Mbyllet arka e shtetit, vendoset “dryni” për drekat e darkat festive dhe shpërblimet. Ja kush përjashtohet

614
Qeveria vendos “drynin” për drekat e darkat festive dhe shpërblimet
Këshilli i Ministrave vendosi të kufizojë me një vendim të posaçëm shpenzimin e parave të buxhetit për veprimtari të ndryshme social-kulturore apo shpërblimin e punonjësve. “Përjashtimisht për vitin 2017, fondi i veçantë i njësive të qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve, me përjashtim të një shpërblimi për festat e fundvitit për punonjësit e Policisë së Shtetit. Masa e shpërblimit për këta punonjës përcaktohet nga titullari i ministrisë, në përputhje me fondin aktual, të veçantë, të miratuar për vitin 2017, por, në asnjë rast, ky shpërblim nuk tejkalon masën 10 mijë) lekë”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Dy ditë më parë ishte i Thesari i Shtetit që deklaroi se nuk do të paguante për drekat e darkat festive të institucioneve buxhetore. Ndonëse festimet për Vitin e Ri kanë nisur prej ditësh dhe shumë institucione shtetërore kanë shtruar dreka e darka festive për punonjësit e tyre, faturat nuk do të paguhen nga shteti. Agjencia e Prokurimit Publik (APP) njoftoi se ka konstatuar që, kohët e fundit autoritetet kontraktore kanë shpallur dhe zhvilluar në Sistemin e Prokurimit Elektronik procedura prokurimi me vlerë të vogël, të cilat kanë si objekt dreka apo darka festive. “Nisur nga qëllimi i ligjit nr. 9643/2006 “Për Prokurimin Publik”, por edhe i Ligjit nr. 10296/2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të cilët synojnë mirëpërdorim të fondeve publike, APP dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që të mos shpallin procedura të tilla prokurimi. Gjithashtu, bëjmë me dije se Drejtoritë e Thesarit do të bllokojnë ekzekutimin e pagesave për objekte të tilla prokurimi”, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar. Bllokimi nga thesari i pagesave për restorante e hotele pritet të sjellë jo pak probleme për dhjetra ministri e qindra drejtori, që tashmë kanë konsumuar pjatën e Vitit të Ri me kolegët.
Sigal