Marko Dajti: Qeveria të plotësojë kërkesat ose FM do protestojë për kthimin e pushtetit te populli

410
Sigal

Fronti i Majtë i rikujton edhe një herë qeverisë shqiptare se, megjithëse po mbushet viti nga dita kur ka marrë në dorë çelësat e pushtetit, nuk ka bërë akoma asgjë për të merituar pozicionimin e saj në spektrin e majtë. Ende nuk janë përmbushur pikat thelbësore të programit të majtë dhe as ato detyrime që qeveria ka ndaj elektoratit dhe aleatëve të saj. Qeveria arriti kulmin e suksesit vetëm në sektorin e marketingut dhe u bë e famshme për përzgjedhjen e kuadrit me një politikë “meritokracie” të orientuar drejt kërkimit të femrave me zhvillim dhe hormone seksuale. Ne i kërkojmë me forcë qeverisë “Rama” të kthejë vëmendjen nga nevojat e elektoratit që e ka votuar, të popullit shqiptar dhe atdheut. Politika e tritolvënies e ka bërë të ngjajë më shumë me një qeveri barbarësh, sesa me një qeveri shqiptarësh. Një qeveri që mendon të shkatërrojë pa marrë më parë masat për ndërtimin e një shteti social. Është totalisht e gabuar dhe shprehje e një mentaliteti qeverisës që mendon për fasadën, por jo për themelet e ndërtesës-shtet. Fronti i Majtë, si pjesë e koalicionit fitues në zgjedhjet e 23 qershorit, i bën të ditur Qeverisë “Rama” dhe mbarë opinionit publik se kërkon një angazhim më të madh për problemet thelbësore që shqetësojnë qytetarët e këtij vendi. Ne nuk kemi marrë pjesë në këtë koalicion për ndarje postesh apo për zhvatje kolektive, por për të ngritur një shtet ligjor dhe në shërbim të qytetarëve. Në këto kushte, Fronti i Majtë i drejtohet edhe një herë Qeverisë “Rama” me disa kërkesa, që janë njëkohësisht pjesë e programit të përbashkët politik të miratuar përpara zgjedhjeve të 23 qershorit. Ne kërkojmë: – Arrestimin e menjëhershëm të të gjithë fajtorëve të tragjedisë së Gërdecit dhe drejtësi të plotë për këtë ngjarje. Dikur politikanët e majtë na nisnin në këmbë për të protestuar për këtë tragjedi, ndërsa sot po ata politikanë bëjnë marrëveshje të fshehta politike me kriminelët që shkaktuan 26 viktima. Por populli pret drejtësi. – Arrestimin e menjëhershëm të të gjithë fajtorëve të tragjedisë së 21 janarit, ku katër burra mbetën të vrarë në bulevard, ndërsa protestonin për kauzën e majtë. Deri më sot, e vetmja gjë që ka bërë qeveria është vendosja përtokë e një pllakati, që njerëzit e shkelin me këmbë, njësoj si pllakati që vendosi Sadami në fundin e luftës së Gjirit Persik me fytyrën e armikut të tij, Xhorxh Bush. – Arrestimin e menjëhershëm të Ardian Fullanit dhe hetimin e plotë të skandalit në Bankën e Shqipërisë. Sipas informacioneve që disponon Fronti i Majtë, vjedhja ka përmasa shumë herë më të mëdha se sa ajo e deklaruar dhe në këtë akt kriminal janë të implikuara edhe banka të tjera të nivelit të dytë si dhe shërbime të huaja. Hetimet për këtë çështje duhet të zgjerohen në kohë dhe të shqyrtohet dokumentacioni që nga viti 1994, kohë në të cilën paratë filluan të dilnin “nëpër brekë” nga ky institucion. – Qeveria të miratojë kuadrin ligjor për ngritjen e Bankës Kombëtare Shtetërore të Kursimeve, një bankë që do të operojë në sistemin financiar si bankë e nivelit të dytë, me kapital tërësisht shtetëror. Qeveria duhet të kërkojë edhe licencimin dhe shtrirjen e kësaj banke në të gjitha ato shtete të cilat kanë filiale të bankave të tyre në Shqipëri, në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi t’ i ruajnë kursimet e tyre në bankat e shtetit të tyre dhe të garantuara 100 % nga shteti. Të miratohet një ligj i posaçëm për Bankën e Shqipërisë, e cila duhet të ketë kompetenca për politikat fiskale, por nuk mund të jetë një institucion që pavarësinë ta shndërrojë në abuzim. – Të ndalohet menjëherë privatizimi i aseteve shtetërore në sektorët strategjikë dhe të anulohen të gjitha privatizimet e autorizuara nga satrapi Berisha në këta sektorë që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë kombëtare. – Të lirohen nga akuzat të gjithë ata persona që kanë ndërtuar pa leje në tokat apo trojet e tyre private dhe të lihen të lirë. Ne inkurajojmë dhe mbështesim qeverinë nëse vendos të prishë gjithë ndërtimet, me apo pa leje, të ngritura pas vitit 1990 në toka apo troje shtetërore ose publike. Në të gjitha këto raste, policia ka mbështetjen tonë të plotë edhe për të zhvilluar hetimet e rastit. – Të përgatitet kuadri ligjor për legalizimin dhe licencimin e mbjelljes dhe kultivimit të kanabisit, sikurse ekziston në disa vende të Bashkimit Europian. Këto vende sot janë të detyruar ta blejnë kanabisin nga serat e Çekisë dhe Izraelit, ndërkohë që malet e Shqipërisë ofrojnë kushte ideale për një prodhim cilësor dhe fitimprurës për ekonominë vendase. Të lirohen menjëherë të persekutuarit e kanabisit, që nuk kanë bërë më shumë se sa kanë zbatuar parimin e idealeve tuaja të dhjetorit: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Në rast të mosplotësimit të këtyre kërkesave, Fronti i Majtë deklaron fillimin e një aksioni masiv protestash për kthimin e pushtetit te populli.

Kryetari i Frontit të Majtë

Marko DAJTI