Malltezi: Qeveria, licensë për prerjen e pyjeve, moratoriumi vjen pasi të shkatërrohen parcelat e mbetura

822
Partia Demokratike ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për moratoriumin për prerjen e pyjeve për një periudhe 10-vjeçare, duke filluar nga 1 Janari 2016. Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, tha se ky moratorium duhet të fillojë që tani. Sipas Malltezit, deri në 1 janar 2016 rrezikohet të shkatërrohen parcela të mëdha pyjore në mbarë vendin.
JA DEKLARATA E PLOTË 
Para 5 ditësh, vetëm pak minuta pas zhvillimit të ankandit për prerjen e pyjeve të fundit të mbetura në parcelat në Korçë (Bofje, Shere, Panarit dhe Treskë), Berat (Mali i Bardhë, Qeshibesh, Liqeth), Lezhë (Munelle) dhe Gjirokastër (Dhembel), qeveria deklaroi shpalljen e moratoriumit për prerjen e pyjeve për një periudhe 10 vjeçare, por duke filluar nga 1 Janari 2016. Pse jo nga sot? Apo duhen rrafshuar edhe ato pak parcela pyjore që kanë mbetur?
Partia Demokratike e sfidon qeverinë që;
1.Moratoriumi për prerjet e pyjeve të ketë efekt të menjëhershëm duke filluar nga sot!
2.Të anullohet liçensa e prerjes se pyjeve për kushëririn e Ylli Manjanit dhe dajen e deputetit Spahiu në Bulqizë pasi kjo ka shkaktuar gjendje lufte civile dhe peticion masiv nga mbi 500 fshatare të 3 fshatrave kundër prerjes së pyjeve.
3.Të anullohet çdo liçensë prerje pylli për banditët e Taulantit në Stebleve – Librazhd, që edhe kur u kapen nga dy gazetarë duke prerë brenda në Park Kombetar, në vend që të burgoseshin si keqbërës, u trimëruan dhe qëlluan me armë zjarri mbi gazetarët.
4.Të anullohen liçensat e prerjeve të pyllit për vellezërit Bicaj në Lenie të Gramshit, apo për nënkryetarin e Bashkisë së Ersekës në Germenj-Shelegur.
5.Të ndërpritet me efekt të menjëhershëm çdo prerje pylli që po ndodh përditë edhe brenda zonave të mbrojtura si Parku Kombëtar Dajt, Germenj-Shelegur, Stebleve, Lenie, etj.
6.Të anullohen 10 ankandet e fundit të prerjes së pyjeve të shpallura para pak ditësh, sipas buletineve Nr. 40, 41, 42 dhe 43 të Agjensisë së Prokurimit Publik
Partia Demokratike fton qeverinë të reflektoje ndaj kësaj kasaphane siç shihet edhe në fotot bashkëngjitur dhe të ndalë urgjentisht kafshimin e mushkërive të Shqiptarëve.
Ne ftojmë qytetaret të ndalojmë shkatërrimin e pasurisë kombëtare, të pyjeve tona, duke shkulur nga rrënjet këtë bandë të korruptuar që zhvat me tendera dhe koncesione, si nëntokën edhe mbitokën tonë.
Sigal