Lulzim Basha:Ligji për reformën territoriale, lojë e oligarkisë së çiftit Rama-Meta

434
Sigal

Reforma territoriale, opozita bashkë me qytetarët, në këmbë kundër rikthimit të ndarjes së para vitit 1990

Vendimi i maxhorancës dhe opozitës për ndarjen e re territoriale kanë sjellë debate dhe reagime të mëdha, jo vetëm nga midis maxhorancës dhe opozitës, por edhe brenda së majtës. Ditët e fundit, disa qytete si, Memaliaj, Poliçani, apo Himara, janë ngritur në protestë kundër kësaj reforme. Së fundmi, vjen edhe reagimi i radhës i Partisë Demokratike, e cila duke e quajtur pseudoreformë territoriale, paralajmëron protesta masive nëse Qeveria nuk reflekton. Në fjalën e tij, kreu i PD-së, z. Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar të ditës së hënë, tha se, qytetarët po ngrihen në protesta kundër pseudoreformës administrative territoriale të Qeverisë. “Komunitetet vendore po protestojnë. Kryetarët dhe këshillat komunale e bashkiake, në shumicën e tyre, nuk po pranojnë hartën e imponuar qeveritare. Në Memaliaj, në Përrenjas, në Rrogozhinë, në Leskovik etj., qytetarët dhe personalitetet e komuniteteve vendore, kanë zbritur në sheshet e qyteteve. Janë pararoja e një vale të fuqishme protestash që po ngrihen në mbarë vendin për t’i bërë të ditur qeverisë kundërshtimin e vendosur qytetar ndaj projektit të saj arbitrar, që minon dhe hedh në erë në themel ngrehinën 23- vjeçare të pushtetit vendor në Shqipëri  dhe për të paralajmëruar përshkallëzimin e qëndrimeve, nëse qeveria nuk heq dorë, nëse qeveria vazhdon të anashkalojë qytetarët, duke shkelur me këmbë e me duar Kushtetutën e vendit”,- tha Basha. Më poshtë mund të lexoni fjalën e Bashës, mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar.

Reforma territoriale, modeli i Partisë së Punës

 “Në përpjekjet tona të njohura për ta futur procesin në hullinë e kushtetutshmërisë, konsensusit, gjithpërfshirjes dhe praktikave të mira, të zbatuara edhe në Shqipëri për reforma të mëdha të kësaj natyre, ne si opozitë e kemi paralajmëruar disa herë qeverinë Rama-Meta se do ta presim në sheshet e protestave mbarëqytetare nëse do të vazhdojë të bëjë shurdhin, nëse do të vazhdojë me eksperimentin e saj të pseudoreformës. Si është e mundur, pyesin njerëzit, që Rama me të tijtë bëjnë me demek sikur morën asistencë, këshillim, ekspertizë, propozime dhe financim nga Europa dhe nga një mori organizatash të shoqërisë civile të specializuara për reforma moderne bashkëkohore dhe si përfundim, në produktin e tyre të hedhur në treg, u kthyen te ish-komitetet ekzekutive të ish-Partisë së Punës? Janë kaq pa fantazi, janë kaq të vjetër, janë kaq të huaj për rrjedhat e demokracisë bashkëkohore dhe kaq të mbyllur e të kapur mendërisht nga konceptet arkaike centralizuese, sa të guxojnë të provokojnë në këtë shkallë qytetarët shqiptarë, miqtë dhe partnerët tanë europiane që janë investuar edhe për këtë reformë? Si është e mundur! Rasti i reformës administrative-territoriale nuk është i shkëputur nga gjithë qasja e tyre e vjetër, arbitrare dhe antidemokratike për liritë, për ligjin, për pjesëmarrjen qytetare.

Skema e ish-komiteteve ekzekutive dhe emërtimet e reja

Viti zero i çon atje, ku nuk ka pasur asnjë element të autonomisë vendore në Shqipëri, pra para vitit 1990. Projekti i tyre i mirënjohur i pushtetit të një grushti oligarkësh në piramidën e tyre të oligarkisë i çon te modeli ish-komiteteve ekzekutive me emërtime të reja. Me këtë qytetarët nuk mund të pajtohen. Për këtë qytetarët po ngrihen. Qytetarët në këmbë, është e do të jetë thirrja jonë për të shpëtuar autonominë vendore, për ta garantuar, fuqizuar e ngritur në një stad më të lartë nëpërmjet një reforme bashkëkohore gjithëpërfshirëse. Ne u shprehëm që në tetor se, nisma qeveritare ishte vetëm për interesat e ngushta të klanit politik, oligark në pushtet, se kjo nismë nuk kishte as në qendër dhe as në periferi të qëllimit të saj qytetarin, fuqizimin e komuniteteve vendore, decentralizimin dhe autonominë vendore.

Të dëgjohet zëri i qytetareve në çdo fshat e qytet të Shqipërisë

Qeveria vendosi me dyer të mbyllura variantin e saj të paracaktuar mes pesë pseudo-varianteve dhe po synon që t’ua imponoje të zgjedhurve vendorë variantin e saj ndërsa bën sikur konsultohet me komunitetet vendore dhe publikun. Edhe nëse ka qenë ndokush që fillimisht ka menduar se, Qeveria e kishte seriozisht e me qëllim të mbarë këtë reformë e më këtë besim, u përfshi në aktivitete apo u përpoq të japë një alternative, sot është i zhgënjyer. Sjella e qeverise ndaj propozimeve alternative të shoqërisë civile është prova me e qartë. I mirëkuptojmë të gjithë këta të zhgënjyer e të ofenduar dhe u themi bashkohuni me njëri-tjetrin dhe me mbarë qytetarët shqiptarë për t’i bërë pritë të keqes dhe për të mundësuar një reformë të mirë për të cilën ka nevojë vendi.

Injorimi i propozimeve nga Opozita:

Gjatë gjithë periudhës që nga tetori e deri në mars, kërkesat dhe qëndrimet tona, të shprehura disa herë në mbledhjet e këtij formati, në takimet tona me të zgjedhurit vendore, në qëndrimet e grupit tonë në Kuvend dhe në përgjigjen time ndaj, gjoja ftesës së Edi Ramës, kanë konsistuar në dy propozime themelore:

-Konsensus politik në Kuvend, si minimum i domosdoshëm dhe me qytetarët, si optimum i duhur.

-Një reforme e plotë decentralizuese krahas rishikimit të kufijve.

Konsensusi na u refuzua botërisht në sallën e Kuvendit nga vetë zoti Rama me argumentin se, opozita e do konsensusin për të bllokuar reformën, argument absurd që zhduk vetë arsyen pse ka lindur dhe ekziston konsensusi si vlerë dhe mjet punë në jetën politike. Në lidhje me vizionin e plotë të reformës, qeveria bëri sikur nuk dëgjoi në vend që t’i shtonte komisionit parlamentar detyrën për reformën decentralizuese krahas ndryshimeve hartografike, shtoi një anëtar maxhoritar në komision.

Manipulimet nëpërmjet varianteve të ndarjes territoriale:

Komisioni parlamentar, si një noter i rëndomtë, i vuri vulën hartës së përgatitur në sallën e hartave të Kryeministrit. Varianti qeveritar, i paravendosur, bazohet tek 36 rrethet. Nisi me rrethet, si pikënisje e ushtrimit hartografik dhe përfundoi tek rrethet. Ku nisi bitisi. Vendnumëro. Variantit bazë, atij me 36 rrethe, qeveria i vë ca bishta, një numër prej 3 deri 11 njësish të krijuara artificialisht, si shkëputje nga rrethet përkatëse për të dalë zyrtarisht gjoja me 2 variante, atë me 39 bashki dhe atë me 47 bashki. Mes këtyre 3-11 bishtave gjen edhe hiletë elektorale, gjen edhe spekulime të shumëfishta, siç është shkëputja e Himarës nga pjesa tjetër e rrethit Vlorë dhe bashkimi i saj me Vranishtin, gjen edhe bashkimet artificiale të disa komunave minoritare, si për të thënë se, qeveria respekton të drejtat e minoritetit, e në ndonjë rast, gjen edhe ndonjë tentative për të zbatuar konceptin e zonës funksionale, sa për t’i thënë partnereve ndërkombëtare se diçka morëm edhe nga sugjerimet tuaja. Gjithsesi, duket se qeveria, ashtu si hardhuca, është e gatshme që, nëse ndeshet me kundërshti të forta, t’i këpus këto bishta vetëm dhe vetëm që të mbahet në këmbë varianti me 36 rrethe-bashki. Nga tre variantet e tjera, i pari me 30 njësi ishte sa për të krijuar idenë se, varianti me 36 rrethe-bashki nuk është më ekstremisti, ndërsa dy variantet e tjera, ai me 57 dhe ai me 63 bashki u rrëzuan pa mëshirë në mbledhjen me dyer të mbyllura të qeverisë me maxhorancën parlamentare. Këto dy variantet e fundit ishin një hile taktike, sa për të krijuar idenë se, qeveria po konsideronte kritere e koncepte moderne të funksionalitetit dhe të identiteteve tradicionale lokale, por, kur qeveria e kuptoi se këto variante mund t’i ktheheshin ne bumerang i eliminoi nga diskutimi i mëtejshëm. Nëse do të mbaheshin në këmbe e do të hidheshin në konsultim, varianti me 57 dhe ai me 63 bashki, këto do të shërbenin si ura për të ecur detyrimisht drejt varianteve më të arsyeshme me 80, 90, 100 apo me shume bashki/komuna, e që ishin propozuar nga organizatat e tjera. Kjo pasi kriteret për njësitë shtesë tek të dy variantet qeveritare me 57 dhe 63 bashki, nëse zbatohen me koherencë, te çojnë logjikshëm në variantet me shume më tepër bashki. Me rënien e këtyre dy varianteve me 57 dhe 63 bashki, qeveria hodhi në erë urën e komunikimit dhe arsyen e shëndoshe të mishëruar në variantet e tjera te propozuara nga aktoret joqeveritare, dhe këtë e beri me qëllimin që të dekurajonte çdo alternative tjetër e për të mbrojtur me çdo kusht e çdo mjet variantin e saj bazë me 36 rrethe-bashki.

Protestat qytetare me Kushtetute në dorë

Gjithçka në shërbim të konceptit punist mbi qeverisjen vendore dhe të instrumentalizimit të saj në shërbim të kartelit politik, oliogark, e deri mafioz. Çfarë ka midis bashkisë-rreth dhe qytetarit që jeton e punon në periferi të saj. Asgjë. Asgjë që ka lidhje me afrimin e pushtetit me qytetarin. Asgjë që ka lidhje me zbatimin e instrumenteve efikase të llogaridhënies së të zgjedhurve para qytetarëve. Ketë nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë. Opozita përsërit sot kërkesën e saj drejtuar qeverisë dhe shumicës të heqë dorë, të tërhiqet nga projekti i saj i shkatërrimit të pushtetit vendor, të kthehet në pikënisje, të rifillojë me këmbën e mbarë të konsensusit, gjithëpërfshirës, konsultimeve reale në funksion të një reforme moderne që do t’i vlejë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj për dekadat e ardhshme. Është momenti për të reflektuar sot, tani. Në të kundërtën, për ne mbetet zgjidhja që kemi paralajmëruar: t’i presim me kushtetutë në dorë në sheshet e protestave që qytetarët kanë nisur t’i mbushin.