Basha në Elbasan: Në 21 qershor të ndalim përkeqësimin e ekonomisë

392
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me banorë dhe tregtarë të Elbasanit. Varfëria dhe pamundësia e qytetarëve ka arritur deri aty sa të marrin vetëm bukë të mbetur nëpër dyqane, i tha zotit Basha një shitëse buke. Mungesa e vendeve të punës dhe rritja e çmimit të energjisë i ka çuar qytetarët në kufijtë e mbijetesës.
“Një nga zgjidhjet që duhet të japim është të heqim TVSH-në për miellin, për bukën, për sheqerin, për vajin , për orizin. Të paktën për këto mallra, t’ua bëjmë bukën ta blejnë 20% më pak se sa çmimi i tregut sot. E kemi një zgjidhje për këtë situatë, në nivel lokal uljen e taksave për biznesin e vogël, në nivel qendror uljen e çmimit të energjisë me 25%, uljen e çmimit të naftës, ardhjen në ndihmë të biznesit, në veçanti biznesit të vogël dhe të krijojmë vende pune, sepse shkaku i rënies së fuqisë blerëse është rënia e punësimit.”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal dhe në Qafë – Drizë të Librazhdit, ku qeveria për të mashtruar qytetarët ka vënë një tabelë për rikonstruksionin e rrugës Librazhd – Orenj. Ndonëse projekti ka qenë gati për dy vjet, qeveria nuk akordoi asnjë fond për rikonstruksionin e saj.
“Shikoni mbrapa çfarë thotë: Rikonstruksion i rrugës Librazhd – Orenj – Loti i Parë. Unë do ta përgëzoja dhe do ta uroja qeverinë e Edi Ramës në qoftë se do të ishte vërtetë kështu, por kjo është një gënjeshtër. Nuk ka as fonde, as prokurim për këtë rrugë. Projekti është bërë nga ne. E kanë gjetur të gatshëm, por as nuk e kanë financuar, as nuk e kanë prokuruar. Vijnë në kohë zgjedhjesh për t’i hedhur hi syve të banorëve. Pse e bëjnë këtë? Sepse s’kanë mbajtur asnjë premtim. Shiko se çfarë shënojnë: Gjatësia e projektit 18. 18 çfarë, centimetra? E kanë mendjen vetëm mashtrime. Rrugëdalja është të ndalim me votë gënjeshtrën dhe mashtrimin që erdhi me votë para dy vitesh”.
Lideri i opozitës u takua dhe me banorë të Qukësit në Prrenjas. Pasi është njohur me shqetësimet e tyre zoti Basha kërkoi votat e qytetarëve, për të ndalur përkeqësimin e ekonomisë, rritjen e papunësisë dhe për t’i hapur rrugën zhvillimit, mirëqenies dhe punësimit.
“Laku është shtrënguar në fytin e çdo familje shqiptare. Shqiptarët paguajnë më shumë, fitojnë më pak, jetojnë më keq, por dyshja Rama-Meta thotë jemi në drejtimin e duhur. Drejtimi i duhur është që të dyfishosh faturat e energjisë? A është drejtimi i duhur, dyfishimi i listave të ushqimeve? A është drejtimi i duhur për prindërit që rrinë kokëulur para fëmijëve se s’kanë para t’u blejnë as ushqime, as veshmbathje, apo ata hallexhinj që s’kanë para t’u blejnë as ilaçe?! Ne duam pra me votën tuaj në 21 qershor të ndalim përkeqësimin e ekonomisë, të ndalim përkeqësimin e papunësisë, të ndalim varfërimin e shqiptarëve dhe bashkërisht të hapim rrugën për punë dhe dinjitet për gjithë banorët e Qukësit, Prrenjasit, e të gjithë Shqipërisë”.
Sigal