Lulzim Basha: Tek bashkimi me protestën e 27 janarit, qëndron shpresa e shqiptarëve për largimin e krimit nga pushteti

592
Kryetari i Partisë Demokratike ftoi shqiptarët të bëhen pjesë e protestës më 27 janar për t’i dhënë fund qeverisjes me dy standarde, që favorizon klientët dhe bandat që e mbajnë në pushtet dhe ngarkon me taksa qytetarët. Lulzim Basha tha në aktivin e Korçës, se pasoja kryesore e blerjes së zgjedhjeve dhe bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, është varfërimi i shqiptarëve dhe pasiguria për të ardhmen. “Zero taksa për hotelet e reja me pesë yje që do të ndërtohen si lavatriçe të parave të pista. Këta nuk do të paguajnë taksa për 10 vjet, ndërsa një hotel me pesë dhoma në Korçë, do të fillojë të paguajë 20% TVSH. 20% më shtrenjtë, nga buka, tek veza, tek vaji, gjithçka që blihet në dyqane. Gjithçka që blihet në dyqane, që deri më sot nuk e paguanin këtë TVSH, këtë marrëzi të fundit, tani duhet të paguajnë edhe 20 përqindëshin.” -tha Basha. Basha theksoi se për shkak të mungesës së llogarisë para qytetarëve, Edi Rama ka vënë pasuritë e shqiptarëve në shërbim të një pakice, nëpërmjet të cilës pasurohet për vete dhe blen pushtetin e tij. “Zgjedh të rritë çmimin e energjisë elektrike, zgjedh të rritë çmimin e naftës, që të marrë me një dorë 220 milionë euro ARMO, pra, Edi Rama me Beson me shokë, dhe 50 milionë euro taksa të papaguara që do të mjaftonin që të gjithë të rinjtë që dalin nga shkolla, afër 30 mijë në vit, të paguheshin një vit nga shteti me 300 mijë lekë të vjetra në muaj për të bërë stazhe.”- u shpreh Basha. “Ne sot kemi një prokuror të emëruar pa veting. Përse? Për t’i kthyer pasaportën Sajmir Tahirit, për të prishur gjyqin e Emiljano Shullazit, për të bërë të pakapshëm Klement Balilin, i cili bredh nën hundën e policisë, nga mesi i Tiranës në lokalet e Sarandës.”- tha Basha nga takimi në Korçë.
Sigal