka ardhur reagimi përgëzues nga Presidenti i vendit Ilir Meta, i cili e ka cilësuar si një nga aktet më të rëndësishme në Maqedoni.
“Të dashur miq, sapo mbërrita në aeroportin e Ljubljanës mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Një akt i rëndësishëm, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Bujar Nishani: E vendosën gjuhën e bukur shqipe në vendin e merituar
Pas votimit për gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë, vjen reagimi i ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Ky i fundit në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ ka uruar bashkëkombësve në Maqedoni. Nishani theksoi se bashkëjetesa dhe bashkëkontributi do ta bëjë Maqedoninë një fqinjë edhe më të mirë për Shqipërinë.
“Urimet më të mira bashkëkombësve tanë në Maqedoni. E vendosën gjuhën e bukur shqipe në vendin e merituar. Bashkëjetesa dhe bashkëkontributi do ta bëjë Maqedoninë një fqinjë edhe më të mirë për ne!”, shkruan Nishani.

Sali Berisha: Zbatimi i këtij ligji do shënonte një fitore historike për shqiptarët e Maqedonisë
Nuk ka munguar as përshëndetja e ish-kryeministrit Sali Berisha për njohjen e gjuhës shqipër në Maqedoni. Me anë të një statusi në Facebook, ka përshëndetur këtë vendim dhe thotë se është një arritje historike.
“Duke përshëndetur këtë akt të rëndësishëm dhe të gjithë ata që bënë të mundur votimin e tij, theksoj se zbatimi i këtij ligji do shënonte një fitore historike për shqiptarët e Maqedonisë dhe kombin shqiptar në tërësi!”, shkruan ndër të tjera Berisha.

Lulzim Basha: Kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike
Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar dje gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare dhe ky vendim ka marrë një jehonë mbarëkombëtare.
Pas lajmit se u miratua gjuha shqipe në parlamentin maqedonas ka reaguar dhe kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili këtë vendim e quan një hap të rëndësishëm në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë.
“Vlerësoj qëndrimin e forcave politike Maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni”, shkruan Basha në Facebook.

Edi Rama: Gjuha shqipe në Maqedoni, arritje historike
Miratimin të ligjit për gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë kryeministri Edi Rama. e ka quajtur arritje historike të shqiptarëve në shtetin maqedonas. Rama ka thënë se ky ligj i ndihmon edhe vetë demokracisë në Maqedoni. “Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe, një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Monika Kryemadhi: Njohja dhe pranimi i këtij realiteti është progres
Kryetarja e LSI-së miratimin e gjuhës shqipe e ka cilësuar si një hap emancipues shtetëror. “Pas vendimit për shpalljen festë zyrtare të Ditës së Alfabetit, ditës së Kongresit të Manastirit, miratimi i ligjit të dygjuhësisë në Maqedoni është një hap tjetër emancipues shtetëror. Heqja dorë nga tabutë, duke përfshirë heqjen dorë nga emri historik, siç deklarohet; dhe çlirimi nga frika prej gjuhës së tjetrit, përbëjnë dukuri evropianizuese të Maqedonisë fqinje, të cilën Shqipëria e njohu e para si shtet të pavarur. Të heqësh dorë nga monolinguizmi, do të thotë të pranosh barazinë me tjetrin, shumicë a pakicë qoftë. Kufiri i gjuhës nuk kontrollohet nga kufiri i shtetit! Njohja dhe pranimi i këtij realiteti është progres,” është shprehur Kryemadhi.
Ditmir Bushati: Miratimi i gjuhës shqipe në Maqedoni tregon mirëkuptim ndëretnik 
“Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë”, kështu e ka cilësuar ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati miratimin e gjuhës shqipe në parlamentin maqedonas. “Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat evropiane. Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurt euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur”, ka theksuar Bushati në fjalën e tij.

VATRA përshëndet miratimin e ligjit për gjuhën shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” përshëndet vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për miratimin e ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve të bashkësive etnike. Vatra e vlerëson pozitivisht Vendimin sepse Ligji lejon që gjuha shqipe do të përdoret për të parën herë edhe në Qeveri; edhe në Kuvend, por edhe në të gjitha organet e tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, Komisionet etj. Ky Ligj avancon përdorimin zyrtar të Gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror dhe lokal. Vatra mendon se ky ligj është jo vetëm një arritje për shqiptarët , por edhe për vetë maqedonasit dhe do të ulë tonet e grindjeve dhe dasive etnike dhe garanton të drejtat e njeriut sipas kartave ndërkombëtare. Edhe pse ky Ligj është ende larg plotësimit të zotimit që Partia Social Demokrate e Kryeministrit Zoran Zaev, pati premtuar kur mori mbështetjen e partive shqiptare, sërish përbën një hap përpara në betejën e gjatë të shqiptarëve të Maqedonisë për përdorimin e gjuhës shqipe dhe i hap rrugën marrjes së statusit të barabartë të Gjuhës shqipe me atë maqedonase, ç’ka do të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës. Beteja mbetet e hapur dhe shqiptarët duhet të punojnë edhe për këtë objektiv madhor.